Po përzihet Prezereni
Me gjithë vlerësimet e para pozitive që u dhanë për zgjedhjet komunale si në rundin e parë ashtu edhe në balotazh, krejt në fund dolën të ishin për faqen e zezë. Dhe kur dolën të palarat e këtij procesi, hajnitë dhe mashtrimet gati nga të gjithë edhe jo në pak komuna, u vendos pas rekomandimeve të KZAP-it, që të përsëriten zgjedhjet në Prizren, Lypjan dhe Gjilan, e për këtë të fundit KQZ-ja, urdhëroi “hetim” të dokumentacionit nga qendrat e votimit të ardhura nga kjo komunë, dhe zoti e di se si do të përfundojë i gjithë ky marifet me Gjilanin...
Sidoqoftë kapitulli i zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit në Kosovë akoma është larg përmbylljes, proces ky “shembull’ për rajonin, bile edhe për Amerikën, sigurisht për të keq po. Pikërisht sot (e hënë) do të fillojë edhe fushata elektorale për rundin e tretë të zgjedhjeve për pushtetin lokal në Prizren dhe në Lypjan, të përcaktuar për 31 janar, ku Prizreni do të shndërrohet ne një arenë gladiatorësh, ku do masin forcat PDK dhe LDK, dy partnerët e koalicionit qeverisës të nivelit qendror.
Ka të ngjarë që qyteti i lashtë, historik dhe i kulturës, Prizreni, të shndërrohet në betejë për jetë a vdekje për secilën nga këto dy subjekte politike, sidomos për partinë udhëheqëse të qeverisë, PDK-në, apo edhe fundin e pashmangshëm të koalicionit qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, koalicion ky që na ka shndërruar në zezak të Evropës së viteve 50/60-ta, përpos nëse është bërë ndonjë pazar me Gjilanin ndërmjet Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit, që në rast të humbjes së Prizrenit nga njëra prej dy partive garuese, ti “falet” Gjilani si ngushëllim, dhe më ketë të tentohet stabiliteti i koalicionit qeverisës.
Kështu, që për qytetarët e Prizrenit, që nga sot do të rikthehen ethet e procesit te votimit për pushtet lokal, dhe së bashku me to edhe dilema se për kë duhet votuar. Për profesorin veteran, plakun Ramadan Mujën e PDK-së, që shumë më mirë do ti shkonte të udhëhiqte ndonje shoqatë pensionistësh, sesa një qytet dinamik në shumë sfera siç është Prizreni, apo të preferuarin e shakaxhiut të LDK-së, Eqës (Eqrem Kryeziut), Hanefi Muharremin që në fillim ishte krejtësisht i panjohur për opinionin prizrenas dhe po ashtu duket se ka paksa probleme edhe me të folurit e gjuhës shqipe.
Për qytetin e dytë për nga madhësia në Kosovë, Prizrenin, e po ashtu edhe i dyti nga rëndësi gjeo-politike, është shndërruar në një lakmi të madhe për dy partitë garuese PDK-dhe LDK-ja, e sidomos kryeministrin Thaçi që është edhe lider i PDK-së, lakmi kjo që e ka shtyrë të bëjë edhe deklarata paushallë që vërtetë kanë trazuar qetësinë dhe normalitetin e jetës së qytetarëve në qytetin e krenarisë kosovare, jo vetëm për lashtësinë e tij dhe për ngjarjet dhe vendimet historike që janë zhvilluar dhe marrë në këtë qytet, por edhe për qetësinë, mënyrën e të jetuarit në paqe e tolerancë pa marrë parasysh diversitetin nacional, kulturor dhe fetar, bukurinë natyrore dhe pastërtinë e ambientit që ka Prizreni.
Deklarata e kryeministrit Thaçi, ditë më parë, se Prizreni është Jerusalemi i PDK-së, nuk është asgjë më shumë se sa një ogurzi për procesin e zgjedhjeve për këtë qytet, dhe krijoi ankth se si do të kalojë ky proces. Identifikimi i Prizrenit me të gjitha ato që e karakterizojnë këtë qytet, e që i cekem pak më lart, me Jerusalemin që përpos që është një vend i shenjtë për një pjesë të krishterëve, është edhe sinonim i dhunës dhe konflikteve të përgjakshme tash e disa dekada ndërmjet palestinezëve dhe hebrenjve, është nonsens.
Kryeministri Thaçi, sikur harroj që me këtë paralelizëm famëkeq, apo me këtë qytet të Lindjes së Mesme Jerusalemin, elita politike serbe e dikurshme dhe kjo e tanishmja, e kanë identifikuar Kosovën si Jerusalem serb, që më dekada të tëra kanë ushqyer ndjenjat shoviniste kundër Kosovës dhe si rezultat patën masakrat dhe dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve, sidomos gjatë periudhës së luftës të viteve 98-99 . A thua kryeministri Thaçi, me deklaratën e tij do të mobilizojë “xhihadistët” që me çfarëdo forme duhet të fitohet Prizreni- Jerusalemi i PDK-së.
Dhe kjo deklaratë nga disa opinonistë u komentua si një nxitje nga dy aspekte të interesave që ka kryeministri Thaçi dhe partia e tij PDK-ja. Aspekti i parë ai politik - me të cilin partia e tij do të ketë shtrirje nacionale dhe forcim i pozicionit të të madhit në raport me partnerin në koalicion LDK-në, si dhe aspekti i dytë ai ekonomik, që lidhet edhe me fillimin e ndërtimit të autostradës Vermicë-Merdar, që do të sillte milionat për kryeministrin dhe partinë e tij, dhe këto të “mira” do të vinë shumë më mirë dhe më komod nëse partia e tij dal fituese.
Por, sikur kryeministrit nuk i ka bërë përshtypje se çfarë do të ndodhë nëse nga lakmia e tepërt qe ka për Prizrenin dhe pushtetin lokal në këtë qytet, gjërat do të mund të marrin kahet e padëshiruara, të ketë dhunë, krisma të kallashëve, ndërprerje të procesit, vjedhje votash, mospranim të rezultateve nga cilado parti, e gjëra të pa hijshme, e atëherë kush do të fitojë, kush do t’i gëzohet asaj të padëshiruarës. Dhe vetvetiu sikur shtrohet pyetja, a me rëndësi është partia apo shteti, edhe pse qeverisja e tij e ka kthyer vendin ne parti- shtet. Apo ndoshta edhe kësaj radhe Prizrenit do t’i takojë të marrë një vendim aq shumë të nevojshëm dhe vendimtar. Fundin e kësaj qeverie të çmendur dhe të këtij kryeministri që hiqet si i mençur.



































