LAJMI I FUNDIT:

Përgjimet e reja “bild-babale”

Përgjimet e reja “bild-babale”

Përgjimet e “Bild”-it habitën opinionin publik, sepse veç të sepse atje dilte që kishte njerëz që e jepnin votën kundrejt shumave me parà. E dënueshme me ligj për ata që e praktikojnë, e planifikojnë, por edhe për ata që marrin lekët kundrejt votës.

Takoj një numër shumë të madh njerëzish që më bëjnë të habiturin ose edhe pesimistin: “Çfarë populli jemi! Nuk bëhet ky vend! Ata varfanjakët shiten për pesë lekë, shesin votën!”


Kjo habia më duket hipokrite, kulmi i hiprokrizisë! Nëse shitet vota në mënyrë masive, atëherë ne të gjithë e dimë dhe nuk ka nevojë për gazetarinë e “Bild”-it për të na e zbuluar. Gazetari i shkretë i “Bild”-it zbulon atë që ne e paskemi bërë, pra e paskemi ditur!

Këtyre njerëzve që mërziten me “varfanjakët” që shesin votën, unë u them: “Mirë bëjnë që e shesin!”. Më shohin me zhgënjim. Dhe, u shpjegoj: “Shitet një send që nuk duhet, ose vlen më pak sesa leku që merr. Në transaksionet e lira tregtare, dihet që fitojnë edhe shitësi edhe blerësi. Votuesi fiton ca lekë, kurse pushtetari blen reputacionin e tij, pushtetin e tij. Votuesi si duket e di se vota që hedh në kuti si duhet më hiç. Si andej si këndej t’a hedhi, ai nuk ka fituar gjë, gjithmonë është i humbur”!

Prandaj, budallenj politikisht nuk janë shitësit e votës, por jemi ne që nuk i kuptojmë ata. Shitja e votës si fenomen masiv do të kishte treguar sesa i degraduar është realiteti politik i vendit, sesa larg janë partitë politike dhe alternativat politike nga interesimet e elektoratit, aq shumë sa një familje me nja pesë a gjashtë anëtarë me votat e shitura mund të blejë një lavatriqe ose një televizor të cilësisë së mesme!

Ne paskemi dashur përgjimet “Bild”-it për të ditur sesa e korruptuar moralisht në politikë është shoqëria jonë!

Unë nuk kam fare nevojë për përgjime me telefon ose mjete të tjera për ta vërtetuar shitjen e votës! Këtë e di i gjithë mileti, është një “secret de polichinelle”, një e fshehtë që ja bën “muuu…!” në mes të ditës, dhe shitjen e votës nuk e bëjnë andej nga zonat periferike, nga Dibra, a Devolli, në male e kodra të thella, por në mes të Tiranës, në qendër të burokracisë shtetërore, në mes të bizneseve e shtresave të “larta”.

Pa më thoni: a është e lehtë të marrësh një vend pune në administratë qendrore ose lokale, nëse nuk përkrah partinë në pushtet e nuk voton për të? A nuk ka nja tridhjetë vjet që është kështu? A nuk shkëmbehet një votë, ose dhjetë a njëqind vota me një vend pune? Pa më thoni, a merr ndokush ndonjë bursë ekselence ose e bën çunin a vajzën drejtoruc të vogël gjëkundi nëse nuk shet votën trurin, e bashkë me to edhe shpirtin? Më thoni, a nuk është pothuajse e pamundur të bëhesh diplomat, shef policie, drejtor drejtorie, shef tatimesh, edhe punëtor bashkie nëse nuk je në të njëjtin trend votimesh me atë që të emëron? A nuk është kjo një shitblerje vote? Një hap në karrierë a nuk kushton edhe një ose shumë vota?

Duhet të jenë dhjetëra-mijëra që ndodhen në këtë hall: O votën o vendin e punës!?

Nëse ata bëjnë diferencën në animin e balancës të opinionit politik në favor të kësaj apo asaj partie, atëherë na del se pushteti në Shqipëri u përcaktoka nga shkalla e shitjes së votës, ose nga shkalla e dëshirës të atyre që kërkojnë t’u zënë vendet në administratë a të marrin ata privilegjet që i kanë zënë të tjerët.

Votimet janë manipuluar jashtë qendrës së votimit, prandaj vëzhguesit e huaj kurrë nuk kanë raportuar në dekada parregullsitë e vërteta. Ata vijnë, rrinë, ikin dhe nuk marrin vesh gjë prej gjëje se e gjitha ishte një lojë!

Sa vota duhen dhënë për një leje ndërtimi, për një parking, për një shesh ndërtimi, për një hapësirë plazhi marrë me qira për të vendosur çadra? A nuk është shitblerje votash kjo?

Ka nevojë të botojë përgjime “Bild”-i, “New York Times”, “La Liberation”, “La Republica”, a ku e di unë kush tjetër, kur këto fakte te ne janë bërë pjesë e normalitetit tonë, të përditshëm; na janë bërë si buka që hamë; kanë hyrë në zakonet dhe doket tona prej dekadash dhe vazhdojnë edhe sot?

Atëherë çfarë dreqin kemi që përgojojmë ata të shkretët që për një shportë vezë, a një frigorifer, shesin votat e fisit a të familjes? Çfarë dreqin kemi që bëjmë të habiturin për shitjen e votës, kur shitja e votës është bakshishi me të cilin blihen vende pune në administratë, leje ndërtimi, blihen karriera nga njerëz që pastaj shohin me përbuzje ata që e shesin votën për shumë më pak?

Habitemi me përgjimet e “Bild”-it sepse kemi qejfin të vëmë veshin te muri i komshiut, kurse atë që flakërin si zjarr ferri në mes të sheshit nuk duam ta shohim sepse na poshtëron, na nxjerr njerëz të vegjël, pa dinjitet qytetar.

Pa u luftuar shitja e votës në të gjitha “bursat” e saj, dhe jo thjesht në tregjet fshatare ku vota shitet për një ceremoni dasme a një vend mësuesi në fshat, ne nuk ndërtojmë dot shtet, nuk ndërtojmë dot moral, ne do të rrëzohemi thellë e më thellë në batakun tonë moral dhe pastaj do të bëjmë të habiturin kur dikush do të na thotë: Ju shisni gjithçka!

Në politikë përsa i përket vlerës së votës dhe tregut të saj ne nuk kemi dalë ende nga universi logjiko-financiar i Sudes dhe i “kompetentit” të saj. Shumë njerëz vendosin në piramidën e të mirave dhe privilegjeve kapitalin qytetar që është vota e tyre dhe marrin prej andej interesa të jashtëzakonshme, me një çmim pra me rrënimin e të tjerëve dhe të sistemit tonë politik dhe të moralit shoqëror.

Politikisht ne jemi një shoqëri e bjerrë moralisht, në një dekadencë morale të pashoqe dhe pa u shëruar duke ndërtuar një sistem të ri vlerash nëpërmjet reformës tërësore të shtetit, administratës, kodit zgjedhor, në do të vazhdojmë me cic-mice politike duke u zhytur gjithmonë e më shumë në batakun e krizës.

Në trend

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Ndërkombëtare
Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Arsim
Kalo në kategori