Plagosi me thikë kushëririn pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet 60-vjeçari në Lushnje

Një 60-vjeçar është vënë në pranga këtë të shtunë nga policia, pasi një ditë më parë ka plagosur me thikë kushëririn e tij, shtetasin F. Y., 71 vjeç.
Sipas raportimeve të policisë, i arrestuari është shtetasi I. Y., 60 vjeç, i cili është konfliktuar me kushëririn e tij për motive të dobëta, duke çuar në plagosjen me thikë të 71-vjeçarit. Ndërkohë, mësohet se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin I. Y., 60 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ditën e djeshme, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) kushëririn e tij, shtetasin F. Y., 71 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 71-vjeçari u transportua në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, si dhe sekuestrimi i mjetit prerës (thikë) të përdorur gjatë ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.





































