Populizmi dhe Miti, trendi koheziv aktual
Politika kosovare, është një politikë e mendimit të brishtë dhe fragjil në të konceptuarit e një ideologjie e cila i ka takuar kohës. Miti është elementi aktual i përftimit të luftës populiste në tranzicion dhe, krijimi i miteve për përfitime në politikë i ngjason kohës së krijimit të figurave në Mekë nga tregtarët, për të sjellë përfitimet e tyre.
Nuk ka “frymë” Rugoviane, siç nuk ka as edhe ideologji apo teori të politikës Rugoviane, por ka patur personalitet me mbiemër Rugova. Shfaqja e fundit në media e djalit të personazhit të Quajtur Rugova, e që i ka takuar kohës në të cilën ka jetuar, nuk është se është kthyer “fryma”, si që nuk është kthyer trupi i vet të mitizuari, por është dëshira e një djaloshi, me ambicie apo qëllim të caktuar, që sot mëton të krijoj një karrierë, falë pozicionit të afërm me mitin dhe, fal këtij miti të udhëheqë politika të caktuara si bazë populizmin.
Dikë mund ta kenë lënduar apo fyer fjalët më lartë lidhur me mitin, por të mos harrojmë se, Stalini, Fidel Kastro, e Che Guevara, kanë udhëhequr politikën e tyre populiste të bazuar në Komunizëm duke tentuar që të krijojnë ideologji të tyre, po në realitet përveç diktaturave nuk kanë arritur të sjellin më shumë. Edhe politikanë të mëdhenj si Churchill, e De Gol, kanë patur ideologjitë e tyre, por nuk kanë arritur të krijojnë teori të tyre në politikë, e duke u bazuar në pamundësitë e tyre, atëherë nuk mund të ketë një Frymë që i ngjason një teorie konceptuale në politikën kosovare, të quajtur Rugoviane.
Mendimi i tanishëm në politikën kosovare se madhërimi i figurave, krijimi i miteve, dhe ecja drejt qëndrimit të dikujt që dikur ka patur famë, janë një Populizëm klasik dhe, është njësoj sikur që një i sëmurë mental, mendon që është gjeni dhe e përshkruan vetën si të tillë duke treguar për përshtypjet dhe lidhjen e tij të afërm me të mbinatyrshmen dhe misterin. Përshkrimi i njerëzve që edhe ne kemi patur mundësi t’i njohim është hiperbolizuar dhe stërmadhuar duke i krijuar ata si vigan, pas të cilëve fshihen disa xhuxh.
Dallimi në mes grupimeve politike është një vijë e hollë ndarëse, që thuajse nuk duket fare, dikur na ishte Rugovizmi që trasoj rrugën drejt pavarësisë, po ashtu është kthyer në mit Lufta e bërë dikur dhe, e tërë kjo mjegull është krijuar sepse hahet nga njerëzit që janë të preokupuar me lojëra dhe ngjyrime politike ngase është bërë trend dhe, jo me gjëra qenësore. Ky populizëm duket që kohëve të fundit ka filluar të jap edhe efektet anësore, nuk është e qartë se kush dhe sa e ka patur më afër, por njëkohësisht nuk mund të themi që hapësirat që janë shfrytëzuar dikur nga një Mit, mund të bëjnë vet politika. Duhet njerëz që bëjnë politika, të cilat i duhen kohës, ashtu si mitet që i janë përshtatur kohës dhe kanë arritur të mbijetojnë si emra edha pas shumë vitesh.
Së fundmi është e kotë që të jetosh duke u fshehur pas një koncepti politik të udhëhequr dikur në një periudhë të caktuar, kjo nënkupton që ti nuk do të pjekësh kurrë, nuk do të jesh në gjendje të krijosh politika, të përballesh me dobësitë që ke dhe, njëkohësisht gabimet vetëm se do të trashen dhe t’i nuk do të kesh mundësinë të mësosh asnjëherë. Vjen një moment që gjithçka e humb kuptimin përveç të qenit serioz dhe konkret në atë që bën, kurse tërë ajo që është ndërtuar e mbështetur në “frymën” e dikujt nuk të duhet, të duhet të mendosh për të krijuar alternativa sepse gjendesh vërtetë në një situatë që e kaluara më nuk të hyn në punë.
Pra qëndrimi pas së kaluarës dhe fshehja pas gjurmëve të dikujt që ka qenë dikur, është vetëm një përsiatje për të krijuar një brutalitet dhe ashpërsim të reagimeve të atyre që dikur e kanë pëlqyer populizmin dhe përrallat se dikur ka qenë Herkulesi, i cili nuk është mundur nga askush. Kjo i ngjason gënjeshtrës që ka mbijetuar në shekuj, “na ishte dikur”, por që në të ardhmen këtë askujt nuk do të mund t’ia shesësh.



































