Prodhuesi amerikan Hennessey, i njohur më parë si tuner dhe tashmë si krijues i superveturave, ka zbuluar modelin e tretë tërësisht të zhvilluar nga kompania: Blackbird.

Emri i saj është frymëzuar nga aeroplani legjendar spiun Lockheed SR-71 Blackbird.


Ndryshe nga shumë supervetura moderne që përdorin turbo ose sisteme hibride, Blackbird rikthehet te receta klasike: një motor V8 atmosferik 6.2-litërsh me kambio manuale me gjashtë shpejtësi.

Motori, i zhvilluar në bashkëpunim me Ilmor Engineering, pritet të prodhojë rreth 800–850 kuaj fuqi.

Falë përdorimit masiv të fibrës së karbonit, pesha e makinës synohet të jetë nën 1,360 kg, ndërsa fuqia do të dërgohet vetëm në rrotat e pasme.

Hennessey pretendon se Blackbird do të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h për rreth 2.5 sekonda dhe do të arrijë një shpejtësi maksimale prej rreth 354 km/h.

Hennessey do të prodhojë vetëm 71 ekzemplarë të Blackbird, me një çmim prej rreth 2.5 milionë dollarësh secila.

Prodhimi pritet të nisë në vitin 2029, pasi të përfundojë seria e Venom F5.

Blackbird synon të jetë një nga superveturat e rralla moderne që kombinon performancën ekstreme me ndjesinë tradicionale të drejtimit. /Telegrafi/