Portugalia e mbylli me stil fazën kualifikuese, duke regjistruar një fitore të thellë 9:1 ndaj Armenisë – një triumf që vulosi matematikisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror.

Edhe pse në fushë mungonte Cristiano Ronaldo, i pezulluar për këtë takim, luzitanët treguan forcë kolektive, ritëm të lartë dhe efikasitet të frikshëm.


Portugalia e nisi furishëm ndeshjen dhe që në minutën e 7-të zhbllokoi rezultatin me Renato Veigën, që përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe shënoi me kokë për 1-0. Vetëm pak çaste më vonë, sistemi VAR konfirmoi vlefshmërinë e golit.

Armenia reagoi shpejt dhe në minutën e 18-të barazoi me një supergol të Eduard Spertsyan, i cili me një veprim individual brenda zonës vendosi rezultatin 1-1.

Reagimi portugez ishte i menjëhershëm. Fillimisht Gonçalo Ramos shfrytëzoi një gabim të rëndë të mbrojtjes kundërshtare për të rikthyer epërsinë 2-1, ndërsa më pas Joao Neves shënoi dy gola radhazi – një nga distanca dhe një tjetër pas një kombinimi të bukur me Bruno Fernandes – duke çuar shifrat në 4-1.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Fernandes shënoi nga penalltia për 5-1, duke e mbyllur pjesën e parë me dominim absolut.

Portugalia nuk e uli ritmin as pas pushimit. Bruno Fernandes shënoi sërish në minutën e 52-të për 6-1, ndërsa Joao Neves kompletoi het-trikun e tij me një tjetër goditje precize për 7-1.

Në minutën e 72-të, Fernandes shënoi golin e tij të tretë nga pika e bardhë, duke e ngritur rezultatin në 8-1, para se Francisco Conceição të vuloste rezultatin 9-1 në kohën shtesë pas një asistimi perfekt.

Gjithë këtë triumf Portugalia e arriti pa yllin kryesor Cristiano Ronaldo, i cili mungoi për shkak të pezullimit. Por mungesa e tij u mbulua nga loja kolektive dhe efikasiteti i jashtëzakonshëm para portës.

Me këtë fitore të thellë, Portugalia jo vetëm që e mbyll fazën kualifikuese në mënyrë madhështore, por edhe siguron zyrtarisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore


telegrafi sport app