LAJMI I FUNDIT:

Plani franko-gjerman, dalin versione të shumta për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Plani franko-gjerman, dalin versione të shumta për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë të re, ku në tryezën e bisedimeve në Bruksel ka nisur të diskutohet për marrëveshjen finale për normalizim të raporteve mes dy vendeve.

Në kuadër të kësaj së fundmi Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar një propozim nga Franca dhe Gjermania, i njohur si plani franko-gjerman e i cili ka marrë edhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve.


Ky plan i cili ditë më parë mori mbështetjen e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, parasheh normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

E për përmbajtjen e tij, në media së fundmi kanë qarkulluar disa versione autenticiteti i të cilëve nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Media “Euractiv” në nëntor të këtij viti publikoi në gjuhën angleze përmbajtjen e planit franko-gjerman.

Sipas kësaj medie, ky plan përmbante nëntë pika ku në disa prej tyre thuhej se: “Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta. Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE. Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet asaj kohe ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit. Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj”.

Pas “Euractiv”, një tjetër version i planit franko-gjerman u publikua nga Radio Evropa e Lirë.

Në dokumentin që kishte siguruar REL, thuhej se aty përfshiheshin të drejta të barabarta mes Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan Telegrafi.

Në dokumentin e siguruar sipas REL-it, nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Por ky nuk është versioni përfundimtar i planit franko-gjerman për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Një tjetër version, autenticiteti i të cilit gjithashtu nuk është konfirmuar e publikoi gjatë ditës së djeshme “Koha Ditore”.

Sipas këtij mediumi dokumenti për të cilin besohet se është teksti i propozuar për “Marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë”, përmban 10 nene.

Në nenin 1 dhe të 2 të këtij dokumenti që ka publikuar “Koha” thuhet se: “Palët do të zhvillojnë raporte normale, të mira fqinjësore me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta. Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore. Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Versione të ndryshme të planit franko-gjerman kanë vazhduar të qarkullojnë nëpër media.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, më 6 dhjetor të këtij viti në Samitin në Tiranë, bëri të ditur se BE-ja u ka dërguar tekstin e fundit të propozimit franko-gjerman.

“Teksti i fundit u është dërguar dje (5 dhjetor) Beogradit dhe Kosovës dhe tashmë janë ata që duhet të nisin diskutime serioze, sepse është një moment që ka mundësi të madhe”, ka thënë Borrell.

Ai ka shtuar se ky është një moment i rëndësishëm dhe se palët duhet të angazhohen në dialog.

Borrell, ditë më parë gjithashtu tha se propozimi franko-gjerman që së fundi u është dorëzuar dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e ka përkrahjen e fortë të 27 shteteve anëtare të BE-së.

“Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së. Pas incidenteve në verë ne kemi vendosur një propozim për dy liderët, e kemi përditësuar atë javët e fundit, pas marrëveshjes së fundit që e arritëm për targat, e që shpresonim se me të evituam tensionet. Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht, ka thënë Borrell.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.

Në Kosovë thonë se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndërsa në Serbi insistojnë në zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar shumë se çka nënkuptojnë me të.

Më herët, zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se propozimi i BE-së, apo plani franko-gjerman, paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Lajme
Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Lajme
Kalo në kategori