Policia e Kosovës ka dhënë detaje për shpërthimin e ndodhur të mërkurën paradite në një fabrikë private për mbushjen e bombolave të oksigjenit në Kaçanik, ku një person ka mbetur i lënduar.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 11:30 si pasojë e një defekti në një rezervuar të oksigjenit.


Si rezultat, një mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave fillestare, dëmi material i shkaktuar nga shpërthimi vlerësohet të jetë rreth 200 mijë euro.

Hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e incidentit janë duke vazhduar. /Telegrafi/