LAJMI I FUNDIT:

Po afrohet befasia e dezinformimit të tetorit

Po afrohet befasia e dezinformimit të tetorit

Burimi: The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitet e fundit u shfaqën dy nga gjërat më interesante që kanë ndodhur ndonjëherë në politikën amerikane. Fushata presidenciale e demokratëve, që përfaqësonte partinë në detyrë, fabrikoi provat se kundërshtari republikan dhe presidenti eventualisht i zgjedhur është agjent rus, ndërsa FBI-ja e partisë në pushtet i legjitimoi provat, në sytë e mediave, në mënyrë që ato gjerësisht të raportoheshin dhe të besoheshin nga publiku.


Për t’u siguruar se ishin të besueshme, zyrtarët e lartë të inteligjencës të administratës në largim, shkuan në televizionin kabllor për ta quajtur presidentin e ri spiun rus, ndërsa Vladimir Putinin si epror të tij.

Katër vjet më vonë, kur kandidati i partisë në pushtet e kërkonte rifitimin e Shtëpisë e Bardhë, të njëjtët ish-zyrtarë sajuan një gënjeshtër të re për të mbuluar informacionet e turpshme për familjen e kandidatit. Këta ish-zyrtarë, shumë të lidhur me njëri-tjetrin, kishin pesë ditë për të kontrolluar gjërat përpara se të pretendonin se laptopi i Hunter Bidenit kishte “shenja klasike të operacionit të informacionit rus”. New York Post e përfshiu një faturë që tregonte se FBI-ja për dhjetë muaj i posedonte të dhënat. Historia e saj dokumentoi se si Post-i mori të njëjtat të dhëna. Ngjarjet dhe mesazhet specifike, me datë dhe të verifikuara, nuk u mohuan nga Bidenët etj.

Zyrtarët e inteligjencës Obama, James Clapper dhe John Brennan, si dhe 49 kolegët e tyre, gënjejnë sot kur thonë se nuk kanë gënjyer atëherë.

Këto të vërteta janë pranuar në ato faqe, në disa gazeta të tjera anembanë vendit, në Fox News dhe në disa faqe partiake në internet. Ato mund të mos kenë ndodhur kurrë për sa i përket shumicës së shtypit.

Tomas Edsall, opinionist i matur i New York Times-it, në epokën e Trumpit i ka shkruar 380 artikuj, shumë prej të cilëve me tre mijë fjalë ose më gjatë, që shkonin nga anketat e votuesve dhe citimet e gjata të politologëve që bëjnë psikanaliza për elektoratin amerikan. Askush nuk e ka hulumtuar efektin e këtyre ngjarje dhe as nuk e ka pranuar se ato kanë ndodhur.

Mjeshtrit e politikës demokrate dhe anti-republikane dhe anti-Trump, nga David Axelrod te Mike Murphy dhe Bill Kristol, kalojnë një orë në javë në TV dhe në podkaste ku flasin për politikën, flasin pafundësisht për Donald Trumpin, por i lënë të paanalizuara episodet e marrëveshjeve të fshehta, sikur të mos kishin ndodhur kurrë.

Pas disa viteve, shtypi më në fund pranon se anketuesit i shohin votuesit e Trumpit po aq të shqetësuar për demokracinë sa edhe votuesit e Bidenit. “Të dy burrat, në thelb janë të lidhur me çështjen e mbrojtjes së demokracisë, me 43 përqind të votuesve që preferojnë Bidenin dhe 41 përqind që zgjedhin Trumpin”, thotë NBC.  Nuk është shtruar pyetja përse.

Mund të supozoni një motiv vendimtar – z. Trump do të përfitonte politikisht nëse e vërteta do të pranohej. Nëse raporti nuk ka lidhje me shkakun, nëse pjesëmarrësit në një mijë fokus-grupe nuk gënjejnë, e kundërta është e vërtetë. Pandershmëria e kundërshtarëve të tij mbetet legjitimuesi i madh i z. Trump, që e ndihmon të kalojë prapë 6 janarin dhe rrugën për në Shtëpinë e Bardhë.

Motivi i vërtetë i heshtjes së shtypit është frika dhe turpi për aktet që janë afër tradhtisë.

Disavantazhet e shumta të z. Trump nuk kanë nevojë të numërohen këtu, por, pas nëntë vjetëve, toni i mbulimit është bërë më shumë zhurmë e primatëve sesa koment i arsyetuar. Nëse kjo ndalon, qoftë edhe për një moment, të vërtetat e tjera mund të dalin në dritë. Memet e rreme të fushatës – ai i quajti neo-nazistët njerëz të mirë, e këshilloi pirjen e zbardhuesve – zakonisht e kanë kohën e vet dhe zhduken. Tropët anti-Trump nuk e marrin kurrë një ditë pushimi, duke i trullosur vazhdimisht shikuesit me paudhësinë unike të z. Trump thuajse duan të racionalizojnë sjelljen e armiqve të tij.

Nëse e vërteta e thjeshtë do të pranohej, Hillary Clinton nuk do të hidhej poshtë. Adam Schiff nuk do të shfaqej më në zgjedhje tjera. Nuk po e harroj bashkëpunimin e shtypit, roli normal i të cilit është të interesohet për çështje që, siç e dini, janë interesante. Nëse është e vërtetë që frikacakët vdesin në një mijë vdekje, media jonë do ta falimentonte buxhetin me shpenzimet për të mbetur gjallë.

Z. Trump rezulton të jetë më pak i rrezikshëm për institucionet tona sesa për veten e tyre. Shqetësohuni për një lider të ardhshëm me dhuntitë e Presidentit Obama dhe jo të Donald Trumpit, ndërkohë mbani mend se mashtrimet e marrëveshjeve të fshehta u promovuan nga agjencitë zyrtare të ShBA-së, pikërisht në mënyrën si bën Rusia e z. Putin.

E gjithë kjo ka të ngjarë të ketë rëndësi të madhe këtë vjeshtë. Z. Trump do të tregojë gënjeshtrat dhe përrallat e veta dhe do të bëjë pretendimet fantastike dhe mediat duhet të merren me të.

Ka gjithashtu gjasat të mëdha që në vitin 2024 të shihen gënjeshtrat e prodhuara nga agjentët dhe veteranët e sigurisë kombëtare, si më 2016 dhe 2020. Më pas shtypi do të ketë mundësinë e tretë. Ata reporterë dhe redaktorë që janë ende të aftë të marrin pjesë në biznesin mediatik, duhet të fillojnë të mendojnë që tash se si do ta trajtojnë këtë nëse ndodh përsëri. /Telegrafi/