Përurimi i rrjetit të ri të ujësjellësit, përfitojnë disa fshatra të Fushë Kosovës

Sot (7 tetor), me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u bë përurimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në fshatrat Lismir, Bardh i Madh, Grabovc dhe Sllatinë, projekt që do të përfitojë mbi 10,000 banorë të zonës.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, udhëheqësi për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza, si dhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe një numër i madh banorësh, përcjell Telegrafi.
Konsumatorët e këtyre fshatrave do të furnizohen me ujë nga liqeni i Ujmanit përmes ITU Shkabaj. Aktualisht, furnizimi me ujë të pijshëm është siguruar për fshatrat Bardh i Madh, Lismir dhe Grabovc, ndërsa shumë shpejt do të përfshihen edhe Bardhi i Vogël dhe Pomozoti.
Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Ambientit dhe Mjedisit, përmes fondeve të investuara në ndërtimin e sistemit të pompave dhe rezervuarit në Lismir, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë për banorët e zonës.
KRU “Prishtina” ka theksuar përkushtimin e saj për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe partnerët donatorë. /Telegrafi/

















































