Nëse fushatat zgjedhore ekzistojnë për të vetmen arsye që ta bindin votuesin që të votojnë për akëcilën parti apo filan kandidatin, atëherë, 15 tetori duhet të jetë fundi i atij afati. Partitë apo kandidatët që garojnë në zgjedhje, duhet të pushojnë tani, sepse ka qenë epoka para 15 tetorit, ajo periodë kohore që ka bindur qytetarin nëse do t’ua japë votën atyre apo jo. Ata që dëshirojnë të fitojnë votën e qytetarëve duhet lirisht të relaksohen tani, sepse ne, votuesit potencialë, tanimë i njohim edhe partitë e edhe kandidatët që po dalin në zgjedhje.

Koha përpara 15 tetorit ka qenë shumë më e favorshme që ne të njohim partitë dhe garuesit për postet që do të fitohen në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ajo ka qenë tamam koha kur ne i kemi parë në dritën e vërtetë. Atëherë ua kemi parë zellin, kontributet, sjelljen njerëzore dhe politike, gatishmërinë për të realizuar planin dhe premtimet që kanë bërë për 15 nëntor të tjerë. Ka qenë “fushatë” e gjatë ajo dhe ne tani kemi fotografi shumë të kthjelltë për secilën parti dhe për secilin kandidat. Kështu ndodh edhe për partitë dhe kandidatët që marrin pjesë për të parën herë në zgjedhje. Fushata (jeta) para 15 tetorit ka treguar edhe për ta. Prandaj, të jeni të sigurt se që nga sot ju të gjithë lodheni badihava sepse votuesit e dinë shumë mirë kush jeni, çfarë premtoni dhe çfarë ofroni.

Ne e dimë se që nga sot, 15 tetor, ju (partitë dhe kandidatët) do të dilni me flamuj, me pankarta, me ngjyra, me balona e madje edhe me pëllumba paqeje. Do të shkëlqeni me dukjen, ngrohtësinë, fjalimet, premtimet. E këtu do të dilni nga vetja juaj. Do të na tregoheni ndryshe, shumë ndryshe. Ju do të silleni, do të flisni dhe do të respektoni krejt ndryshe votuesit tuaj. Do të jeni krejt ndryshe nga epoka para 15 tetorit (kur thuani se fillon fushata), prandaj ne nuk do t’ju njohim. Jeni bërë tebdil dhe ne pyesim veten dhe shokun nëse jeni ju me të vërtetë. Tanimë, nuk do të jeni origjinalë. Do të transformoheni në figura krejt tjera për këto 30 ditë dhe për këtë do të jeni të huaj për ne. Kur krahasojmë me muajt e kaluar, ju shkriheni në disa alienë që kurrë nuk i kemi takuar përpara 15 tetorit. Në gazeta, televizione, radio e internet do të dalin komplet figura tjera në krahasim me ato me të cilat ne jemi mësuar tashmë.

Për shkak të kësaj, unë ju propozoj që të kurseni ato miliona euro që harxhoni për këtë muaj. Mos i harxhoni fare! Mos harxhoni para për publicitet, promovim, reklamim e marketing. Për çka?! Që të na i prezantoni kandidatët dhe “vizionin” e tyre! Po ne këtu ishim. I pamë mirë vizionet dhe misionet. Na kurseni këtë muaj së paku! As energjinë tuaj dhe benzinën e veturave superluksoze mos e harxhoni! Mos i mbushni pluhur rrobat tuaja të bukura në rrugët dhe sheshet ku po dilni të na takoni! Ne e dimë mirë tani kur t’u afrohemi kutive të votimit se kujt do t’ia japim kokrrën. Dhe të jeni të sigurt (pa marrë parasysh sa madhështore do ta organizoni këtë fushatë zgjedhore), se e vetmja letër që ka mbetur në duart tona nuk do të ndikohet nga kjo që do të shihet në fushatën tuaj.

Ka qenë ajo koha tjetër që na ka bindur për votën tonë.