E plotësuar: Policia njoftoi se zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk raportohet për të lënduar.

Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me rastin.


Depoja ndodhet në rrugën “Ibrahim Rugova”.

“Sot rreth orës 16:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një objekt në rrugën Ibrahim Rugova në Lipjan. Menjëher në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat fillestare raportohet vetëm për dëme materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

****

Një depo në qytetin e Lipjanit është përfshirë nga zjarri pasditen e sotme, duke shkaktuar alarm dhe mobilizim të shpejtë të njësive emergjente.

Lajmin e ka konfirmuar për media Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan, Sadri Shamolli, i cili tha se ekipet janë duke punuar intensivisht për shuarjen e zjarrit.

"Jemi në terren dhe po angazhohemi për shuarjen e zjarrit. Po ashtu jemi duke u përpjekur që të mos lejojmë përhapjen e tij në objektet përreth," deklaroi Shamolli.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit dhe as shkalla e dëmeve të shkaktuara, ndërkohë që nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Zjarrfikësit po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme, njofton Telegrafi.