Pesë yjet zhgënjyes të Juventusit pas humbjes nga Galasataray

Juventus pësoi një goditje të rëndë në ambiciet për kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, pas humbjes së thellë 5-2 në udhëtim ndaj Galatasaray në ndeshjen e parë të “play-off”-it, të zhvilluar të martën në mbrëmje në Stamboll.
Bardhezinjtë shkuan në pushim me avantazhin 2-1 falë dopietës së Teun Koopmeiners, por pjesa e dytë rezultoi katastrofike për skuadrën italiane.
Vendasit reaguan fuqishëm pas intervalit, duke përmbysur gjithçka me golat e Noa Lang (dy herë), Davinson Sanchez dhe Sacha Boey, ndërsa situata u përkeqësua edhe më shumë për Juven pas daljes me karton të kuq të Juan Cabal në minutën e 67-të.

Tashmë, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, Juventusi do të duhet të fitojë me të paktën tre gola diferencë në ndeshjen e kthimit në “Allianz Stadium”.
Një nga më të kritikuarit pas ndeshjes ishte pikërisht Cabal, i cili u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda 22 minutash nga momenti i aktivizimit si zëvendësues në pushim.
Kolumbiani u fut për të frenuar Baris Yilmaz, por vetëm katër minuta më pas u kap në pozicion të gabuar, duke i hapur rrugën asistit të Yilmaz për golin e barazimit 2-2.
Dhjetë minuta më vonë, ai shkaktoi një goditje dënimi që çoi në golin e Sanchez për 3-2, përpara se të linte skuadrën me një lojtar më pak pas kartonit të dytë të verdhë.
Edhe Lloyd Kelly pati një mbrëmje për t’u harruar, ai ishte në mbulim të Sanchez në momentin e golit të tretë të turqve dhe më pas humbi një top të rrezikshëm pranë zonës së tij pas presionit të Victor Osimhen, duke i dhënë mundësi Lang të realizonte golin e katërt për 4-2.
Nën pritshmëritë mbeti edhe ylli i kombëtares turke, Kenan Yildiz, i cili gaboi në zonën e tij në aksionin që solli golin e parë të vendasve.
Ndërkohë, Khephren Thuram, i rikthyer pas një dëmtimi që e la jashtë në derbin ndaj Interit, nuk ishte në formën optimale.

Mesfushori francez humbi 13 topa, gaboi në 10 pasime dhe fitoi vetëm një nga pesë duelet e zhvilluara.
Ai gjithashtu dha pasimin e gabuar drejt Kellyt në aksionin që përfundoi me golin e dytë personal të Lang.
As portieri Michele Di Gregorio nuk arriti të bindë edhe pse realizoi disa pritje, gardiani italian u duk i pasigurt dhe sipas mediave italiane mund të kishte bërë më shumë në golat e pësuar për 3-2 dhe 5-2.
Humbja në Stamboll e vendos Juventusin përballë një misioni të vështirë në ndeshjen e kthimit, ku do të kërkohet një përmbysje e madhe për të shmangur eliminimin e parakohshëm nga Liga e Kampionëve. /Telegrafi/






















































