LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi duhet t’i ruajë nervat për Ukrainën

Perëndimi duhet t’i ruajë nervat për Ukrainën
Ilustrimi nga: James Ferguson

Nga: Gideon Rachman / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

A po shkon lufta në Ukrainë, ashtu siç do Vladimir Putini? Ushtria ruse po përparon në Donbas. Nëse ushtria e Putinit ia del t’i marrë qendrat industriale të Ukrainës dhe ta shkëpusë vendin nga deti, do të vihet në pikëpyetje mbijetesa e Ukrainës si shtet i qëndrueshëm.


Ky skenar i zymtë, sigurisht se është i mundur. Por, jo domosdo është gjë e pashmangshme. Megjithatë, për ta parandaluar Rusinë që të arrijë një fitore të dukshme, aleanca perëndimore që mbështet Ukrainën duhet t’i ruajë nervat dhe ta shtojë mbështetjen për Kievin. Momentumi i luftës duhet të kthehet sërish kah Ukraina, përpara ndonjë perspektive për zgjidhje të pranueshme për paqen.

Në fakt, lufta në Ukrainë në esencë po zhvillohet në tri fronte dhe mes tre protagonistëve. Fronti i parë është vetë fusha e betejës. Fronti i dytë është ai ekonomik. Fronti i tretë është beteja e vullneteve. Tre pjesëmarrësit janë Rusia, Ukraina dhe aleanca perëndimore që e mbështet Ukrainën.

Ukrainasit janë gjithnjë e më të paduruar, sepse shqetësohen se mbështetja perëndimore po zbutet. Ata e dinë se, në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, Ukraina e ka avantazhin vetëm në frontin e tretë – betejën e vullneteve. Si vend që lufton për lirinë dhe për pavarësinë e vet, ukrainasit janë shumë më të motivuar.

Kur është fjalë te fuqia e zjarrit dhe ekonomia, megjithatë avantazhi dypalësh anon kah Moska. Rusia ka më shumë artileri të rëndë dhe më shumë aeroplanë sesa Ukraina dhe më në fund po e bën këtë të ditur në Donbas. Sabine Fischer, studiuese gjermane, thotë se disponimi në Moskë “po kthehet te ‘ne mund ta fitojmë këtë gjë’”. Rusia ka pësuar viktima të mëdha, por edhe Ukraina. Presidenti Volodymyr Zelensky së fundmi tha se vendi i tij po humbë deri në 100 burra në ditë. Shifra reale mund të jetë më e lartë.

Ukraina gjithashtu ka pësuar dëme shumë më serioze ekonomike sesa Rusia. Ekonomia ruse gjatë këtij viti parashikohet të tkurret me 12 deri në 15 për qind. Por, ekonomia e Ukrainës, më e vogël që në fillim, pritet të tkurret me 45 për qind.

Përveç moralit më të lartë, avantazhi i madh i Ukrainës është mbështetja perëndimore. Nëse aleanca perëndimore ua jep ukrainasve armët dhe ndihmën ekonomike që i nevojitet, atëherë bilanci i luftës do të kthehet përsëri drejt Kievit.

Kishte një nervozizëm të dukshëm te delegacioni i madh ukrainas në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos gjatë javës së kaluar, se mbështetja perëndimore mund të zbehet. Ukrainasit janë të alarmuar nga ngadalësia e dërgesave të armëve nga ShBA-ja dhe nga Gjermania, gjë që po e bën më të vështirë shtyrjen e avancimit rus. Po shqetësohen se deri në shtator, vendet perëndimore do të fokusohen më shumë te problemet e tyre ekonomike sesa në gjendjen e rëndë të Ukrainës.

Ata kanë frikë se disa vende – ndoshta të udhëhequra nga Franca ose Gjermania – do të kapen pas ca negociatave iluzore të paqes dhe se do ta reduktojnë në mënyrë drastike mbështetjen për Ukrainën. Këto shqetësime ukrainase janë ngritur pas telefonatës së fundit mes Putinit dhe Olaf Scholzit me Emmanuel Macronin, liderëve të Gjermanisë dhe Francës.

Kjo frikë është e kuptueshme. Por, unë mendoj (dhe shpresoj) se e kanë gabim. Fjalimi i Scholzit në Davos shfaqi ashiqare mirëkuptim për atë që është në rrezik në Ukrainë. Kancelari argumentoi se Rusia po bën luftë imperialiste dhe deklaroi se “Putini nuk duhet të fitojë”. Më e rëndësishmja, gjermanët e thonë të njëjtën gjë privatisht – duke këmbëngulur se nuk e kanë ndërmend ta detyrojnë Ukrainën të heqë dorë nga territori dhe se vërtetë synojnë ta dorëzojnë armatimin e premtuar.

Nëse Perëndimi i ruan nervat, nëse i mban premtimet dhe përshpejton dorëzimin e armëve, atëherë do të marrë fund presioni mbi ukrainasit për lëshime territoriale – ose gjëra tjera – ndaj Moskës. Me më shumë armatime të rënda, ukrainasit duhet të jenë në gjendje t’i frenojnë rusët dhe më pas t’i detyrojnë të zmbrapsen. Profesori Lawrence Freedman thekson se “Rusia tani duhet ta mbrojë një front të gjatë dhe një territor të konsiderueshëm të pushtuar. Forcat e saj tashmë janë të tendosura dhe Moska po përpiqet të gjejë rezerva”.

Megjithatë, me kalimin e kohës, pozicioni i Rusisë në frontin ekonomik mund të dobësohet në mënyrë dramatike. Ushtria ruse ka humbur shumë pajisje ushtarake. Zëvendësimi i tyre është shumë i vështirë me një ekonomi që po goditet nga sanksionet perëndimore.

Rusëve tani u mungojnë aq shumë gjysmëpërçues, saqë thuhet se në pajisjet ushtarake po përdorin çipat kompjuterikë nga pjatalarëset dhe frigoriferët. Qeveria amerikane pretendon se Rusia ka humbur rreth 1000 tanke në betejë dhe se dy prej prodhuesve të tankeve u është dashur ta ndalojnë prodhimin për mungesë të komponentëve.

Goditja financiare ndaj Putinit gjithashtu është duke u bërë më e madhe. Rusia, aktualisht, ende i merr afro një miliard euro – çdo ditë – nga eksporti i naftës dhe gazit. Por, BE-ja planifikon të përfundojë me importet e naftës ruse, deri në fund të vitit, dhe sa më shpejt të jetë e mundur t’i reduktojë – në mënyrë drastike – importet e gazit. Gjermania tashti po ndërton dhe po jep me qira terminale të reja për importin e gazit të lëngshëm natyror, gjë që do të lejojë që procesi i ndërprerjes së importeve të gazit nga Rusia të nisë – seriozisht – gjatë vitit të ardhshëm. Rusët nuk kanë tubacione për ta ridrejtuar atë gaz kah Kina, kështu që përballen me goditje katastrofike për financat e tyre kombëtare.

Është e tmerrshme perspektiva e një lufte të zgjatur. Por, derisa qeveria ruse nuk e braktisë qëllimin për ta pushtuar një territor të ri në Ukrainë, nuk mund të ketë asnjë perspektivë për bisedime reale të paqes. Kjo mund të jetë e mundur vetëm kur trupave të Putinit u mbarojnë pajisjet dhe qeverisë së tij i mbarojnë paratë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Dhuna dhe largimi nga banesa dyshohet se e detyruan gruan të mbytet me tre fëmijët e saj në Shkodër, çfarë dihet deri tani për rastin?

Dhuna dhe largimi nga banesa dyshohet se e detyruan gruan të mbytet me tre fëmijët e saj në Shkodër, çfarë dihet deri tani për rastin?

Lajme
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Bleona Qereti shkëlqen në Hollywood: Flet në gjuhën shqipe në filmin

Bleona Qereti shkëlqen në Hollywood: Flet në gjuhën shqipe në filmin "Chief of Station"

Magazina
Deputetja britanike Alicia Kearns shpërndan videon e intervistës së Vuçiqit që thotë se Tajvani është Kinë

Deputetja britanike Alicia Kearns shpërndan videon e intervistës së Vuçiqit që thotë se Tajvani është Kinë

Serbia
Rekordi i pabesueshëm që ka thyer Messi pas paraqitjes heroike ndaj New York RB, asnjë futbollist në histori nuk e ka arritur këtë

Rekordi i pabesueshëm që ka thyer Messi pas paraqitjes heroike ndaj New York RB, asnjë futbollist në histori nuk e ka arritur këtë

Ndërkombëtare
Agjencitë e inteligjencës paralajmërojnë se Rusia po komploton sabotim në të gjithë Evropën

Agjencitë e inteligjencës paralajmërojnë se Rusia po komploton sabotim në të gjithë Evropën

Evropa
Kalo në kategori