LAJMI I FUNDIT:

Politika po çmendet

Politika ka dy fytyra: konfliktin dhe bashkëpunimin. Luftërat, revolucionet, terrorizmi, atentatet dhe konfliktet etnike janë të gjitha pjesë e proceseve politike. Nga kjo shumë mirë kuptojmë se politika është shumë e rrezikshme për njerëzimin pasi kemi të bëjmë me një situatë ku këndi i superioritetit dhe këndi i rrënimit janë të puthitura dhe mjafton vetëm një lëkundje dhe të prishet harmonia mes këtyre dy kufijve ekstrem. Të bashkëpunosh është proces i rëndë pasi ndonjëherë ke përball qenie që nuk e kanë si pikësynim bashkëpunimin dhe zgjidhjen e problemeve, por vetëm e vetëm konfliktin. Kjo vërtetohet edhe në Maqedoni. Pas konflikteve të një pas njëshme etnike për shumë vite, këto muaj jemi të rrezikuar nga politika e cila krijon destabilizime në Maqedoni nëpërmjet lojës me ndjenjat e besimit te populli. Karnavalet në Vevçani dhe pastaj tentimet për vet-djegie të kishave ishin inskenim klasik për të krijuar tensione ndërfetare për t’i ikur realitetit, krizës ekonomikë që dita ditës rëndon qytetarët e Maqedonisë.

Qeveritë normale, në rast se ka probleme etnike në brendësi të shtetit përdorin shumë metoda për të shuar zjarret dhe për të qetësuar palët. Për këtë ato përdorin shumë shpesh edhe shpërblime ekonomike për palët, ndonjëherë forcën, por edhe fuqinë e bindjes. Në një shoqëri duhet të përdoret fuqia e bindjes për të normalizuar konfliktet, dhe kjo është një e drejtë apo dhunti e qeverisjes pasi bindja është pjesë e politikës dhe në anën tjetër është pjesë e komunikimit. Të përdoret forca për ulje tensionesh politike dhe etnike është zgjidhje e çuditshme por ka edhe shtete që e përdorin. Në zgjidhje konfliktesh duhet të futen edhe shpërblime ekonomike qofshin këto të fshehura apo edhe në formë publike, për krejt qytetarët. Studiuesit e politikës e shohin konfliktin si objekt për t’u menaxhuar, por këto studiues një herë duhet të studiojnë këtë krijesë që me kokëfortësi vetë emërohet si pasardhës i maqedonasve antik, përderisa historia e afërt thotë se ky shtet është produkt i mëshirës nga udhëheqja e ish-Jugosllavisë. Diçka, me të vërtet nuk funksionon me Maqedoninë.


Për të kuptuar konfliktet, për të kërkuar zgjidhje për konflikte ndëretnike dhe ndërfetare duhet të kemi parasysh edhe konceptet e përafërta me pushtetin në politikë. Fuqia, autoriteti, ndikimi, kontrolli, dhuna dhe sundimi janë sinonim të politikës këtu tek ne. Si qytetar nuk jemi mësuar që ky shtet të na garantoj dhe të na bëjë të themi sinonime pozitiviste për politikën. Shpresa, zhvillimi, kualiteti, besimi, respektimi i ligjeve nuk janë pjesë e fjalorit tonë kur bisedojmë për tema të politikës. Për fat të keq. Është shumë rëndë të futesh në politikë pasi është ambient që i ngjan betejave ku gjithkush të vret pas shpine dhe për këtë as që jep llogari. Politika në Maqedoni i ngjan një shtëpie të pa zot, fushë beteje pa rregulla loje dhe kaos pa shpresë.

Një pjesë e rinisë është bërë pjesë e foleve të partive politike me anë të cilave përfitojnë shumë pak, përfitojnë diçka shumë të vogël, ndonjë kartelë mbushje për telefon, heqin ndonjë dënim në polici për vozitje nën ndikimin e alkoolit apo edhe e ndiejnë veten të rëndësishëm për 20 ditë fushatë parazgjedhore. Sigurisht se jo të gjithë rinia janë të varur drejtpërdrejt nga politika, por deshe nuk deshe je pjesë e lojërave politike. Praktika e kontrollit nga partitë politike ka filluar të ndikojë edhe forumet rinore që duhet të ishin të pavarura nga politika. E kam fjalën për unionet e studentëve në dy universitetet shqiptare këtu në Maqedoni. Turp është kur një parti politike punëson aktivistët dhe të dëgjuarit e tyre në unionet e studentëve, për çka? Për vota? Por ata harrojnë se kjo praktikë atyre ju sjell dëm, pasi të njëjtit aktivist nuk janë shembull mirësie dhe rregullsie në ato unione politiko studentore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në librin e tij ‘Guximi për të shpresuar’, thotë se për të politika është diçka që i sjell jetë të mirë, kënaqësi dhe lumturi. Mirë, edhe këtë mund ta kuptojmë, por si mund të jemi ne të lumtur ne nëse jemi pjesë e politikës këtu? Përderisa për Obamën, shtrëngimi i duarve është shenjë mirësie që të jep forcë për të jetuar, atëherë çfarë shenjë është trishtimi që shihet në sytë e atyre qytetarëve që shtrëngojnë duart me politikan të veshur mirë dhe të zbukuruar me kollare të kuqe. A thua e shohin ato se ai qytetar që ia dha dorën çdo fund muaji e ka një sfidë, e ka sfidë mbijetesën, e ka sfidë krizën ekonomike, e ka sfidë punësimin e fëmijëve që me shumë mund i ka shkolluar. A kuptojnë këta politikanë që e kanë ç’orientuar drejtimin e politikës që nuk është më art ashtu si na thonë librat por e kanë drejtuar nga krimi dhe nepotizmi që shpeshherë ne e kemi inat, por s’kemi çka bëjmë. E kanë në dorë ata, do presim deri sa të ju trashet zullumi.

Sipas fjalorit politik në gjuhën angleze të Oxford-it, politika është arti për të qeverisur. Politika është shkencë që merret me formën, organizimin dhe administrimin e shtetit ose një pjese të shtetit. Ne si rini kemi një sfidë që të sjellim politikën tonë në këtë shkallë ku qeverisja është art. Duhet filluar të jemi edhe ne më të vendosur, të guximshëm, por edhe sfidues të mbushur me forcën e shpresës, të vetëdijshëm se duhet të bëjmë diçka pasi e kemi si detyrë. E mbarojmë fakultetin, por edhe studimet postdiplomike dhe ajo me çka jemi të kënaqur është titulli që e marrim, i diplomuar respektivisht i magjistruar. Nuk mjafton, sinqerisht nuk mjafton. Politika duhet të jetë në dorën tonë pa marrë parasysh se sa mund të na djeg duart, por çdo proces duhet të ndryshohet me mund dhe asgjë qoftë diçka elementare nuk ndryshohet nga fuqi tjera përveç ato që ne i posedojmë.

Harold Lasswell, në vitin 1963 për politikën thoshte: Kush merr, Çfarë, Kur dhe si merr! Pikërisht për këtë duhet të luftojmë të gjithë, të marrim atë çka na nevojitet. Në çfarë mënyre e marrim është gjithashtu e rëndësishme pasi asnjëherë nuk tolerohet që të merret pushteti dhe udhëheqja me dhunë pasi pushteti i marrë me dhunë ashtu përfundon, ndoshta edhe më keq. Rrugëtimi i njerëzve të lirë për pushtet është ferr në vete, pasi pikërisht ato njerëz që e duan pushtetin për ta drejtuar sipas rregullave janë të pa mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga njerëzit që janë pjesë e pushtetit dhe janë të mbushur me forcën e urrejtjes. Të marrësh pushtetin nga duart e gabuara është sfidë, është jetë në vete por edhe mbajtja e pushtetit në duart tua është proces ku duhet pasur parasysh ata që të rrethojnë, që sot janë si ti që ishe dje, që presin diçka pozitive. Forca e pushteti nuk është vetëm të kesh në dorë organet e rendit, ligjin, ekonominë apo shëndetësinë. Të mbajturit pushtet është zinxhir sfidash që mirëmbahet nga vetë njerëzit, respektivisht udhëheqësit.

Këtu në Maqedoni, politika shihet edhe si byro për punësim. Është e thjeshtë, duhet të jesh anëtar i asaj partie në pushtet dhe je i punësuar, proces ky që nuk i jep rëndësi aftësisë apo shkollimit. Pse duhet një i ri të punësohet si kamerier në pamundësi të punojë atë punë për të cilën ka studiuar? Por ne jemi popull që mendojmë se jemi të gjithëdijshëm dhe mendojmë se mund të punojmë në shumë profesione kurse në të kundërtën dukemi dhe bëhemi vetëm një urë që e lidhim mjerimin me jetën tonë. Partitë politike dhe partizanët e tyre, duam apo nuk duam ne janë pjesë e shoqërisë sonë. Kanceri i shoqërisë sonë, ndryshe thënë.

Asnjë teori politike nuk thotë që një shoqëri duhet që me instrumente dhe fuqi politike të shkruaj me shkronja të errëta fatin e vetë. Çdo studiues, teori dhe definicion për politikën thotë se politika duhet të jetë shkak për përparimin e shoqërisë. Shteti duhet të garantoj të drejtat themelore të popullit të vetë dhe duhet të kujdeset për territoret e veta duke praktikuar sovranitetin e vetë. Asnjë Kushtetutë nuk thotë se qytetarët duhet të jenë të diskriminuar dhe të ndarë në të mirë dhe të këqij. Ky është problem i Maqedonisë, kjo është esenca e problemit. Këta qytetarët e këqij jemi ne, shqiptarët e Maqedonisë. Ne mundohemi të jetojmë në situata të dyshimta ku politika nuk ndihmon asgjë për të dalë nga kjo situatë por vetëm e errëson këtë gjendje që ndonjë ditë duhet ndriçuar për të shikuar dhe analizuar se ku kemi gabuar.

Edhe shumë çështje tjera më shtyjnë të them se politika këtu në Maqedoni është një situatë aq e tensionuar sa edhe e rrezikshme për vetë shtetin por edhe për ne si qytetar. Është mëkat që një shtet të rrezikohet nga vetë udhëheqja, por politika di edhe të jetë shkak për prishje të balancit të një shteti. Për të përmbledhur në fund, politika sigurisht se është edhe shkak për prishje të marrëdhënieve ndëretnike e ndërfetare që ekskluzivisht përdoren për dalje nga situata të caktuara krizash ekonomike, shtetërore dhe financiare. Ndodh shpesh që zjarret të fryhen, por gjithmonë janë nën kontroll perfekt nga pushteti. Të luash me politikën më nuk është e rrezikshme pasi kontrollohen shumë lehtë pasojat pasi janë mësuar teknikat, por loja me ndjenjat e njerëzve është mëkat që mund të eskaloj deri në atë masë ku dhe kur nuk do të ketë hapësirë për përmirësim sa edhe mund të ketë pasoja madhore për vetë shtetin. Deri tani kemi duruar, por si duket, si shqiptar që jemi kemi përjetuar një mutacion dhe çuditërisht jemi shumë durimtar, por ndonjë ditë do të jetë fatale kjo politikë dhe do rezultojë me çmendje kolektive të njerëzve dhe ky vend do të ngjajë si një çmendinë e krijuar me shumë “mund” e cila nuk mund të kontrollohet më.

Në trend

Më shumë
Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Bundesliga
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Magazina
Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Magazina
FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

Lajme
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Kalo në kategori