Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot veprime operative dhe hetimore në komunën e Rahovecit, pas publikimit të dy videove në rrjete sociale ku shiheshin persona duke përdorur armë zjarri. Si rezultat, janë sekuestruar disa armë dhe sasi e konsiderueshme municioni, ndërsa ndaj të dyshuarve janë iniciuar procedura penale.

Sipas njoftimit të Stacionit Policor në Rahovec, rastet janë trajtuar veç e veç. Në rastin e parë, një i dyshuar i mitur kishte publikuar video duke shtënë me armë zjarri. Gjatë kontrollit në fshatin Qifllak – Rahovec, policia ka gjetur dhe sekuestruar:


tri armë të gjata,

një pistoletë me një karikator,

një karikator tjetër,

207 fishekë të llojeve të ndryshme dhe

nëntë gëzhoja kalibër 9mm.

Në rastin e dytë, pas publikimit të një tjetër videoje ku shihej një person duke përdorur një pistoletë, policia ka identifikuar një të dyshuar tjetër, mashkull i moshës madhore. Gjatë bastisjes në fshatin Fortesë – Rahovec, janë sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator.

Sipas Prokurorisë së Shtetit, e cila ka udhëhequr veprimet policore, për të dy rastet është iniciuar procedurë penale për veprat:

“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe

“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari i mitur është ndalur në mbajtje për 24 orë, ndërsa i dyshuari i rritur është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprime të rrepta ndaj rasteve të ngjashme, sidomos atyre që shpërndahen në rrjete sociale dhe nxisin përdorimin apo glorifikimin e armëve të zjarrit.