“…Qeveria ka detyrë të përcaktuar që të përdorë të gjithë pushtetin dhe resurset e saj për të përballuar problemet e reja sociale me kontrolle të reja sociale – t’u sigurojë qytetarëve të drejtën në jetën e tyre ekonomike dhe politike, lirinë dhe kërkimin e lumturisë”. (Freklin Rusvelt, ish-kryetar i SHBA-ve)

Partia e Pensionistëve dhe Invalidëve - PPI, është subjekt i ri i cili iu bashkëngjit skenës politike të Kosovës që nga nëntori i vitit 2009, tash një vit kalendarik. Kjo ndodhi, jo pse nuk pati parti të mjaftueshme politike në Kosovë, por për faktin se në jetën politike, fatkeqësisht, për më shumë se një dekadë politike të pasluftës, e, as 2 vjet e më shumë pas shpalljes së Kosovës – Shtet, asnjëra nga partitë që ishin në krye të qeverive të deritanishme, apo edhe në Kuvendin e Kosovës, nuk ishin të zonjat që të ballafaqohen me zgjidhjen e një problemi, ndër më të rëndësishmit dhe më të ndjeshmit, pra, zgjidhjen e problemit të sigurimeve të pensionistëve dhe të invalidëve të punës, popullatë kjo që për më shumë se gjysmë shekulli dha gjithçka nga vetja për të mirën dhe prosperitetin material e shpirtëror të Kosovës.


Kurse, me 12 shkurt të këtij viti është paraqitur për certifikim pranë KQZ, ku edhe i është legalizuar e drejta ligjore për veprim politik. Gjatë kësaj periudhe është zhvilluar një aktivitet i dendur politik në shumicën e komunave të Kosovës, me ç’rast u formuan Degët komunale të PPI-së në 21 qendra komunale, duke e degëzuar aktivitetin organizativ e politikë nëpër shumë aktive e nëndegë dhe duke zgjeruar anëtarësinë, e cila tani e tejkalon shifrën në mbi 18000 anëtarë.

Kjo rrjedhë e anëtarësisë së PPI-së tani më po vjen e rritet, gjithnjë e më tepër, sidomos pas mbajtjes së Kuvendit të Parë Zgjedhor, më 19 gusht, kur me përfaqësimin demokratik të të gjitha degëve të PPI-së nga 21 degë komunale, dhe në praninë e përfaqësuesit nga KQZ-ja, shqyrtoi dhe aprovoi me përkrahje unanime Statutin dhe Programin e vet, duke i përcaktuar detyrat konkrete të veprimit politik. Kuvendi i Parë Zgjedhor i 19 gushtit, zgjodhi Këshillin Qendror, Kryesinë e tij dhe Kryetarin e PPI-së (Prof. Dr. Rexhep Gashi) si dhe organet dhe trupat tjerë funksional.

Qëllimet e themelimit të PPI-së

Pensionistët dhe invalidët e punës në Kosovë janë një Komunitet i respektuar, i cilin komunitet e përbëhet, që nga punëtorët fizikë, bujqit e vyeshëm, punëtorët nga shërbimet e shumta terciare, e, deri të intelektualët e shumtë të kurorëzuar si akademikë, që Kosovës i dhanë dhe ende mund t’i japin “shpirt” të zhvillimit dhe prosperitetit për mirëqenie të qytetarit të saj. Një rast të posaçëm në brengat e vazhdueshme të pensionistëve dhe invalidëve, paraqesin dhe xehetarët e Trepçës, gjysma e të cilëve janë edhe më shkallë të lartë invaliditeti dhe me sëmundje të ndryshme profesionale, të cilat në mungesë të sigurimeve pensionale e shëndetësore nuk po mundën të shërohen e as t’i zvogëlojnë dhembjet.

Me gjithë gjendjen e vështirë ekonomike – sociale e shëndetësorë, komuniteti i pensionistëve dhe invalidëve të punës, gjithandej Kosovës, asnjëherë nuk u hamend për ta përkrahur Lëvizjen për Demokraci dhe Pavarësi e pastaj edhe Lëvizjen e armatosur të UÇK-së, sepse kjo ka paraqitë hallkën e pakëputshme të popullit tonë për liri dhe pavarësi kombëtare. Pensionistët dhe invalidët e punës, kështu vepruan edhe pas luftës, duke i përkrahur të gjitha ato forca politike që u instaluan në Parlament edhe në Qeveri, gjithmonë duke iu falënderuar edhe votës së shumtë të popullatës nga pensionistët dhe invalidëve të punës, që iu “dhurua” partive që ishin në Parlament dhe në Qeverisje të vendit, votë kjo, që nuk ishte e pakët, u dha në radhë të parë për faktin se ndër prioritet e të gjitha politikave do të trajtohej edhe pozita sociale e rendë e pensionistëve dhe invalidëve të punës si dhe të grupeve tjera të rrezikuara sociale në vend.

Natyrisht, se zgjidhja e këtyre problemeve pritej të bëhej pas fazës së parë të zgjedhjeve emergjente, që ishte situatë e pasluftës. Pra, të gjitha pritej dhe shpresat ishin mbështetur në fazën e dytë të zhvillimit të pasluftës – në fazën e zhvillimit substancial, ku pritej se do të përcaktohej edhe realizimi i Reformave Sociale në vend. Përkundër të gjitha pritjeve, takimeve, bisedave dhe marrëveshjeve që janë bërë me bartësit e autoriteteve qeveritare, dhe premtimet e dhëna, por asnjëherë të mbajtura, nga ana e asnjë kryeministri të qeverive kosovare, të pasluftës, që të zgjidhen problemet e pensionisteve dhe të rregullohen politikat sociale në mënyrë sistemore, kjo gjë dështoi. Prandaj, edhe themelimi i Partisë së Pensionistëve dhe Invalidëve ka dalë si imperativ i nevojave dhe kërkesave të vetë anëtarësisë së organizuar në Asociacionin e tyre, respektivisht në Bashkimin e shoqatave të pensionistëve dhe invalidëve në të gjitha mjediset komunale në Kosovë. Bazuar në vullnetin e tyre politik, duke u anëtarësuar në PPI, ata tani më kanë një zë të fuqishëm që do të artikulojë kërkesat e tyre politike në të gjitha mekanizmat e vendosjes demokratike, si në Parlament ashtu edhe në mekanizmat tjerë të shtetit të Kosovës.

Platforma Programore e veprimit politik të PPI-së është bazuar në parimet në këto parime:

1. Legalitetit , bazuar në parimet demokratike të shprehjes së vullnetit të mirë qytetar;
2. Parimi i kontinuitetit, sipas të cilit duhet ruajtur dhe zhvilluar vlerat e krijuara gjatë historisë së brezave, që i arritën në të gjitha hallkat e pashkëputura të historisë sonë kombëtare e deri në luftën e fundi të UÇK-ës dhe duke i respektuar të gjitha vlerat shpirtërore, kulturore e ekonomike të gjeneratave të kaluara dhe të tanishme që luftuan dhe punuan për Kosovën.
3. Parimi i Pluralizmit, në baza të të cilit zhvillohen marrëdhëniet demokratike në shoqërinë Kosovare në kuadër të demokracisë pluraliste dhe të sistemit shumë partiak me ekonomi të tregut të lirë.

Kuvendi i Kosovës duhet të jetë LOGU ku do të bëhen vendimet demokratike, si rezultat i demokracisë parlamentare. Në Kuvendin e Kosovës duhet të kryhet mbikëqyrja e shfrytëzimit të mjeteve buxhetore. Në këto baza e parime të drejta demokratike PPI e koncepton veprimin e vet politik për të siguruar shtetin e së drejtës.

PPI është parti e qendrës pragmatiste

Në skenën politike të Kosovës, akoma ka përpjekje të pa kryera të shumicës së subjekteve politike për ta “rreshtuar” identitetin e tyre politik, në të “djathtë” dhe në të “majtë” apo edhe në ndonjë “Qendër tradicionale”. PPI është përcaktuar që qëllimet e veta programore e politike, t’i sendërtojë duke gërshetuar me kurs të ri të konceptuar në Reformat ekonomike të Tregut të lirë, Reforma sociale, dhe zhvillimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Afirmimin dhe gërshetimin e vlerave “të majta” dhe të “djathta” PPI do të i tejkalojë dallimet midis alternativave duke vepruar “përtej të majtës dhe të “djathtës” në përkrahje të koncepteve neoliberaliste dhe të doktrinës së shtetit të mirëqenies sociale. Kjo filozofi politike paraqet “Rrugën e tretë”, që më së miri u verifikua si pragmatike dhe e dobishme në Kohën e Toni Blerit, gjatë qeverisjes në Angli.

“Rruga e tretë’’ mundëson qeverisje të suksesshme duke i respektuar specifikat e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike – sociale, dhe demokracinë e tregut të lirë, si në kohë ashtu edhe në hapësirë të caktuar. Kjo filozofi politike e veprimeve pragmatiste, zbatimin e politikave ekonomike në Kosovë filloi të “gjenerojë”, “feudet ekonomikë” duke mos përfillur gjendjen e qytetarit, pensionistit, e, të papunësuarit në Kosovë, gjë që shkaktoi varfëri të paparë në këto pjesë të Evropës në fillim të shekullit njëzet e një. Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se varfëria në Kosovë ka mbërri mbi 45%, kurse varfëria e skajshme në 18%.

Në mungesë të strategjive zhvillimore si në politikat ekonomike ashtu dhe në ato sociale, si dhe në mungesë të rolet kontrollues të mekanizmave qeveritar, në Kosovë u krijuan dukuri të mos respektimit të ligjeve duke i ikur pagimit të taksave doganore nga një numër i caktuar i tregtarëve, të cilët mbaheshin nga “bosat” e tyre “politikë”. Kjo është manifestuar edhe në rastin e ndërtimeve ilegale dhe jashtë planeve urbane. Në të gjitha periudhat e pasluftës si dhe në shtetet në Tranzicion mund të zbatohen Politika Planifikuese, që duhet të dallohen krejtësisht nga “Planifikimi” i tipit komunist, që ishte burokratik, i centralizuar, i komanduar dhe i detyruar. Se mos angazhimi i mjaftueshëm i Qeverisë në përcaktimin dhe koordinimin e politikave zhvillimore natyrisht edhe me institucionet e kualifikuara profesionale dhe me shoqërinë civile sjellë deri te anarkia dhe varfëria shpirtërore e materiale e popullit u dëshmua edhe me krizën e krijuar politike, sociale dhe institucionale.

PPI- ofron elektoratit të vet Politika të Planifikuar të karakterit Imperativ dhe të karakterit Tregues (indikativ) sepse vetëm kështu sigurohen postulatet e nevojshme për dalje nga kriza. Kurse, zgjedhja e problemit të pensioneve është jo vetëm nevoja e justifikueshme por edhe hapi i parë për të dalë nga kriza sociale. Mjetet e tubuara nga Privatizimi i aseteve publike e shtetërore janë pasuria që u takon edhe pensionistëve dhe invalidëve të punës, që me punën e tyre, fizike e intelektuale e krijuan. Kështu vepruan edhe vendet tjera si Sllovenia dhe Kroacia. Me hyrjen e përfaqësueseve të PPI-së në Parlamentin e Kosovës, do të krijohen rrethanat dhe mundësitë reale për të zgjedhur jo vetëm çështjen e pensionistëve, që është e drejtë e fituar ekonomike – materiale, por do të ofrojmë edhe politika të drejta të zhvillimit ekonomik e social të vendit, për të cilat me detalisht PPI do të i shpalosë në ditët në vijim.

Të gjitha qeveritë, qofshin ato të djathta apo të majta, edhe në vendet me traditë demokratike, sa herë që kanë provuar të “blejnë paqen sociale” duke mos bërë zgjidhje sistemore të politikave sociale janë të gjykuara të dështojnë. Kjo ndodhi edhe në Qeverinë e Kosovës, gjë që tatëpjetën e mori me mospërfilljen e kërkesave të pensionistëve dhe invalidëve të punës. Kështu edhe e ka burimin Varfëria e krijuar në Kosovë. Reformat sociale, sigurisht se do të mbështetën sipas modelit të te tri “shtyllave të sigurimit”. Por, paraprakisht duke e zgjidhur çështjen e Pensioneve për kontingjentin e Pensionistëve të dalë që nga viti 1989 e deri në ditët e sotme. Kështu do të veprojnë edhe për Politikat e sigurimeve shëndetësore, në uljen e papunësisë dhe në zgjedhjet sistemore për të gjitha grupet e rrezikuara sociale. Politikat e zhvillimit ekonomik do të bazohen në aktivizimin e resurseve të vendit në agro-ekonomi, turizëm rural e malor, në aktivizimin racional të minierave dhe mineralëve të vendit, në të cilat fusha do të sigurohet punësimi produktivë i rinisë se vendit.

Vendi ynë është para Imperativit të kohës për ndërrimin e kursit në fushat ekonomike dhe sociale me koncepte të qarta dhe me veprime konkrete. PPI këtë do ta bëjë me profesionalizëm e veprime Pragmatiste. Këtu do të jetë Qendra e veprimit tonë politik. Këtë veprim PPI është e gatshme ta shndërrojë në energji politike. Koha është që varfërinë ta zëvendësojmë me begati dhe ta ndërrojmë mënyrën e të menduarit të sjelljes dhe të veprimit politik për krijimin e qëndrimeve të moderuara pragmatiste, larg ekstremeve të majta e të djathta.

(Autori është nënkryetar i Partisë së Pensionistëve dhe Invalidëve)