Policia sekuestron veturën e cila po kërkohej nga Suedia, arrestohet një person në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar gjatë një operacioni policor të realizuar sot në Prishtinë, në kuadër të të cilit është sekuestruar edhe një veturë që ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet suedeze.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar nga njësitet e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve të Kryeqytetit.
Gjatë aksionit, policia ka lokalizuar dhe sekuestruar veturën e kërkuar, e cila tashmë është marrë në trajtim nga njësitet kompetente.
Po ashtu, gjatë kontrollit të realizuar ndaj të dyshuarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe municion.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj personit të dyshuar është iniciuar rast penal për veprën “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për parandalimin e veprimtarive kriminale dhe garantimin e sigurisë publike. /Telegrafi/



































