“Në Shkodër peshqit vijnë vetë në tigan”, ishte një shaka e zezë e përsëritur së fundi nga ata që e vështrojnë këtë situatë. Por shakaja e hidhur nuk ka përfunduar ende, pasi tani zona e nën Shkodrës gjendet në situatën më të vështirë, kur do t’i duhet të përballet me “peshqit e ngordhur”, që janë mbjellë në mijëra hektarë tokë. E në mos qofshin nga ata peshq që i përmendte një televizion në Tiranë para disa ditësh, janë viktimat e përmbytjes, që fatmirësisht nuk janë njerëz, por kafshë. Rreziku i ndonjë epidemie duket pranë, por situata është nën kontroll. Më e madhja kaloi, e parë me sytë e kryeministrit të vendit. Por, nuk ka përfunduar ende historia, pasi tashmë kur barkat e ujit nuk do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm nëpër fshatra, atje duhet të nisë një tjetër “ofensivë”, për të pastruar të gjithë zonën nga mëkatet e së shkuarës sonë të përbashkët, që kësaj here “kurban” qenë lopë dhe pula, e ndonjë gomarë fatkeq që i qëlloi të jetonte në ato anë, ku tokës i thonë dhè, e moçalet ngatërrohen me kodrina.

E njëjtë është situata në Shkodër, por jo vetëm. Kështu përrallash shkruhen gjithandej në këtë vend, megjithëse nuk ka ndonjë Ezopë dorartë. Për fat, këtu e gjithë është një përrallë, që fillimisht e krijon i madhi e më pas, gjer tek vocërraku. Historia përsëritet, sa herë “peshku” nuk mundet ta përballojë më presionin atmosferik. E për pasojë, nis e merr erë, duke qelbur kohën, por jo njerëzit. Ata, njësoj si kasapëve nuk iu bë më përshtypje era e kërmave dhe mizave, që sulen mbi “peshkun”, për të marrë ç’të mundit nga pjesa e tuleve. Do të doja të flisja gjatë për peshkimin dhe peshkun e ardhur në banesën e re në rrethinat e Shkodrës, por nuk është kohë tregimesh. Tani është koha për të shkruar drama, për këtë “peshk” që rri qelbur pranë hundëve tona natë e ditë, e nuk kemi forcë për ta hedhur mënjanë.


Sigurisht, që është kontradiktë nëse do ta luftonim, pasi ne tashmë jemi rritur me të, e për një kohë kaq të gjatë, të paktën prej dy dekadash, era është bërë pjesë e jona. Dashtë Zoti, mos u shndërroftë në parfum indian, se atëherë shpresat do të shuhen. Shpresoj, ashtu sikurse shpresojnë të gjithë njerëzit e tjerë të këtij vendi, që shpesh na e kujtojnë se duhet të quhet atdhe, se një ditë, përfundimisht, përgjithmonë, era e qelbur do të largohet nga “trupi”, e më në fund si në një ditë të re, këta njerëz të mësohen se përveç këtij “parfumi”, ka edhe parfume të tjerë, më të këndshëm dhe më të lehtëmenaxhueshëm.

Ju pandehni, se vërtet përmbytjet në Shkodër, erdhën ashtu rastësisht?! Në po, keni gabuar, demokratë a socialist në qofshi. Peshqit dhe valët erdhën, nga dora jonë, nga të gjithë ne, komunistë apo demokratë të rinj. E në qoftë prej Zotit, siç nxituan disa të pafe ta cilësonin, atëherë sërish fajtor jemi ne. Zoti dhe historia nuk janë kurrë fajtorë, mëkatar janë njerëzit. E përmbytja në Shkodër, ishte pjesë e atij mëkati, që ndryshe nga mëkatet e cilësuara në fe, ne ia bëjmë vetes. Jo për gjë, por na pëlqen të zhvatim edhe atje ku është e pa mundur, e jo më në brigjet e Bunës dhe Drinit, që plot 365 ditët e vitit, gërryhen me plot forcë nga makina gjigante, të shpikura për djall nga teknologjia e kohëve të fundit. E bashkë me shkatërrimin, sjellim edhe shkatërrimin tonë, mëkatin ndaj vetes, që më vonë, hakmerret duke na rrëmuar me plotë forcë babëzinë tonë të pa fre. Më vjen çudi, se si ky mëkat është kaq liberal, mbase është infektuar nga liberalizimi ynë pa ideologji, për të rrënuar gjithçka që gjendet përtej derës.

E këtu, sigurisht të pafetë që ruajnë “peshkun e qelbur”, duhet të falënderojnë Zotit, që nuk patëm viktima. Viktimat do të ishin më të rëndat, por vështirë se do të mund të ishim solidarë, ku opozita me po aq hipokrizi sa edhe pozita, nuk lënë shteg qoftë edhe për të mësuar një të vërtetë më shumë, duke e bërë llomoti situatën, e më tej mendjet e atyre që shohin dhe shpresojnë. Kështu ndodhi edhe në Shkodër, edhe në Lezhë, gjithandej ku ka pak hapësirë toke, që mund ta shfrytëzojmë. Nuk dua të përmend tragjedinë e marsit të vitit 2008, as atë të shembjes së një pallati në Gjirokastër. Të gjitha, që të gjitha erdhën vetëm nga ne, nga papërgjegjshmëria jonë e rrënjosur thellë në shpirtin e mbushur jo me dashuri dhe paqe, por me babëzi, urrejtje, mallkime. Përmbytjet në Shkodër erdhën nga mallkimet tona, nga papërgjegjshmëria, pasi atje ku deri dje mund të ketë qenë kënetë, sot bëhet banesa përdhese gjysmë metër mbi tokë.

Fajtor për këtë është qeveria në radhë të parë, e pardjeshmja, e djeshmja dhe e sotmja, e më tej faji shpërndahet në të gjithë njerëzit e këtij vendi. Kështu është “gatuar” “peshku”, e për pasojë këtë shije duhet të ketë. Të mbjellësh misër, nuk mundet që të korrësh grurë, edhe pse na pëlqen cilësia e tij. Shqiptarëve iu pëlqen kjo gjë, e për këtë jetojnë me ëndrra se një ditë, misri i mbjellë do të korret grurë. Fushat e Shkodrës i bëjnë të dyja këto bimë jetësore, por nuk realizojnë dot dëshira të çmendura njerëzish, që me të gjitha mënyrat përpiqen të sajojnë vepra, që më vonë do të jenë të vlefshme vetëm për histori tregimesh. Të ndërtosh në shtratin e lumit, kjo nuk është më shumë se marrëzi, se ligjet dhe standardet jetojnë vetëm në sirtarë për plotësim pyetësorësh evropianë. U zgjata shumë, e përveç ndjesës nuk mund t’iu lë pa treguar “peshkun e qelbur” atë që e përgatisin kuzhinierët për të rritur shijen dhe mirëqenien tonë.

Në këtë vend, kuzhinierët përveç se të kryposin peshkun, për të mshelur pak varrën që dufmon erën e rëndë, nuk dinë asgjë tjetër. Hilet e gatimit i kanë mësuar tashmë, por thjeshtë ju pëlqen era e rëndë, se me atë rast arrijnë të marrin pjesët e preferuara, ndërkohë që mendjet e trullosura dhe të mrrolura, hutohen për të mos vënë re grabitjen që i bëhet pjesëve më të mira të “peshkut”. Ai është shteti!