LAJMI I FUNDIT:

Piknik diplomacia

Kështu si shkojnë punët shumë gjëra janë në mjegull, dhe klima e krijuar politike në strukturat politike pozitë e opozitë se Kosova fitoi “betejën” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për çdo ditë po bëhet megahit i emisionit të lajmeve. Nuk u dha asnjë informatë se ç’bëri konkretisht delegacioni “laraman” (gati një autobus) i Republikës së Kosovës në New York, përveçse.., për dallim nga shikuesit në Kosovë ata u ambientuan në përcjelljen e sesionit të asamblesë së përgjithshme nga ulëset e buta. Cili ishte kontributi konkret i tyre dhe sa ishin këta akterë të vendosjes, përveç këmbëngulësisë stoike të qëndrojnë së bashku për të pa për së afërmi punimet e Asamblesë. Për t’u rritur numri i tifozëve u angazhua edhe Behgjet Pacolli. Prishtina pra kishte dërguar në New York pozitën (presidentin, kryeministrin, ministrin e Punëve të Jashtme, zëvendës/ministren, këshilltarë, body guard…etj) dhe opozitën të cilën e kryesonte Behgjet Pacolli, i cili shoqërohej nga miqtë afrikanë. Deri më tash nuk u pa ndonjë efekt diplomatik i njohjeve përveç takimeve miqësore me ambasadorë në hollin e OKB-së. Vlen të përmendet edhe darka e shtruar e Pacollit për miqtë afrikanë si shumë e qëlluar. Dr. Ibrahim Rugova kishte vepruar kështu gjatë viteve të 90-ta, kur në arenën ndërkombëtare nuk kishte njohuri të mjaftueshme për Kosovën, por dosido koktejet e tilla sponzorohen nga shtetet anëtare të OKB-së, prandaj Dr. Rugova i bashkërendiste aktivitetet e tilla së bashku me korin diplomatik të Shqipërisë, atëherë.

Meqenëse deri më tash nuk ka ndonjë zë të qartë të qeverive të cilat u involvuan në harmonizimin e qëndrimeve të BE-së dhe të Serbisë, të modifikimit të tekstit të projektrezolutës e cila më vonë u aprovua, u hedhë në votim si tekst i 27+1, i BE-së dhe Serbisë; mbetet të pranohet konstatimi i evropianëve se rezoluta e 27+1 është neutrale. Projekt rezoluta nuk kishte si qëllim kapitullimin e njërës nga palët, ashtu siç na “bindë” kryeministri, ajo më tepër favorizon pretendimet e Serbisë për inkuadrim sa më të shpejtë në BE. Kjo rezolutë më tepër karakterizohet me arritje të theksuar të Pady Eshdaun që Serbia të shkëputet nga sqetullat e Rusisë dhe të përfitoj nga përqafimi i BE-së. Rezoluta e balancuar “shpëtoi” evropianët nga “kokëdhimbja” që ua krijojë Serbia pas opinionit këshillëdhënës të GJND-së dhe, jo që kishte ndonjë interesim të përkushtuar për Kosovën. Sigurisht që BE-ja vazhdimisht po e mban gjallë ëndrrën e kosovarëve, për pranim të ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës, por situata në terren është pak më ndryshe, Kosova akoma nuk po arrin të sigurojë sovranitetin e plotë territorial të saj.


Kërkesa për hapjen e bisedimeve dhe marrja e hapave arbitrar bisedime me çdo kusht, pa shpjegim të agjendës nga institucionet më të larta kosovare, po largon vëmendjen e tyre nga problemet konkrete të përditshme, papunësia, rritja e krimit të organizuar, vetëvrasjet e pjesëtarëve të UCK-së, si dhe vrasjet e shpeshtuara në pjesën veriore të Kosovës… Është çështje tjetër pse shqiptarët do të kenë pranuar bisedimet pa parakushte, dhe pa konkretizim të qartë të kornizës së bisedimeve dhe pa deklarim të qartë të pranimit të kufijve të jashtëm të Kosovës, ashtu siç i kishte në ish Federatën Jugosllave. Jugosllavia u shpërbë me luftë, dhe nga asnjë nga subjektet ish-federale nuk u kërkua zbatimi i standardeve para statusit apo formula etnike e decentralizimit, meqë decentralizimi do të mbetet kryetemë e bisedimeve shqiptaro-serbe, Ahtisaari plus. Sigurisht që nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet palëve pa ndonjë presion të evropianëve, në këtë rast Kosova do të bëjë koncesione të mëtejme si gjithnjë, si palë më e dobët, ndërsa Serbia nga pozicioni i humbësit të luftës po rikthehet me haraç.

Meqë janë të qarta qëndrimet e politikanëve serb edhe më herët, ata kishin mbështetur ato forca të serbëve në Krajinë (ngjashëm si forcat ekstreme në Mitrovicën e Veriut) që të refuzojnë Planin e Lordit Vance, Planit Cutileiro, Planit Vance-Owen, Planin Owen-Stoltenberg, Planit Z4 etj.., për të cilat Koshtunica atëherë deklaronte se serbet ne Krajinë nuk mund të pranojnë autonominë në disa komuna, apo siç thoshte ai “Tudman counties” – disa Kounti të Tuxhmanit. I njohur si nacionalist i pa përmirësuar, ai pat ndërprerë edhe bisedimet me BE-në, ngase nuk dorëzoi Mlladiqin, por edhe mashtroi evropianët duke u premtuar se Mlladiqi së shpejti do të dorëzohet në Hagë, bile duke lëshuar informacione të rrejshme nga kabineti i tij se ai ishte zënë. Të gjitha këto nuk mund të mbulohen nga pluhuri i harresës, si duket këto plane të dështuara atëherë do të gjejnë konsumatorët e rinj, palën kosovare. Prandaj, Tadiqi dhe qeveria serbe nuk do e ndërrojnë pozicionin nacionalist asnjëherë, ata nuk kanë besë.

Janë shume të paqarta bisedimet që do të përcaktojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës, kur ato në fakt përmes decentralizimit po dobësojnë dukshëm pushtetin qendror dhe funksionalitetin institucional. Kriteret përcaktuese në këtë fazë janë vetëm ato që kanë “stampën” etnike serbe, prandaj edhe kufiri ndarës do të mbetet aty ku ka serb duhet komunë, aty ku ka kishë duhet komunë, e kjo nuk i ngjason aspak formulës multietnike. Ekipi kosovar ka shkelë në dërrasë të kalbur dhe nëse vazhdon kështu vërtet është duke përgatitur terrenin që mitologjia serbe të jetë bazë e zhvillimeve të reja, dhe kështu të plotësohet thirrja e kreut çetnik se në një pjesë të Kosovës po palestinizohet Kosova dhe po krijohet Jerusalemi serb (a nuk ishte kështu si në kohën kur në Beograd u rrahën dy shtetas izraelit duke fyer edhe Auschwitz-in, kampin në Poloni, ku u be krematizimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo tendenca e SPS, që është parti e koalicionit qeverisës në Serbi që pretendonte që Avenynë kryesore në Novi Sad ta emëroj me emrin e Millosheviqit).

Si të binden shqiptarët që kjo në të ardhmen e afërt nuk do të ndodhë, dhe atë përmes procesit të decentralizimit kur pushtetin lokal në disa komuna po e marrin serbët, sigurisht që i njëjti skenar po rikthehet në Kosovë. Nuk u dhanë shpjegimet, detajet, se ç’ndodhi në Mitrovicë kur grupet ekstreme serbe hedhën granata në policinë speciale të EULEX-it, deri sa kosovarët patën humbur dy të rinj në protestat paqësore të Lëvizjes “Vetëvendosja”. Dihet fakti se çdo politikanë serb fiton fuqinë politike në Kosovë, për çdo vjet shfrytëzohet Gazimestani dhe Graçanica për t’u shfryrë mllefi nacionalist mbi shqiptarët, kështu që problemet e thjeshta administrative po fitojnë edhe konotacione kishtare. Dhashtë Zoti të mos jetë kështu.