Nga: Hannah McKennett
Përktheu: Granit Zela
Letra e vetëvrasjes së Virginia Woolf-it dhe vendimi fatal për të hyrë në lumin Ouse me gurë në xhepa, vetëm sa fillojnë të na tregojnë historinë e vdekjes së saj të trishtë. Veprat e shumta të shkrimtares angleze vazhdojnë të ndikojnë në kulturën moderne edhe pas më shumë se një shekulli pasi u shkruan. Ndërsa, romanet e vlerësuara, si “Zonja Dalloway”, dhe esetë e njohura feministe, si “Një dhomë më vete”, mbeten joshëse edhe sot e kësaj dite, ashtu si edhe historia e vetëvrasjes së saj, kur një ditë në fillim të pranverës së vitit 1941 ajo mbushi xhepat me gurë dhe u zhyt në një lumë pranë shtëpisë ku banonte. Por, pas rrëfenjës për vdekjen është historia e paharrueshme e një gruaje e cila luftoi me tragjedinë dhe sëmundjen mendore gjatë pjesës më të madhe të jetës, më së fundi duke iu nënshtruar mendimeve të saj pikëlluese.
Lindur më 25 janar 1882, Virginia Woolf (me emrin Adeline Virginia Stephen) ishte me status të veçantë. Prindërit, sër Leslie Stephen dhe Julia Stephen, ishin personalitete të shquara në komunitetin e tyre në Londër. Të dy ishin shkrimtarë. Leslie punonte si redaktor i “Fjalorit të Biografisë Kombëtare” dhe Julia kishte shkruar një libër për profesionin e saj, infermierinë. Woolfi dhe e motra, Vanesa, u shkolluan në fillim në shtëpi në bibliotekën e madhe të babait. Shumë shpejt, të dyja studiuan në King’s College të Londrës, në departamentin për zonjat me titullin “Ledi”.
Pas diplomimit, Woolfi u përhumb sakaq në botën e letërsisë, duke iu bashkuar një rrethi artistësh dhe intelektualësh të njohur si Grupi “Bloomsbury”. Këtu takoi bashkëshortin e ardhshëm, eseistin Leonard Woolf. Menjëherë pas martesës në vitin 1912, çifti bleu shtypshkronjën “Hogarth Press” dhe botuan veprat e shkrimtarëve, si Sigmund Freud dhe T. S. Eliot.
Woolf filloi të botojë edhe shkrimet e veta, duke filluar me romanin “Udhëtim për matanë” në vitin 1915. Megjithatë, vërtet e famshme u bë me romanin e katërt, “Zonja Dalloway”. I botuar në vitin 1925, ky roman trajtoi tema moderniste, si feminizmi, sëmundja mendore dhe homoseksualiteti.
Woolfi më pas botoi romane të tjera të rëndësishme dhe të njohura, si “Udha për te fari” dhe “Orlando”, si dhe esetë feministë, “Një dhomë më vete” dhe “Tri monedha ari”. Të gjitha këto vepra i sollën suksesin dhe vlerësimin nga kritika si shkrimtare e shquar e ndryshimeve rrënjësore letrare. Por, pas disa përpjekjesh të dështuara për vetëvrasje, ishte më se e qartë se gjendja shëndetësore e Woolfit nuk ishte e mirë.
Virginia Woolfi ka thënë: “Të rritesh do të thotë të humbësh disa iluzione, në mënyrë që të krijosh iluzione të tjera.” Ajo humbi shumë nga iluzionet e saj kur ishte fëmijë për shkak të disa traumave. E para nga këto ndodhi kur vëllezërit nga nëna, me martesën e parë, George dhe Gerald Duckworth, filluan të abuzojnë seksualisht me të. Në esetë personale Woolfi zbuloi se abuzimi filloi që kur ishte gjashtë vjeçe deri në moshën 23-vjeçare kur u largua nga ajo shtëpi për të mos jetuar më me familjen. Ndërsa ky abuzim seksual ka të ngjarë të ketë shkaktuar shumë nga problemet me sëmundjen mendore, vdekja e nënës në vitin 1895 u duk se i forcoi ato. Menjëherë pas kësaj, në moshën 13-vjeçare Woolf-i pati çrregullimet e para mendore.
Gjatë viteve pas vdekjes së nënës ajo pësoi disa trauma me radhë. Motra nga nëna, Stela, ndërroi jetë dy vjet më vonë dhe në vitin 1904 babai i vdiq nga kanceri në stomak. Shumë shpejt pas këtyre humbjeve, Woolfi nisi të kurohej, megjithëse për një kohë të shkurtër.
Edhe pas suksesit në letërsi dhe martesës së lumtur me Leonardin, Woolfi vazhdoi të përballej me depresionin dhe sëmundjen mendore. Bëri disa përpjekje për vetëvrasje dhe vuajti nga halucinacionet, si dhe nga periudha manie. Provoi trajtime të ndryshme psikiatrike, por për shkak se hulumtimi i shëndetit mendor ishte në hapat e parë në atë kohë, ato patën vetëm rezultate negative. Një nga këto trajtime përfshinte edhe heqjen e disa dhëmbëve, një teori e zakonshme mjekësore në vitet 1920 që e shoqëronte sëmundjen mendore me infeksionet dentare.
Në mëngjesin e 28 marsit 1941, Leonard Woolf e dinte se diçka nuk ishte në rregull me bashkëshorten e tij prej 29 vjetësh. Pasi foli me të në studion jashtë shtëpisë në Suseks, e këshilloi të hynte brenda dhe të pushonte. Kjo ishte hera e fundit që Leonardi e pa gruan të gjallë. Pasi Leonardi shkoi në zyrë, Woolfi veshi pallton dhe çizmet me qafë, doli nga porta e përparme dhe u nis drejt lumit Ouse pranë shtëpisë së tyre.
Kur Leonardi u ngjit lart për të kontrolluar disa orë më vonë, gjeti dy letra para vetëvrasjes të lëna nga bashkëshortja. Njëra i drejtohej atij dhe tjetra motrës, Vanesas. Në shënimin e lënë për të shoqin shkruhej: “I shtrenjti im, jam e sigurt se po çmendem përsëri. Ndiej se s’mund ta përballojmë edhe një periudhë tjetër me këtë përvojë të tmerrshme. Kësaj here s’do ta marr dot veten. Filloj të dëgjoj zëra dhe s’mund të përqendrohem. Kështu po bëj atë që duket gjëja më e mirë për të bërë.” Më tej, në letrën e vetëvrasjes lexojmë: “Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës sime e kam pasur falë teje. Ke qenë përherë i durueshëm me mua dhe jashtëzakonisht i mirë. Po e them që ta dinë të gjithë. Po të kishte njeri që do të mund të më kishte shpëtuar, do të ishe ti. Gjithçka është zhdukur brenda meje, por jo siguria e mirësisë sate. S’mendoj se dy njerëz mund ishin më të lumtur sesa ishim ne.”
I tronditur pasi lexoi letrën e vetëvrasjes, Leonardi kontrolloi rreth e rrotull. Shumë shpejt gjeti gjurmët e saj dhe bastunin në bregun e lumit, por uji tashmë ia kishte zhdukur trupin. Do të gjendej tri javë më vonë, pasi ujërat ta nxirrnin në breg të Southease-it, Angli. Kur u njoftua vdekja e Virginia Woolf-it, T. S. Elioti shkroi se ky ishte “fundi i një bote”.
Pas vdekjes, trupi iu dogj dhe hiri u shpërnda nën dy vidha, me emrat “Virginia” dhe “Leonard”, në oborrin e shtëpisë së çiftit. Leonardi kishte vënë aty një gur ku ishin gdhendur rreshtat e fundit nga romani i saj “Dallgët”: “Vërvitem drejt teje, e pamposhtur, e paepur, o Vdekje! Dallgët u përplasën në breg.” La një roman dhe autobiografinë e papërfunduar. Letra e vetëvrasjes do të ishte ajo çfarë shkroi për herë të fundit.
Megjithatë, emri dhe kujtimi i Woolfit vijojnë të jetojnë. Romanet i janë kthyer në romane të dashura klasike, ndërsa esetë në ikonë moderne feministe. Ajo madje u bë e pavdekshme në romanin fitues të çmimit “Pulitzer”, “Orët e Michael Cunninghamit”, me Nicole Kidmanin si aktore në filmin që mbështetet te ky libër. Përpos kësaj, vdekja e Virginia Woolfit frymëzoi një ekip studiuesish për të krijuar një aplikacion i cili parashikon prirjet për vetëvrasje të një personi mbështetur në atë që shkruan. Duke studiuar ditarin e Woolfit, të mbajtur gjatë gjithë jetës, si dhe letrat personale, ekipi shpreson të krijojë një softuer që mund të analizojë tekste, postën elektronike dhe postimet në mediat sociale të pacientëve në rrezik. Kur aplikacioni identifikon një ndryshim negativ në shkrimet e pacientit, menjëherë paralajmëron një kujdestar për të ndërhyrë në kohë.
Në këtë mënyrë, Virginia Woolfi la pas një trashëgimi që është shumë më e madhe se jeta apo vdekja e saj. Diku ka shkruar: “Kur mendon për gjëra si yjet, vogëlimat tona s’duket të kenë edhe aq rëndësi apo jo?” /Gazeta “ExLibris”/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit