Policia portugeze njofton kapjen e një sasie rekord të kokainës

Autoritetet portugeze thanë të hënën se kishin sekuestruar një sasi rekord kokaine nga një “nëndetëse”, e kapur pranë arkipelagut Azore.
Gati nëntë tonët e drogës janë "kapja më e madhe e kokainës ndonjëherë në Portugali", tha një zëdhënëse e policisë për mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në një konferencë për shtyp të dielën pasdite, drejtori i Njësisë Kombëtare për Luftimin e Trafikimit të Drogës (UNCTE), Artur Vaz, theksoi se sasia e kokainës ishte rikuperuar "në një sasi të përgjithshme që ne e vlerësojmë në afërsisht nëntë tonë".
Vaz tha se droga që po transportohej në mjet mund të sillte "qindra miliona euro" për grupet e "krimit shumë të organizuar".
Oficerët thanë se e kanë kapur mjetin "në ditët e fundit" rreth 230 milje detare (426 kilometra) nga ishujt në Oqeanin Atlantik.
Ata u ndihmuan nga marina dhe forcat ajrore, si dhe nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, në kushte të vështira moti.
“Nëndetësja” përfundimisht u fundos me 35 nga 300 pakot me drogë që mbante, tha policia.
Ajo thuhet se kishte origjinën nga Amerika Latine dhe kishte tre kolumbianë dhe një venezuelian në bord. /Telegrafi/





















































