LAJMI I FUNDIT:

Pezullohet për tre muaj ekzekutimi i dënimit me burgim ndaj Sabit Gecit

Pezullohet për tre muaj ekzekutimi i dënimit me burgim ndaj Sabit Gecit

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burgim, për një periudhe tre mujore për Sabit Gecin, i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.

Një pezullim i tillë, ka ardhur pas kërkesës së mbrojtjes së Gecit, me arsyetimin se i njëjti ka nevojë për trajtim mjekësor adekuat.


Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur avokati mbrojtës i Gecit, Haxhi Millaku, i cili tha se komisioni mjekësor i formuar nga ana e kryetarit të Apelit, ka konstatuar ndër të tjera se i mbrojturi i tij vuan edhe nga sëmundje e rëndë.

Millaku tha se përkundër faktit se kërkesa e tyre për pezullim të dënimit është aprovuar, gjykatat sipas tij, janë vonuar në këtë aspekt, e kjo siç tha ai, mund t’i kushtojë në trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor të mbrojturit të tij, Sabit Geci.

Po ashtu, Millaku tha se kërkesa e tij ishte bërë për pezullim të ekzekutimit për një periudhë prej gjashtë muajsh, mirëpo gjykata ka vendosur që ekzekutimi i dënimit të pezullohet për tre muaj.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që ndaj Gecit pezullohet ekzekutimi i dënimit.

Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në shkurt të vitit 2017, kur ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e kishte pezulluar ekzekutimin e dënimit ndaj Gecit për një periudhe tre mujore.

Po ashtu, edhe ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, në tetor 2015,  ia kishte pezulluar ekzekutimin e dënimit, Sabit Gecit.

Sikurse vendimi i fundit, edhe vendimet e mëhershme të Dhurata Hoxhës dhe Lirak Çelaj, ishin marr mbi bazën se i dënuari Geci ka nevojë për trajtim mjekësor adekuat, shkruan “Betimi për Drejtësi” .

Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, në korrik të 2011, e kishte shpallur fajtor Sabit Gecin për katër pika të aktakuzës për krime lufte kundër popullsisë civile si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, dhe të njëjtin e kishte dënuar me 15 vjet burgim.

Po ashtu, kjo gjykatë kishte shpallur fajtor për krime lufte edhe tre të akuzuar tjerë në këtë rast, përkatësisht, Riza Aliaj ishte dënuar me 12 vjet burgim, Shaban Hoti me 7 vjet burgim dhe Haki Rexhepi me 6 vjet burgim.

Gjykata kishte gjetur prova të mjaftueshme që të mbajturit në kampe në Kukës dhe Cahan, janë rrahur e keqtrajtuar dhe nuk janë ushqyer mirë, nuk u është dhënë ujë dhe nuk ka pasur kushte higjienike për ta.

Trupi gjykues nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme që e ngarkojnë Sabit Gecin për vrasjen e Anton Bisakut.