LAJMI I FUNDIT:

Përplasjet ndërpartiake zvarrisin themelimin e Komisionit hetimor për deportimin e turqve

Përplasjet ndërpartiake zvarrisin themelimin e Komisionit hetimor për deportimin e turqve

Formimi i Komisionit hetimor për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova, i cili ka dalë si rekomandim i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 17 prill, ende nuk ka ndodhur.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës po shkëmbejnë akuza ndaj njëra-tjetrës, për zvarritjen e formimit të këtij komisioni.

Komisioni hetimor, i cili është propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ka marrë mbështetjen e partive parlamentare, parashihet që të hetojë dhe ndriçojë rrethanat dhe procedurat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, më 29 mars të këtij viti.


Driton Selmanaj, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo opozitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se veprimet e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë ndikuar në zvarritjen e formimit të Komisionit hetimor.

“Ata po futen në labirintet procedurale, duke thënë në fillim që ‘nëse i votoni pikat tjera, ne e votojmë këtë’, e kështu me radhë. Do të thotë, shihet një frikë nga e vërteta dhe tendencë për ta parandaluar themelimin e këtij komisioni. Partitë tjera i kanë dërguar emrat se kush do të jenë anëtarë të këtij Komisioni, përveç PDK-së”, tha Selmanaj.

Por, Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo në pushtet, duke folur për Radion Evropa e Lirë, hedh poshtë pretendimet se subjekti të cilit ai i përket, po e zvarritë formimin e Komisionit hetimor. Siç thotë ai, vet Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse e ka propozuar formimin e këtij komisioni dhe ka marrë mbështetjen e grupeve parlamentare, e ka heqë atë nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës.

“PDK-ja i ka dërguar emrat e përfaqësuesve të vet për Komisionin hetimor qysh në momentin kur është votuar rekomandimi i seancës. Komisioni ka qenë në radhë që të votohet në seancë. Por, për shkak të disa mosmarrëveshjeve që ne i kishim edhe për pikat tjera të rendit të ditës, si reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka tërhequr fare nga rendi i ditës dhe nga votimi, duke propozuar që ta bëjmë me një formë tjetër, e cila realisht nuk ndryshon shumë, vetëm se duhet edhe një herë prej fillimit”, tha Krasniqi.

Se Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i qaset edhe një herë formimit të Komisionit hetimor, e konfirmon edhe deputeti Selmanaj.

“Në bazë të ligjit për hetime parlamentare, nëse 40 nënshkrime (të deputetëve) mblidhen për të themeluar një komision hetimor, atëherë Kuvendi detyrimisht e themelon atë komision. Tash, ne i kemi mbledhur 40 nënshkrime, i kemi proceduar në Kuvend dhe tash presim që të jetë shumë shpejt në seancën e radhës dhe Kuvendi ta themelojë komisionin”, theksoi Selmanaj.

Në anën tjetër, deputeti Krasniqi thotë se Patia Demokratike e Kosovës është e gatshme që të jetë pjesë e Komisionit hetimor dhe e quan të panevojshme vonesën e formimit të saj.

“Ne i kemi dy përfaqësues, të cilët prapë mund t’i riemërojmë në rast se LDK-ja dëshiron vërtetë që ta bëjë përmes një forme tjetër, në pajtim me rregulloren, këtë komision. Por, e vërteta është që ky komision, sipas rregullores, duhet të përsëritet dhe të sillet në seancë. Është pak e pakuptimtë se pse e kanë tërhequr prej seancës Komisionin, i cili pastaj prapë do të kthehet në seancë. Është vetëm një vonesë e panevojshme”, tha Krasniqi.

Deportimit i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ishte një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Pesë prej shtetasve turq të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fetullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur me rastin.

Kryeministri Haradinaj pati liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Në trend Lajme

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së

Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së

Drejtësi
Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori