LAJMI I FUNDIT:

Pisonero: BE e shqetësuar për ndryshimet në Kodin Penal

Pisonero: BE e shqetësuar për ndryshimet në Kodin Penal

Kritika të forta erdhën nga Komisioni Evropian për përmbajtjen, por edhe mënyrën e miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal. Sipas Komisionit, Maqedonia është e përkushtuar të promovojë sundimin e ligjit dhe të luftojë mosndëshkimin, dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet korruptive duhet të jenë efektive dhe të përshtatshme.

“BE-ja vëren me shqetësim se disa nga ndryshimet e Kodit Penal të miratuara me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe shkaktojnë implikime në zbatimin e parimit të parashkrimit, prekin një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”, thotë Ana Pisonero.


Nga Brukseli, siç shtohet, shprehin keqardhjen që ndryshimet më parë nuk kanë qenë objekt konsultimesh të gjera dhe është përdorur flamuri evropian.

Nga ana tjetër, sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Komisioni Evropian nuk ka deklaruar se është keqpërdorur flamuri evropian, por vetëm se është përdorur.

Duke komentuar kritikat, Kovaçevski shtoi se ndryshimet në Kodin Penal janë për shkak të harmonizimit me legjislacionin evropian. Si shembull ai përmendi përvojat nga Gjermania dhe Sllovenia./Telegrafi/