Pjesëmarrje rekord në Prishtina Trails 2025 - mbi 400 vrapues garuan në tre distancat kryesore

Edicioni i sivjet i Prishtina Trails 2025 përfundoi me sukses të jashtëzakonshëm të dielën në Parkun e Gërmisë, duke regjistruar pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë në historinë e këtij festivali vrapimi.
Më shumë se 700 pjesëmarrës morën pjesë në aktivitetet e dy ditëve, përfshirë garat për fëmijë dhe të rritur, duke e kthyer Gërminë në një pikëtakim të energjisë, sportit dhe bashkësisë qytetare.
Kulmi i festivalit erdhi të dielën, kur 400 vrapues garuan në tre distancat kryesore – Classic 10 km, Edge 23 km dhe Ultra 47 km. Të gjithë pjesëmarrësit u shpërblyen me medalje të veçanta të mbicikluara, të prodhuara nga kapakë plastikë në laboratorin DYVO Lab, me
ndihmën e fëmijëve nga LET Center dhe qytetarëve të tjerë.
Në total, 700 medalje u ndanë gjatë fundjavës, të krijuara nga 21,000 kapakë plastikë – një shembull konkret i ndërthurjes së sportit me kujdesin për mjedisin.
Ngjarja u bë edhe më e veçantë me një moment me shumë domethënie: Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shpalli publikisht mbështetjen për iniciativën “Gërmia pa kerre!” – një nismë që po fiton zemrat e komunitetit sportiv dhe mjedisor të qytetit.
Garat sollën edhe fituesit e tyre të merituar: Në 10km Classic, fituan Gresa Bakraçi dhe Genc Isufi; Në 23 km Edge, triumfuan Qendresa Ramadani dhe Albion Ymeri; Ndërsa në garën më të gjatë, 47 km Ultra, vendin e parë e morën Ibadete Vokrri dhe Erzen Zyberaj, anëtar i klubit Alpin Podguri.
Ndërkohë, njëra nga pjesëmarrëset në garën 23 km Edge ndau përshtypjet e saj: “Ishte hera ime e parë në një garë të tillë dhe me siguri nuk do të jetë e fundit. Më pëlqeu çdo gjë – shtigjet, atmosfera, edhe medalja, që ishte shumë më e veçantë se çdo tjetër që kam marrë!”.
Ndërkohë, organizatorët nga X-Trailers shprehën entuziazmin për nivelin e pjesëmarrjes dhe mbështetjen që mori ngjarja: “Jemi të lumtur që Prishtina Trails jo vetëm që theu rekorde pjesëmarrjeje këtë vit, por gjithashtu bëri jehonë për çështje më të mëdha – si “Gërmia pa kerre!”, mbështetja për kauzën globale të Wings for Life, dhe medaljet tona që vazhdojnë të vlerësohen për origjinalitetin dhe mesazhin e tyre mjedisor.
Një falënderim i veçantë i dedikohet Bankës Raiffeisen, pa mbështetjen e së cilës nuk do të mund të realizonim të gjitha këto aktivitete,” thanë organizatorët. Prishtina Trails falënderon mbështetësit kryesorë: Raiffeisen Bank Kosova, Bike Plus, Onze Recovery, Novus Consulting, dhe nga partnerët tjerë: Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sport Marketing, Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes
Sportive të Kosovës, Rugovë, 2U Healthy Foods, Sigal, LET Center, Gusto Cafe, Olive Medical, Pasta Fasta, Telegrafi, Heimerer Kolegji, Birra Peja, Artizan, Zhuzuf Kitchen, Dolofix, Ice Power, Jack&Jones, Shpresa’s Yoga, të cilët kontribuan në suksesin e një fundjave të paharrueshme për sportin dhe natyrën në zemër të Prishtinës.





















































