Perspektiva evropiane, Kosova dhe rajoni
Kosova ka lënë prapa njëvetorin e pavarësisë saj nga Serbia, një triumf për shqiptarët, të cilët mbase kurrë se kishin menduar se Kosovës do t´i duhej një rrugëtim një shekullor kaq i gjatë drejt mëvetësisë, e cila erdhi edhe si rezultat i impenjimit euro-amerikan. Natyrisht, shteti i ri i monitoruar nuk mund të qëndrojë në këmbë pa ndihmën ndërkombëtare, që tani është e kornizuar me prezencën ushtarake të NATO-s dhe të misionit evropian, EULEX dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare. Por, me gjithë këtë prezencë të theksuar ndërkombëtare, Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se është në një pozicion të volitshëm sa i përket integrimit në BE-së, edhe pse në retorikën politike vendore krijohet përshtypja se ne jemi tejet afër. Për më tepër, ata që merren në mënyrë të themeltë me çështjet e integrimeve evropiane e dinë se duhen përgatitje serioze për pranim dhe vetë pranimi kërkon një standard të lartë të politikbërjes, funksionalitetit dhe kapacitete institucionale sipas parametrave evropian.
Në këtë rrugë, po kështu, BE-ja do të duhej të bënte më shumë për ta ndihmuar Kosovën, në radhë të parë që të lirohet nga barra e politikës agresive serbe, e cila provon ta mbajë Kosovën në një status quo fragjile me qëllim që më lehtë ta ketë ndërhyrjen e saj në vendbanimet me popullatë serbe, pra me qëllim që ta sjellë në kufi funksionalitetin e Kosovës, si dhe që Kosova të ketë bonuse të veçanta për shkak të viteve të humbura gjatë okupimit serb dhe luftës së fundit, e cila shkatërroi edhe ato pak kapacitete prodhuese që kishte ajo. BE nuk mund ta mbështesë një politikë zyrtare në Beograd, e cila edhe pse konsiderohet liberal-demokratike, e që në raport me Kosovën ka mbetur pothuaj e njëjtë me politikat e së kaluarës, ka mbetur në gjurmët e politikës së shkuar, por vetëm ka ndërruar mjetet dhe është e vetëdijshme se kapërcimi i linjës ekstreme do të thoshte izolim total si në kohën e sundimit të diktatorit Milosheviq. Megjithatë, Serbia, e cila ende nuk e ka marrë vetën nga dështimi i idesë së Serbisë së Madhe, pa u trembur për pasojat, se mund të ndëshkohet nga qendrat ndërkombëtare të vendosjes, deklaron se Kosova është ende pjesë e Serbisë. Jo shumë larg, duhet të ndodhin dy gjëra esenciale në këtë raport: ose Serbia do ta ndryshojë kursin e sja politik në raport me Kosovën dhe do ta njoh si shtet, nëse donë të bëhet pjesë e procese evroantlanike; ose BE, ShBA duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre në raport Serbinë, së cilët nuk do t´i mbetej rrugë tjetër, pos gjetja e prehjes në kraharorin rus, që serbëve nuk do t´u sillte ndonjë satisfakion në ndonjë fushë, pos mbase në fushën religjioze.
Por deri më tani gjërat nuk kanë ecuar në mënyrë krejt “higjenike” në rrafshin diplomatik. Refuzimi i Rusisë, si dhe shumë vendeve të tjera, duke përfshirë pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që të njohin pavarësinë e Kosovës, ka kontribuar për paqartësinë lidhur me statusin e Kosovës, në të vërtetë e ka ngadalësuar procesin e anëtarësimit të Kosovë në mekanizmat ndërkombëtar, dhe ka dëshmuar se BE, me gjithë praninë e shtuar passtatusore (misioni EULEX), duhet bërë akoma shumë për zhvillimin e një politike të jashtme koherente. Në këtë konteskt, konflikti nuk është i kufizuar në sferën diplomatike; vitin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara njohën zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, të shpërthimit të trazirave në Beograd, kryeqytetin, në Kosovë janë ende të theksuara tensionet etnike midis shqiptarëve dhe serbëve , të cilët vazhdojnë të jenë peng i politikës së Beogradit.
Edhe pse që prej përfundimit të luftës së Kosovës janë përmirësuar në mënyrë të padiskutueshme raporte midis vendeve të Evropës Juglindore. Madje, kur Kosova ka bërë një ecje jo më shumë se një vjet që prej shpalljes së pavarësisë, e cila përfundimisht groposi pjesën e fundit të mbetur të krijesës së Versajës, të një shteti që asnjëherë nuk arriti të zgjidhte antagonizmat etnike, aq më pak me shqiptarët, që ishin populli jo sllav që u “integruan “ në krijesën e sllavëve të jugut. Por është e qartë se stabilizimi afatgjatë i këtij rajoni, ku me shekuj u përthyen interesa dhe u zhvilluan luftëra midis perandorive dhe shteteve të mëdha, mund të arrihet vetëm anëtarësimit në BE. Ky anëtarësim, i cili nuk ka se si të ndodhë veç se në formë pakete, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, do të duhej të pranoheshin kolektivisht në valën e fundit të zgjerimit të BE-së. Gjithashtu, kjo është e vetmja mënyrë për të normalizohen marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje në këtë rajon, Kosovës dhe Serbisë. BE-ja duke marrë qëndrim të qartë në favor të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë, më në fund, do të mund të bënte shumë për shërimin më të shpejtë të plagëve të luftës dhe për ballafaqimin e popujve të Ballkanit me të kaluarën e tyre, që për shekuj me radhë ka qenë një histori e konflikteve etnike dhe politike.
Veç kësaj, Serbisë i është bërë e pamundur çfarëdo hyrje në BE, për shkakun se ajo ka dështuar për përmbushjen e kërkesat të BE-së për arrestimin e të Ratko Mlladiç, një ish-gjeneral serb i Bosnjës i cili është akuzuar për kryerjen e masakrës në Srebrenicë gjatë vitit 1992. BE e ka bërë të qartë se kapja e Mladiçit do të jetë një nga kushtet e Serbisë për anëtarësim. Kosova, edhe pse nuk thuhet zëshëm dhe publikisht, gjithsesi do të jetë testi i radhës të cilin Serbia duhet ta kalojë.
Në anën tjetër, Kosova, e cila ka si synim të hyjë në BE, pos që përdor euron si monedhën të veten, është tepër larg dhe jo e gatshme në aspektin e infrastrukturës ekonomike, ekzekutive dhe juridike për t'u bashkuar. Për më tepër, ajo është ende e varur nga forcat e sigurisë të NATO-s, dhe ekonominë e ka të shtrirë në “shtratin e vdekjes” dhe së paku 40 për qind e popullatës është e papunë, varësi të madhe nga paratë që vijnë nga diaspora. Mbetet të shihet çfarë do të jetë roli i EULEX-it, do të jetë një vazhdimësi e UNMIK-ut, apo vërtetë do të kontribuojë kornizimin e një infrastrukture gjyqësore dhe policore si dhe në fusha të tjera sipas standarde evropiane. Në këtë drejtim, Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) synon të ndërtojë standarde më të ashpra në Kosovë, me qëllim të luftimit te korrupsionit. Pra, tani pas shpalljes se pavarësisë, Kosova në vend të nevojës së stabilitetit politik, ka nevojë për prioritetet tjera, të cilat më herët ishin lënë anash, krijimin e standardeve më të larta qeverisëse, në rend të parë luftimin e korrupsionit si një problem serioz. “Lidhjet kriminale po depërtojnë madje edhe në partitë politike dhe strukturat e pushtetit. Por nëse dëshirojmë ta afrojmë Kosovën më afër BE-së, në duhet të pastrojmë këto gjera,” thotë një diplomat ndërkombëtar për “Financial Time”.
Integrimi i Ballkanit Perenderimor ne BE
Duke pasur parasysh se dy shtetet e vogla të Evropës Juglindore, Kosova dhe Serbia, janë pjesë e agjendës së Brukselit për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, atëherë përgjegjësia më e madhe për stabilitetin e këtij rajoni i mbetet BE-së. Strategjia e BE-së nuk duhet të jetë dalëse por hyrëse, ose thënë më saktë, EULEX duhet të jetë një predispozitë e fuqishme për integrim më të shpejtë në BE. Në këtë kontekst, edhe pse hyrja në BE nuk do të jetë në një të ardhme të afërt, ashtu siç thuhet nëpër mitingje politike, Brukseli duhet ta bëjë të qartë në Prishtinë se anëtarësimi është një mundësi reale, por, natyrisht, se kjo do të varet nga shkalla e plotësimit të kërkesave të Brukselit, respektivisht kur ajo do të jetë fit për BE.
Një pozicion i tillë do të ketë implikime të mëdha pozitive për stabilitetin rajonal: Serbia do të shkurajohet më tej për t´i bërë obstruksion të vazhdueshëm Kosovës, pasi një veprim i tillë do të kishte pasoja për ofertën e anëtarësimit e saj në BE.
Në të kundërtën, qasja për të inkorporuar të ish-shtetet e Jugosllavisë në BE-së do të kishte pasoja dhe çështja e stabilitetit do të bëhej një temë që nuk do të përfundojë kurrë dhe për këtë kemi si argument zhvillimet e fundit në këto hapësira.
Kroacia, e cila pas periudhës së Tuxhmanit ka shënuar progres të shpejtë, tani është bllokuar në procesin e pranimit për shkak të një mosmarrëveshje për çështjet të kufirit me fqinjin e saj, Slloveninë. Mali i Zi, një tjetër shtet që aktualisht është duke u përpjekur për të aplikuar për anëtarësim në BE, do të mund të bllokohej nga Kroacia apo Serbia. Në anën tjetër, Maqedonia, edhe pse ka abuzuar jo rrallë lojalitetin e shqiptarëve vendor dhe të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Shqipërisë, mbetet edhe më e dobët sesa se vendet tjera të rajonit, në rend të parë ajo nuk mund të shkojë përpara për shkak të konfliktit që ka me Greqinë, e cila argumenton me të drejtë se emri i Maqedonisë përkon me krahinën greke me të njëjtin emër dhe se Maqedonia nuk mund të bëjë përvetësimin e trashëgimisë e të kaluarës së Maqedonisë antike.
Kjo situatë e turbullt, e cila ndodhet në portat e BE-së, vazhdojë të jetë pengesë e madhe,në retorikë dhe praktikë, për BE-në për të demonstruar rolin e saj si një faktor me një politikë të jashtme koherente, e cila është predispozitë kyçe që BE të demonstrojë rolin e një aktori global. Pra, nëse BE i kryen me sukses detyrat e Ballkanit, për çka ShBA definitivisht nuk do të ishte e detyruar të merrej si para, gjatë dhe pas luftërave, BE-ja jo vetëm se do të argumentonte se ka rritur kapacitetin e saj paçebërës, por se ajo ndodhet në rrugë të mirë për të demonstruar rolin e saj si aktor global. Kjo gjithsesi nënkupton, që BE-ja
duhet të tregojë se vetë mund të formësojë politikën e saj të jashtme në raport me shtete e Evropës Juglindore, në rend të parë ndaj Kosovës dhe Serbisë, nëkohësisht duke u treguar atyre se anëtarësimi në BE nënkupton paraprakisht mbylljen e çdo kontesti fqinjësor. Kjo është e vetmja mënyrë për të sjellë stabilitet përhershëm në Evropën Juglindore, por gjithsesi kjo do të duhej të shoqërohej me një proces të modernizimi të shoqërive të këtij rajoni, i cili vazhdon të jetë akoma pjesë e stereotipeve të shekullit 19. Kjo do të sjellë cilësi të re në luftimin e “kaosit ballkanik” dhe do të hap do ta bëjë realitet ëndrrën e kahershme üër unitet evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Në të kundërt, kjo ëndërr do të venitej.
(Autori është bursist në Universitetin e Vjenës)



































