LAJMI I FUNDIT:

PISA vs PICA

PISA vs PICA

Një temë shumë aktuale, që do të ishte shumë mirë të qëndrojë sa më gjatë aktualiteti i saj, testi PISA.

Tashmë pothuajse të gjithë e dimë që si shoqëri na ka kapluar sindromi i arritjeve të shpejta, dhe jemi të vetmit që mendojmë se shpirti e ka vendin në fyt.


Jo rastësisht PISA vs Pica, dy lloje ushqimesh, njëri për mendjen e tjetri për barkun, natyrisht qe s’duhet ngatërruar sepse dallojnë nga mënyra e gatimit, përgatitjes, përkushtimit, kohës dhe durimit.

Mos të mendojmë që PISA është një ushqim i shpejtë.

Shumë shtete te zhvilluara, në fillimet e vitit 2000 kanë pasur probleme të njëjta që kemi edhe ne sot, pikërisht me rezultatet e testit PISA; disa nga shtetet kanë edhe sot, sepse gjithmonë kërkohet një arritje edhe më e lartë.

E rëndësishme në gjithë këtë është marrja e masave në nivelin e arsimit fillor, dhe atë të mesëm të ulët, sepse kjo kërkohet për testin PISA, sepse aty është baza e zhvillimit, dhe evoluimit edukativo-arsimor.
Jo domosdoshmërisht ne duhet të presim që të rangohemi sa më lart sa i përket arritjeve të këtij testi, sepse kur ne të jemi gati për arritje më të larta, atëherë ky test ndoshta nuk do të ekzistojë fare, por mjafton që ky të jetë një model i dijes për moshat që kërkohet, dhe të bëjmë korrigjime në sistemin tonë arsimor për t’i arritur ato, sepse fundja ky rezultat kërkues internacional është i pakontestueshëm dhe duhet konsideruar si matës i mirë ndaj dijes.

Ne, si shtet, fillimisht duhet të mendojmë për shëndetin e nxënësve, pastaj për zhvillimin arsimor. E dimë shumë mirë që disa shkolla tona nuk i plotësojnë kushtet për t’i pasur dyert e hapura fillimisht si objekte e pastaj si institucione të dijes.

Hapësira, atmosfera jo e punës, disiplina e rendi, ambienti e faktorët tjerë objektivë, ku nxënësit ekspozohen pothuajse pjesën më të madhe te ditës, kanë rëndësi të madhe – rëndësi e cila nuk duhet neglizhuar e as shikuar si luks, sepse ambienti reflekton në dëshirën për të shkuar në shkollë, si dhe në rezultatin e nxënies.

Në sistemin tonë arsimor, ndryshimet duhet të jenë emergjente, edhe pse deri tash është dashur të ketë greva dhe bojkot të procesit mësimor, jo për rritje pagash, po për plotësimin e kushteve të punës nëpër shkolla, si dhe për një ambient dhe rend më dinjitoz (shkollat tona, shumica, s’kanë biblioteka e as salla leximi, as salla sporti, oborre me drurë e lule ).

Ata të cilët punojnë në arsimin e mesëm të ulët dhe atë të lartë, e dinë shumë mirë se çka do të thotë kurrikula “fantazme” – ajo e cila duhet të praktikohet nga mësimdhënësit dhe në të njëjtën kohë është e pamundur në mungesë të mjeteve të konkretizimit, hapësirave që kërkohen dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të fushave. Pse atëherë të ndërrohen planet kur nuk ndërrohen kushtet, kur nuk ndërrohen librat me kohë. Kjo veç sa e vështirëson procesin e mësimdhënies, e komplikon atë.

Ne gjithashtu e dimë shumë mirë që librat shkollor nuk përkojnë me njohuritë dhe kapacitetet e nxënësve, ndërsa te ne libri është instrumenti i vetëm që e prezanton nxënësin me lëndën. E, shumë prej librave nuk janë adekuat për nivelin e tyre, dhe kjo si pasojë e mos konsultimit të përpiluesve me mësimdhënësit e lëndëve për ato nivele (përpiluesit zakonisht janë profesorë, akademikë, që ndoshta s’kanë punuar kurrë në ato nivele të arsimit). Prandaj, shumë prej lëndëve mësimore kthehen në labirinte për fëmijët tanë, si dhe shumë nga temat janë abstrakte për ta.

Në të gjithë problemet i dimë, por si duket na ka ikur zëri, ose s’po na dëgjon njeri, ose-ose…

Njëra ndër kontributet e regresit dhe mos ecjes se këtij niveli të dijes është poezia. Poezia e ka marrë në qafë popullin tonë, gjenerata e gjenerata, e kjo ka të bëjë me sistemin pedagogjik ku të gjithë e dimë që nga poezia të gjitha lëndët e tjera na janë imponuar që të mësohen përmendësh, e kurrë s’e kemi kuptuar qe as poezia nuk mësohet përmendësh. Një poezi duhet mësohet, të përjetohet e të lexohet bukur, por jo doemos duhet mësohet përmendësh. Mbas poezisë, vjen tabela e shumëzimit, dhe kështu logjika tkurret dhe frustrohet, duke mos e lerë as imagjinatën e as asociacionin të rritet e të zhvillohet bashkë me mendimin kritik. Kjo ndodh qysh në vitet e para të shkollës.

Kështu, problemet në sistemin tonë edukativo-arsimor janë zinxhirore, por jo të papërmirësueshme. Nuk dua t’i fajësoj mësimdhënësit asnjëherë për nivelin se ku jemi, sepse edhe nëse ndodh qe disa prej tyre të mos kenë njohuri të bollshme profesionale, një planprogram i mirë, një korrikulë e cila mund te zbatohet lehtë dhe me pak trajnime të metodave te punës, secili mund të përmirësohet. Nëse jo, pse të mos hiqen kontratat e përhershme dhe të bëhet testimi i tyre herë pas here. Sepse është e vërtetë që një diplomë dhe një punë shteti nuk vdesin pa vdekur ne.

Gjithashtu, nuk duhet gjykuar vetëm shkolla sa i përket dijes dhe informacioneve që nxënësit duhet t’i kenë, sepse edhe nëse i marrin nuk është efikase nëse ato nuk i ndeshin dhe nuk i zbatojnë edhe jashtë shkollës. Një ndër indikatorët për përvetësimin e njohurive dhe dijeve është edhe ambienti ku ata e kalojnë pjesën tjetër të ditës, shtëpitë e tyre, si dhe aktivitetet qe ata bëjnë. Dhe, normalisht, ato duhet te jenë të sinkronizuara me gjërat që i mësojnë në shkollë.

Një prej faktorëve është edhe media, modeli më i keq për shoqërinë tonë, ku shumë pak kemi emisione edukative dhe shumë pak na prezantohen figura të cilat mund t’i marrin shembuj fëmijët tanë. Dhe, gati-gati është e pamundur që ndonjë gjë për të cilën ata kanë mësuar në shkollë ta ndeshin diku nëpër ekranet tona.

Ky problem nuk mund të ketë një emër, as një derë ku mund të drejtohesh. Është shumë kompleks dhe gjithëpërfshirës, por të paktën secili nga ne mund të bëj ndryshimin, ndoshta edhe vetëvetëdijesimi që jemi shumë keq mund të na ndihmojë për të mirë. Përndryshe, nëse vazhdojmë kështu se si jemi, do të prodhojmë ose nxënës autodidaktë ose analfabetë dhe shkollat më mirë të mbyllen.