LAJMI I FUNDIT:

Podujeva me rregullore për tatim në pronën e paluajtshme për vitin 2019

Podujeva me rregullore për tatim në pronën e paluajtshme për vitin 2019

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën miratoi vendimin për subvencionimin e shpenzime për shërbimin e varrimit të qytetarëve; Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2019 dhe vendimin për shpallje interes publik (ndërtimi i rrugës përgjatë brezit të lumit Llap në qytet)

Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunë së Podujevës, e cila u kryesua nga Fatmir Gashi –Kryesues i Kuvendit, e ku morën pjesë edhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, u trajtuan të gjitha pikat, që ishin në rendin e ditës dhe u morën vendime.


Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi e informoi Kuvendin lidhur me propozim vendimin për subvencionimin e shpenzime për shërbimin e varrimit të qytetarëve, në bazë të kërkesës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, për vazhdimin e mbështetjes së shërbimeve të varrimit.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi miratoi vendimin për subvencionimin e shpenzime për shërbimin e varrimit të qytetarëve me vendbanim të përhershëm në territorin e Komunës së Podujevës, i cili do të vlejë deri më 31.12.2020.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi propozimin e Rregullores për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2019

Drejtori Latifi tha se normat tatimore për vitin 2019 për të gjitha kategoritë, me përjashtim të kategorisë pronë publike, bëhet konform Ligjit nr.06/L-005 për tatim në Pronën e Paluajtshme.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2019.

Në mbledhjen e sotme, Kuvendi me shumicë votash miratoi edhe vendimin për shpallje interes publik (ndërtimi i rrugës përgjatë brezit të lumit Llap në qytet).

Kuvendi gjithashtu miratoi vendimin për zëvendësimin e një anëtari të Komitetit për Komunitete nga radhët e komunitetit ashkali. Në vend të anëtarit të ndjerë Shaban Ahmeti – i cili ndërroi jetë para pak ditësh, anëtar i Komitetit për Komunitet u emërua Xhafer Ademi /Telegrafi/