Në përpjekjet e para për të menaxhuar krizën e fundit publike, makineria e propagandës qeveritare nxori nga sirtari narrativën e saj të preferuar; portretizimin e protestës si një përpjekje e "regresit" që kërkon të bllokojë "progresin". Sipas këtij skenari të konsumuar, ata që ngrenë zërin për mjedisin, ligjin, pronën private dhe transparencën janë thjesht ca nostalgjikë të prapambetur që duan ta lënë Shqipërinë të izoluar, ndërsa ata që vizatojnë projekte 3D janë korifenjtë e modernizimit.

Por, këtë herë, kjo gënjeshtër nuk ngjiti. Nuk ngjiti sepse qytetarët nuk vuajnë nga amnezia kolektive; memoria e shqiptarëve është tejet e freskët dhe e dokumentuar. Vitet e fundit kanë treguar qartë se çfarë fshihet pas eufemizmave të bukur si "resorte ekologjike", "fshatra turistikë të gjelbër" apo "investime strategjike". Faktet e zhveshura tregojnë se këto projekte nuk janë as hapësira publike dhe as motorë të turizmit elitar. Ato janë, në masën më dërrmuese, geto të mbyllura me mure dhe roje private, të mbushura me vila të shtrenjta që blihen kryesisht nga elita e korruptuar e pushtetit dhe trafikantët të cilët e kanë vështirë të blejnë kësilloj pronash në një vend luksi perëndimor. Sikurse është parë tashmë, ato perla të bregdetit janë thjesht parajsa të izoluara private, ku pastrohen paratë e korrupsionit me pothuajse zero ndikim në turizmin e huaj të mirëfilltë që viziton Shqipërinë. Këto resorte nuk sjellin asnjë vlerë të shtuar domethënëse në zinxhirin ekonomik të vendit; ato nuk gjenerojnë punësim real afatgjatë dhe nuk mbështesin ekonominë lokale. Përkundrazi, ato privatizojnë të mirën publike; pjesën më të bukur të bregdetit; dhe ua shesin atë mbrapsht qytetarëve me çmime të paarritshme.


Pavarësisht se paguajnë studio ndërkombëtare për t'u vënë emra ekologjikë, sapo i hiqet filtri i propagandës, lakmia e tyre e ngjeshur zbulon një shëmti të vjetër. Në vend të hapësirës dhe arkitekturës që harmonizohet me natyrën, këto projekte janë aq të ngjeshura mbi njëri-tjetrin sa të kujtojnë kapanonet prej kompensatoje që ka pasur Durrësi dikur për pushimet e punëtorëve në kohën e komunizmit. Ndryshimi i vetëm është se ato të dikurshmet ishin prej tallashi, ndërsa këto të sotmet janë prej betoni e xhami të shtrenjtë. Nëse dëshiron të shohësh të vërtetën pa drita PR-i, mjafton të hapësh Google Maps dhe t'i shikosh këto resorte nga lart. Pamja satelitore nuk gënjen sepse ajo dendësi mbytëse nga lart ngjan frikshëm me varreza gjigante betoni mbi bregdetin shqiptar. Varreza ku është varrosur natyra dhe oportuniteti për të ndërtuar vepra që kanë me të vërtetë efekt tek turizmi me standard ndërkombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kur panë që kjo përrallë e dështuar e "progresit" nuk po gëlltitej më, pushtetarët ricikluan taktikën shekullore despotike; shpikjen e komplotit të armikut të jashtëm. Papritur, na u tha se pas protestave qytetare fshihen interesa të huaja gjeopolitike. Sipas kësaj balade qesharake, Greqia, një fuqi globale turistike me mbi gjashtë mijë ishuj dhe 13 mijë kilometra vijë bregdetare po dridhet nga frika prej konkurrencës së investimeve tona në Zvërnec apo Sazan, dhe prandaj po financon revoltën mjedisore në Shqipëri!

Për ta bërë këtë gënjeshtër më "të besueshme", makineria e propagandës shkoi deri te fabrikimi i fotove me Inteligjencë Artificiale (AI), duke shpërndarë nëpër rrjete kolona imagjinare autobusësh që gjoja po sillnin protestues të ushqyer nga Greqia. Ndryshojnë skenaristët, por skenari mbetet i njëjtë; para 15 vjetësh fabrikoheshin çadra me thika e stilolapsa pistoletë, sot dyndje autobusësh me inteligjencë artificiale, duke dëshmuar se propaganda e këtij vendi riciklon të njëjtat mjete dëshpërimi sa herë që përballet me të vërtetën e qytetarëve.

Por, as kjo lojë digjitale nuk pi ujë. Mjafton të ecësh qoftë edhe dy minuta mes njerëzve në shesh për të parë se kush po proteston realisht: bëhet fjalë për të rinj kozmopolitë, profesionistë urbanë, prindër të rinj me fëmijë në krahë; një masë qytetarësh të lirë që kanë dekada pa marrë pjesë në manifestime partiake, por që sot i ka nxjerrë në rrugë revolta ndaj padrejtësisë.

Nëse do të kishte vërtet diçka në Shqipëri që do t'i bënte konkurrencë reale dhe ballore Greqisë (e cila dominon transportin detar botëror), ky do të ishte zhvillimi strategjik i Korridorit 8 dhe kthimi i porteve tona në nyje të fuqishme tregtare e strategjike për të gjithë rajonin. Ky po që do të ishte një projekt kombëtar që do të ndryshonte ekuilibrat e Ballkanit. Por, çfarë ka bërë kjo qeveri? Pikërisht këto asete strategjike kombëtare, Kryeministri ua ka falur miqve të vet oligarkë për t'i kthyer në marina jahtesh private dhe komplekse vilash luksoze. Pasi shkatërroi portet kryesore ekzistuese tregtare për interesa biznesi privat, ai tani kërkon që portet e reja tregtare t'i ndërtojë nga e para me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në vijim, në dëshpërim e sipër për të mbytur këtë skandal, ditët e fundit po bëhet një përpjekje tjetër banale e që ka të bëj reduktimi i të gjithë kësaj proteste të madhe qytetare në një thirrje "romantike" për mbrojtjen e flamengove, ose akoma më keq, etiketimi i saj si manifestim "antiamerikan". Kjo është një fyerje tjetër për inteligjencën tonë. Flamengot dhe ekosistemi i Zvërnecit janë padyshim pasuri që duhen mbrojtur, por kjo kauzë nuk është thjesht një debat biologjik për faunën dhe florën dhe aq më pak është antiamerikanizëm. Mbrojtja e mjedisit dhe e zonave të mbrojtura nuk është thjesht një detyrim moral apo një garanci për të ardhmen e brezave të rinj, por përbën një kriter strikt në rrugëtimin tonë të integrimit evropian, të cilin kjo qeveri po pretendon se e ka mision jetësor. Po ashtu, të jesh kundër një marrëdhënieje të korruptuar transaksionale, ku paratë e Katarit mbulohen me emra perëndimorë për të blerë imunitet politik për një kryeministër të konsumuar ballkanik, nuk është antiamerikanizëm, por është mbrojtje e shtetit të së drejtës, vlerës më të lartë pikërisht të demokracisë amerikane.

Për t’u çmitizuar përfundimisht përralla qeveritare, mjafton të ndjekim rrugën e parave dhe gjeografinë e këtyre bizneseve të Jared Kushnerit. Për të kuptuar se sa realisht "amerikane" janë këto projekte të Kushnerit, mjafton të shikosh se nga buron kapitali i fondit të tij Affinity Partners. Pjesa dërrmuese e miliardave vjen nga Katari dhe Arabia Saudite. Emri i dhëndrit të presidentit përdoret thjesht si një mburojë diplomatike dhe fasadë PR-i për të mbyllur gojën e opinionit publik, ndërsa burimi i financimit mbetet i njëjti kapitull i errët i fondeve të Gjirit Persik ku vjehrri e ka emëruar si të dërguar special.

Për të parë se sa serioze dhe mbi çfarë parimesh tregu ngrihet kjo marrëdhënie, mjafton të shfletosh hartën se ku ky dhëndër ka zgjedhur të shtrijë shumicën e sipërmarrjeve të tij të fundit: Shqipëri, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Katar, Bahrejni, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Izrael. Shtrohet pyetja pse ky investitor nuk ndërton në vende perëndimore me klimë të konsoliduar biznesi, por zgjedh pikërisht rajonin tonë duke shfrytëzuar paratë e vendeve arabe dhe skemat ballkanike si një formë ryshfeti të maskuar politik për të blerë mburojë diplomatike? Kjo padyshim që nuk është harta e një korporate që kërkon tregje të lira e konkurruese me rregulla perëndimore. Kjo është ekskluzivisht harta e vendeve me probleme të thella të sundimit të ligjit, rajoneve në konflikt, apo autokracive ku vendimet merren në tavolina të mbyllura me një të rënë të lapsit nga liderët lokalë.

Nuk kemi të bëjmë me investim strategjik, por me kapitalizëm transaksional (ku pasuria kombëtare e tri parqeve dhe asetet tona më të çmuara ekologjike përdoren si monedhë shkëmbimi nga Rama për të blerë mbrojtje, ndikim dhe favore politike personale për pushtetin e tij në Uashington. Pra, skema është e qartë; fitimet nga pronat publike strategjike shkojnë në xhepat e miqve të qeverisë dhe "dhëndurëve" të huaj, ndërsa faturat e dëmeve dhe ndërtimeve të reja u lihen si barrë qytetarëve të thjeshtë.

Në fund, por jo nga rëndësia, përtej ndjeshmërisë ambientaliste dhe dhunës së manifestuar, thelbi kryesor i protestës lidhet me standardin e dyfishtë dhe kalbësirën e këtij sistemi. Qytetarët po shohin se nëse je një shqiptar i thjeshtë, që jeton në tokën tënde denbabaden prej shekujsh, shteti të trajton si armik sikurse u pa vjet në këtë kohë në Theth dhe anembanë bregdetit. Po guxove të vësh një tullë pa leje e hapësh një dritare në bujtinën tënde për të mbijetuar, të vjen fadroma në oborr, të vënë prangat e të kalbin në burg. Nga njëra anë, policia përdoret egërsisht për të prishur tarraca të mbyllura apo hapësira biznesesh të vogla për të cilat pronarët paguajnë rregullisht taksa në shtet, ndërsa nga ana tjetër, po kjo polici çohet si repart privat për të mbrojtur me dhunë rrethimin e një projekti të dyshimtë në Zvërnec, i cili ende nuk ka marrë as lejen më minimale të zhvillimit; dhe, për rrjedhojë, çdo rrethim aty është plotësisht i paligjshëm! Por, nëse je vajza dhe dhëndri i presidentit më të fuqishëm në botë, rregullat zhduken e ligjet fshihen. Me një të rënë të lapsit të qeverisë, të falet një ishull, një lagunë dhe një grykëderdhje; një paketë e plotë me tre parqe kombëtare brenda!

Dhe, ky është thelbi i revoltës qytetare. Protesta nuk është mes regresit dhe progresit, as mes patriotëve dhe "agjentëve të huaj". Nga njëra anë e këtij ekuacioni qëndron një masë qytetarësh të lirë, profesionistësh dhe të rinjsh që refuzojnë të dorëzojnë dinjitetin, mjedisin dhe të ardhmen e tyre evropiane. Janë ata që besojnë se pasuritë natyrore, portet, lagunat, ishujt dhe bregdeti janë asete strategjike kombëtare që duhen ruajtur, zhvilluar me kujdes dhe trashëguar te brezat e ardhshëm. Nga ana tjetër qëndron një klasë mujsharësh abuzues që çdo pasuri publike, çdo ishull, lagunë e grykëderdhje e shohin thjesht si monedhë shkëmbimi për të blerë aleanca, favore, ndikim dhe mbijetesë politike.

Ata po përpiqen të mbulojnë këtë grabitje dhe abuzim me tymin e nacionalizmit fals, me "antiamerikanizëm" të shpikur dhe me foto të sajuara me inteligjencë artificiale kanë mbuluar këtë grabitje me patriotizëm plastik, me projekte luksoze të vizatuara në kompjuter dhe me iluzione të prodhuara nga inteligjenca artificiale. Por, asnjë teknologji nuk është aq e avancuar sa të fshijë realitetin. Dhe, realiteti është se pas fasadës së "progresit amerikan" po zhduket një pasuri që nuk mund të rikrijohet më. Prandaj, kauza e sotme nuk është thjesht një betejë për mjedisin apo një debat romantik për shpendët; kjo është një betejë ekzistenciale për dinjitetin, për barazinë para ligjit që na u vodh dhe për të ndaluar që pjesa më unike e bregdetit tonë të kthehet në një tjetër varrezë betoni.