Me një investim prej 1.8 milionë eurosh dhe me një sipërfaqe prej 2 mijë e 600 metra katrorë është përurar objekti i ri i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ilir Konushefci” në fshatin Lluga të Podujevës.

Në përurimin e kësaj shkolle ishte edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili tha nga bankat shkollore kanë dalë profesionistë të fushave të ndryshme, duke uruar që nga 287 nxënësit e kësaj shkolle të dalin mjekë, shkencëtarë dhe patriotë të së ardhmes.


“Qeveria jonë ka realizuar investime strategjike në fushën e arsimit dhe të infrastrukturës në Komunën e Podujevës, me vlerën 8.7 milionë euro. Investimi në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ilir Konushefci” ka vlerë prej 1.8 milionë eurosh, në një sipërfaqe prej 2,600 metrash katrorë. Është i kompletuar me të gjitha hapësirat e nevojshme administrative dhe arsimore, përfshirë klasat për mësimet fillore dhe parashkollore, klasat përcjellëse, kabinetet, bibliotekën, sallën e arsimtarëve, hapësirat administrative dhe sistem adekuat të ngrohjes. Përveç infrastrukturës arsimore, investimi përfshin sallën e edukatës fizike, terrenin e jashtëm sportiv dhe hapësirat e gjelbra”, tha ai, raporton KosovaPress.

Kurti në përurimin e objektit të ri të shkollës “Ilir Konushefci” përmendi edhe disa projekte të tjera në Podujevë ku ndër ta ishte Qendra e Kompetemcës, tri çerdhe, një në qytet, një në Gllamnik dhe një në Batllavë si dhe sallën e sportit të Shkollës Fillore “Shaban Shala” duke garantuar kushte bashkëkohore për fëmijët e Llapit.

Në ceremoninë e përurimit ka folur edhe vëllai i heroit Ilir Konushefci, Arton Konushefci, i cili ka thënë se emri i të vëllait në hyrje të shkollës përfaqëson një lidhje mes së kaluarës dhe së ardhmes.

Ai u është drejtuar nxënësve duke theksuar se koha e tyre duhet të jetë e përkushtuar ndaj dijes dhe arsimit.

“Në hyrjen e kësaj shkolle është vendosur një emër që vjen nga një kohë tjetër dhe ajo kohë e rëndë e Kosovës, emri i Ilir Konushefcit. E unë flas si vëllai i tij dhe e kam një çast të çuditshëm me jetën e një njeriu, vëllain që e kemi pasur në shtëpi, në tryezë, në ditët e zakonshme të jetës, pa pritur bëhet pjesë e një kujtese të një populli.,, Ju, fëmijë të dashur, i përkisni një kohe tjetër. Koha juaj duhet të jetë kohë e librave, e dijes dhe pyetjeve që hapin horizontin. Dhe megjithatë, mes kohës së tyre dhe kohës së tyre nuk ka një ndarje, ka një vazhdimësi. Ajo që dje u mbrojt me sakrificë, sot ndërtohet me dije. Prandaj kjo shkollë ka një domethënie më të madhe se muret e saj”, tha ai.

Në fund, ai ka uruar që nga shkolla e re në Llugë të dalin breza që do ta duan dijen, vendin dhe njëri-tjetrin. /KP/