Përkujtohet 15 vjetori i rënies së komandantit Ilaz Kodra

Kryeministri i Kosovës, gjatë fjalimit të tij, ka thënë se heroi Ilaz Kodra, kishte qenë njëri prej njerëzve të orëve të para që nisën betejën për çlirimin e Kosovës.
“Sot kur kujtojmë Ilazin, kur kujtojmë të gjithë ata komandantë dhe luftëtarë të UÇK-së, kujtojmë heroizmin dhe luftën legjendare të komandantit Adem Jashari. Ilaz Kodra ishte prej njerëzve të ngushtë dhe prej bashkëluftëtarëve të orëve të para të komandantit legjendar Adem Jashari. Unë personalisht kam pasur nderin dhe krenarinë më të madhe, përgjegjësinë më të lartë që të punoj me Ilazin, të punojmë bashkërisht, të organizohemi bashkërisht dhe të veprojmë konkretisht kundër pushtuesve serbë bashkërisht”, k a thënë kryeministri Thaçi.
Prania në këtë akademi e shumë shokëve të heroit Ilaz Kodra, e ka bërë kryeministrin Thaçi që të kujtojë se si filluan luftën.
“Ne e filluam luftën sepse kishim shpresë, kishim optimizëm, kishim besim të plotë dhe guximin se do të fitojmë kundër Serbisë. Nuk ka qenë e lehtë të fillohet ajo luftë, por e theksoj se lufta e Ilazit dhe e krejt këtyre bashkëluftëtarëve, mobilizimi që na e bënte komandanti Adem Jashari, Hamza, bënin që lufta të zgjerohej, të masivizohej”, ka thënë kryeministri.
Ai me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e fuqishme, siç tha ai që e kanë dhënë në luftë gjithë ato familje në Prekaz.
Brigada 114 “Fehmi Lladrovci”, sipas kryeministrit përpos në beteja me forcat armike, që u zhvilluan në shumicën e vendbanimeve që mbulonte, do të dëshmojë përkushtim të lartë edhe në mbrojtje të popullatës civile t ë fshatrave rrëzë Çiçavicës.
Kjo brigadë lirisë së Kosovës i dha 167 dëshmorë. Në mbrojtje të kësaj popullate ra heroikisht komandanti Ilaz Kodra, më 30 prill 1999. /Telegrafi/

















































