Klubi kryeqytetas, Prishtina ka njoftuar se ndeshje derbi ndaj Ballkanit është zhvendosur për t’u zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Prishtina është nikoqire e Ballkanit në ndeshjen derbi të javës së 20-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.


Megjithatë, Prishtina as duelin ndaj Ballkanit, sikurse atë ndaj Drenicës në Kupën e Kosovës, nuk do ta zhvillojë në folenë e saj, në stadiumin “Fadil Vokrri”, për shkak të punimeve që janë duke u kryer në tapetin e gjelbër.

Kampioni aktual i Kosovës ka njoftuar me anë të një postimi në faqen zyrtare se tashmë kjo ndeshje do të zhvillohet në Podujevë.

“Sfida e xhiros së 20 në Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet FC Prishtinës dhe FC Ballkanit do të zhvillohet të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë”, thuhet në njoftim.

Prishtina para këtij dueli “stacionohet” në pozitën e pestë me 24 pikë të mbledhura, derisa Ballkani ndodhet në vendin e dytë, me 36 pikë. /Telegrafi/

telegrafi sport app