Përpjekja për paqe në Gazë mund të nxjerrë mësime nga Kosova

Nga: Marc Champion / Bloomberg
Përkthimi: Telegrafi.com
Pse marrëveshja 20-pikëshe për paqe, të cilën presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e ndërmjetësoi për Gazën vetëm dhjetë ditë më parë, duket se tashmë po has në vështirësi?
Në vend që të përgatiten për t’u çarmatosur dhe të tërhiqen nga politika, militantët e Hamasit kanë dalë nga strehimoret e veta për të ekzekutuar rivalët palestinezë dhe për të rikthyer kontrollin në zonat nga të cilat forcat izraelite janë tërhequr. Izraeli thotë se grupi terrorist po u zë pritë trupave të tij, ndërsa Hamasi pohon se Forcat Mbrojtëse të Izraelit [IDF] vazhdojnë të bombardojnë Gazën nga ajri. Të dy akuzat duken të sakta, ndërkohë që IDF-ja po ashtu po refuzon të rihapë pikëkalimin Rafah ndërmjet Gazës dhe Egjiptit, siç kërkohet.
Shkaku i thjeshtë i tollovisë kaq të shpejtë është se as Hamasi dhe as qeveria izraelite nuk ishin të kënaqur me marrëveshjen për të cilën u detyruan të nënshkruanin nga Trump dhe liderë të rajonit. Por, duke qenë se të dyja palët që në fillim deklaruan se nuk kishin ndërmend të zbatonin aspektet kyçe të marrëveshjes, pyetja “Pse po sillen keq?” ndoshta është pyetja e gabuar. Pyetja më e mirë do të ishte: “Si ka mundësi që po e bëjnë këtë pa pasoja?”
Një mënyrë e mirë për të gjetur përgjigjen do të ishte të shikohet modeli më i mirë i mundshëm për krijimin e një force paqeruajtëse për Gazën: Forca e Kosovës, e njohur si KFOR, e cila u formua në vitin 1999 dhe vazhdon të veprojë edhe sot.
Nuk është rastësi që strukturat e parashikuara, për ditën pasuese në planin 20-pikësh të Trumpit, bazoheshin në një propozim nga ish-kryeministri britanik, Tony Blair. Në disa aspekte, ato ngjajnë me ato që ai ndihmoi të ndërtonte për Kosovën e cila në vitin 1999 ishte një krahinë me shumicë myslimane brenda Serbisë kryesisht ortodokse.
Blair luajti një rol kyç në atë qershor në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të penguar Ushtrinë Kombëtare Jugosllave (JNA) të Serbisë që të realizonte spastrim etnik në Kosovë. Një fushatë dhune dhe terrori nga JNA-ja, që përfshinte masakra ndaj civilëve, kishte detyruar qindra-mijëra kosovarë myslimanë të largoheshin nga vendi. Më me rëndësi për rastin e Gazës është ajo që pasoi pas fushatës 78-ditore të bombardimeve, e cila më në fund e bindi presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të tërhiqte trupat e veta: vendosja e KFOR-it, së bashku me një administratë të përkohshme civile të drejtuar nga Kombet e Bashkuara.
Në mënyrë të rëndësishme, KFOR-i pati një jetë paraprake si “forcë e zbatimit të paqes” e NATO-s, e cila filloi të vendosej në Maqedoninë fqinje sapo nisi fushata ajrore në Kosovë, në mars 1999. Qëllimi ishte të kishin paqeruajtës të gatshëm për të kaluar kufirin sapo të arrihej një marrëveshje armëpushimi. Por, ndërsa fushata ajrore zgjatej pa ndonjë efekt të dukshëm, Blair u bë gjithashtu avokati kryesor (përballë presidentit më hezitues amerikan, Bill Clinton) për vendosjen e trupave tokësore të NATO-s - jo si paqeruajtës, por si krijues të paqes. Forca në Maqedoni u përgatit për luftime.
Tanket e NATO-s nuk patën nevojë të luftonin për të hyrë në Kosovë. Por, përgatitja e një force që nisi disa muaj para se të arrihej marrëveshja, nënkuptonte që ajo ishte e gatshme. Më 12 qershor 1999 - dy ditë pasi NATO pezulloi bombardimet dhe OKB-ja miratoi një rezolutë për të autorizuar një forcë paqeruajtëse për Kosovën, jo nën OKB - trupat nga forca e sapoemëruar KFOR e kaluan kufirin. Ushtarët e parë në terren ishin forca speciale, krejt ndryshe me Helmetat e Kaltra të OKB-së.
Natyrisht, asnjë konflikt nuk është i njëjtë me një tjetër. Nuk po sugjeroj barazi midis Millosheviqit dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, IDF-së dhe JNA-së, apo Hamasit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Megjithatë, ka shumë ngjashmëri midis kushteve me të cilat u përball KFOR-i atëherë dhe misionit që po diskutohet tani për Gazën.
Le të fillojmë me përmasën dhe natyrën e problemit. Në të dyja rastet, bëhet fjalë për vende relativisht të vogla dhe me popullsi të vogla (dy milionë për Gazën, 1.6 milionë për Kosovën), ku një konflikt me histori të gjatë dhe rrënjë të thella etno-fetare ka dhënë shkas për akuza për spastrim etnik, apo edhe më keq. Në të dy rastet, ishte e qartë se paqja do të ishte e paqëndrueshme. Në Kosovë, ashtu si në Gazë, ishte e dukshme se forca dominuese do të përpiqej të rikthehej për të pushtuar territorin nëse do të kishte mundësi dhe se kryengritësit, që pritej të çarmatoseshin, do ta bënin këtë vetëm nëse do të detyroheshin.
Edhe pse 17 mijë luftëtarët e armatosur të UÇK-së e shihnin NATO-n si aleate të tyre, ata ishin hezitues për të dorëzuar armët. Armët vazhdonin të mblidheshin edhe pasi afati për çarmatim kishte kaluar. Pretendimet zyrtare të KFOR-it për përparim në program u kundërshtuan ashpër nga Serbia dhe Rusia. Ndodhën vrasjet hakmarrëse ndaj serbëve etnikë të perceptuar si bashkëpunëtorë. Por, nuk është e nevojshme të mohosh këto pengesa për të pranuar se rezultati do të kishte qenë shumë më i keq nëse 50 mijë trupa të KFOR-it nuk do të kishin filluar të mbushnin vakumin e sigurisë të lënë pas nga trupat serbe - madje edhe teksa këta tërhiqeshin.
Kjo është përgjigjja më e mirë se pse marrëveshja e Trumpit për Gazën duket se ka hasur kaq shpejt në vështirësi: elementi i saj paqeruajtës mbetet ende në letër në Kajro. Ai nuk ishte përgatitur gjatë fazës paraprake të marrëveshjes, sepse Trumpi humbi muaj të tërë duke luajtur me propozimet për ta kthyer Gazën në një Atlantik Siti mesdhetar, të boshatisur nga palestinezët - një ide që ishte si një ëndërr për ekstremistët izraelitë dhe e papranueshme për liderët arabë. Ndryshimi drejt një politike më të vendosur për të ushtruar presion mbi të dyja palët, që të ndalonin gjakderdhjen, ndodhi vetëm në shtator pasi Netanyahu e turpëroi presidentin amerikan duke bombarduar Katarin.
KFOR-i ishte larg të qenit perfekt. Këtë e dëshmon fakti që vazhdon të jetë i nevojshëm edhe një çerek shekulli më vonë, ndonëse në numër shumë më të vogël. Por, gjithashtu mbetet një nga operacionet më të suksesshme paqeruajtëse të regjistruara ndonjëherë dhe një model i dobishëm për çfarëdo force që do të krijohet për Gazën. Edhe ajo duket se do të marrë formën e një force paqeruajtëse të autorizuar nga OKB-ja, por jo të drejtuar prej saj. Thuhet se do të udhëhiqet nga Egjipti dhe do të përfshijë trupa - ndër vende të tjera myslimane - nga Azerbajxhani dhe Indonezia. Kjo përmbush një mësim të nxjerrë nga KFOR-i: përbërja duhet të përfshijë vende që janë të besueshme për popullsinë që do të kontrollohet. Një tjetër mësim është se forca duhet të jetë mjaftueshëm e madhe dhe e armatosur mirë për të pasur sukses, me një mandat të qartë dhe me rregulla të forta angazhimi.
Stili i Trumpit për të bërë marrëveshje nuk përshtatet me nivelin e përgatitjes që i mundësoi KFOR-it të mbushte menjëherë vakumin e sigurisë në Kosovë - sapo ai u krijua. Pra, ajo mundësi tashmë ka kaluar. Kjo nuk do të thotë se armëpushimi i tij ka dështuar tashmë. Por, ndërsa Egjipti po vendos një forcë për Gazën, ai duhet të marrë mësimet e tjera nga KFOR-i dhe të përqendrohet në mbushjen e vakumit të sigurisë në Gazë - sa më shpejt të jetë e mundur - edhe nëse kjo tani duhet të bëhet me hapa të vegjël. Rafahu do të ishte një vend i mirë për të filluar. /Telegrafi/


















































