Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen e Spitalit në Prishtinë, konkretisht në rrugën “Malush Kosova”.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 20:30, një person i dyshuar për vrasje të rëndë ka rënë nga lartësia e një ndërtese gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar arrestimit. I njëjti kishte urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar.


“Bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, i dyshuari, në përpjekje për t'iu shmangur arrestimit policor, ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore. Të njëjtit menjëherë i është ofruar ndihma mjekësore dhe më pas është transferuar në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas incidentit, forca të shumta policore janë vendosur në hyrje të Klinikës Emergjente të QKUK-së, ku është dërguar i lënduari.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, ka konfirmuar për mediat se personi i lënduar është duke u trajtuar në Qendrën Emergjente.

“Po, ndodhet në Qendrën e Emergjencës dhe është duke u trajtuar. Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme. Gjendja është jo stabile, bëhet fjalë për një politraumë të rëndë”, tha Syla.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të këtij rasti. /Telegrafi/