Fletëvotime me dy vula, ndryshim i numrave serikë - PDK tregon pse u ndërpre numërimi në Mitrovicë

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, Jahir Sumiçi, ka ngritur dyshime për parregullsi serioze gjatë procesit të numërimit të votave pas zgjedhjeve lokale.
Në një deklaratë për media, Sumiçi tha se deri më tani janë gjetur rreth 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, duke shtuar se shumica prej tyre i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po përballemi me parregullsi të jashtëzakonshme. Deri më tani janë numëruar gjithsej 35 kuti votimi, ndërsa në 20 prej tyre është vërejtur lëvizje nga një vendvotim në tjetrin. Kjo tregon për një inxhinieri të organizuar, me prova dhe fakte të argumentuara që i kemi hasur gjatë procesit të numërimit,” deklaroi ai.

Sipas tij, përfaqësuesit e PDK-së kanë vendosur ta bojkotojnë procesin e numërimit, pasi, siç thotë ai, “prokurori i rastit ka kërkuar nga ne që të shkelim ligjin”.
“Ne jemi kundër çdo shkeljeje ligjore. Kemi vendosur që bashkë me partnerët e koalicionit ta bojkotojmë procesin,” shtoi Sumiçi, duke akuzuar prokurorin Shpëtim Peci për “arrogancë” në urdhërimin e vazhdimit të numërimit të votave.
Ndërkohë, institucionet përkatëse nuk kanë dhënë ende ndonjë reagim lidhur me këto pretendime.


















































