LAJMI I FUNDIT:

Për Halit Ferizin – njeriun e pathyeshëm!

1.
Në këtë jetë ka njerëz që dorëzohen para rrebesheve të jetës dhe ka të tillë që i sfidojnë ato. Ka të atillë që u përshtaten rrymave të jetës dhe ka të atillë që ua ndërrojnë kahun atyre. Ka të lirë që jetojnë të nënshtruar dhe të robëruar që luftojnë për të qenë të lirë. Ka të atillë që vetëm kërkojnë lirinë, barazinë dhe emancipimin, por ka edhe të tillë që luftojnë për to dhe në luftë e sipër bëhen simbole të lirisë, barazisë dhe emancipimit. Ka të atillë që vetëm kërkojnë nga shoqëria dhe luten që ajo t’u jap një vend dhe të tjerë që me punën e tyre e bëjnë vendin e tyre në shoqëri, dhe i japin asaj vlera shtesë, vlera që i kanë munguar. Nga këta të dytët ka qenë Halit Ferizi (të cilin një fatkeqësi komunikacioni në vitin 1974 e paralizoi për jetë), udhëheqësi faktik por do të mund të thosha edhe shpirtëror i personave me aftësi të kufizuar cili ndërroi jetë këto ditë pas një jete plot përpjekjeje e lufte të pareshtur për dinjitet e barazi për veten dhe kolegët e tij. Kam pas nderin të punojë me të dhe ta njoh nga afër. Personaliteti i tij ka reflektuar mirësi, vullnet të çeliktë, dhe dëshirë për punë. Ai ishte një bashkëpunëtor i shkëlqyer, çdo herë i gatshëm t’i përgjigjej me punë të sinqertë çfarëdo nisme që do të përparonte pozitën e personave me aftësi të kufizuar. Ai lirisht mund të konsiderohet që së bashku me kolegët e vet e ngriti lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar në një avangardë të shoqërisë civile në Kosovë. Me aftësinë e posaçme prej intelektuali e organizatori krijoi lidhje pune brenda dhe jashtë vendit, veprimtari kjo që ia shndërroi tërësisht fytyrën në shoqërinë tonë kësaj kategorie njerëzish. Çështjen e personave me aftësi të kufizuar, e shtroi si çështje të të drejtave të njeriut, në përputhje me trendet në vendet e zhvilluara, duke bërë kështu që edhe të drejtat e njeriut në Kosovë, të marrin karakter më praktik, të ndjehen më shumë, të preken, të jenë vërtetë më njerëzore.

2.
Në shoqëritë me zhvillim të ulët pozita e personave me aftësi të kufizuar nuk është e lehtë. Paragjykimet e shumta e bëjnë jetën e kësaj kategorie edhe më të rëndë. Zhvillimi i ultë socio-ekonomik dhe arsimor e vështirëson integrimin e tyre në shoqëri. Edhe në Kosovë pozita e tyre nuk ka qenë dhe nuk është për lakmi. Arsyet kryesore janë zhvillimi i ultë socio-ekonomik, arsimi në krizë dhe tradita patriarkale që ende frymon aty këtu. Këto arsye janë të ndikuara drejtpërdrejt nga tranzicioni i rëndë i pasluftës dhe robëria e gjatë, që kanë lënë pasojat e saj në tërë këtë situatë socio-ekonomike dhe prapambetje shoqërore. Sidoqoftë krahasuar me të kaluarën ka lëvizje pozitive si në fushën e legjislacionit ashtu edhe në ndryshimin e botëkuptimeve shoqërore për pozitën e personave me aftësi të kufizuar. Në përparimet e bëra një rol kyç kanë vetë personat me aftësi të kufizuar, organizimet e tyre si HANDIKOS-i, Shoqata e Personave të Verbërve dhe me të Pamë të Dobësuar të Kosovës, Njerëzit e Vegjël të Kosovës etj., dhe personalitetet si Halit Ferizi, që ishte i palodhshëm në punën e organizimit të personave me aftësi të kufizuar. Falë këtyre organizimeve, falë Halitit që me vite të tëra e udhëhoqi HANDIKOS-in, sot në shoqërinë tonë ka një rritje të vetëdijes për nevojën e trajtimit me dinjitet të personave me aftësi të kufizuar dhe për nevojën e integrimit të tyre në jetën ekonomike, sociale, politike e administrative të vendit tonë. Haliti me shokë, nuk ishte vetëm lobues i mirë kur vinte puna për të vendosur e ndryshuar ligje e politika në favor të kësaj kategorie të shoqërisë sonë, por ishte edhe shembull personal sesi me punë të vazhdueshme integrohesh në shoqëri, sesi me përpjekje të pareshtura bëhesh i barabartë edhe atëherë kur ke kufizime fizike, dhe sesi ndonjëherë imponohet barazia dhe dinjiteti mu për shkak të kësaj lufte të pandalshme.


3.
Nëse gjatë punës sime në fushën e të drejtave të njeriut ka një kategori njerëzish të cilët më kanë zgjuar një admirim të posaçëm dhe që kanë qenë e janë shembull dhe frymëzim për jetë, ata janë personat me aftësi të kufizuar. Në këtë kategori njerëzish njeriu sheh se çka është injorimi që të bën shoqëria (por edhe familja ndonjëherë) por edhe çka është dinjiteti njerëzor; çka është pabarazia por edhe si luftohet për barazi; cilat janë vështirësitë e jetës kur je i kufizuar, por edhe cili është thelbi i lumturisë kur nuk dorëzohesh, por organizohesh dhe përpiqesh për një jetë më të mirë; aty e kupton se edhe kur nuk fitohet e tërë lufta përnjëherë, duhet pasur durimin e fitimit të betejave të vogla të njëpasnjëshme, virtyt që shumë pak e gjen tek personat që nuk kanë kufizime. Haliti ka qenë shëmbëlltyra më e mirë e kësaj kategorie njerëzish. E ka udhëhequr këtë lëvizje me dekada, duke e shndërruar në pjesën më aktive të shoqërisë civile dhe shpesh herë me rezultatet më të dukshme. Humbja e tij do të jetë humbje për tërë këtë komunitet njerëzish, por edhe mobilizim për të vazhduar me punë e përpjekje për të përparuar statusin e tyre në shoqëri, për të kërkuar ndihmën e shoqërisë por edhe për ta ndihmuar shoqërinë me potencialet jo të vogla që kjo kategori njerëzish ka. Dhe në këtë kategori ka vullnet për punë, intelekt, dije dhe sinqeritet. Tërë këto janë elemente që i nevojiten Kosovës tonë në këto kohë krizash të vlerave që e kanë kapluar. Bota, e aq më pak ne nuk kemi njerëz për të humbur. Haliti e ka ditur këtë më së miri. Ishte punëtor i madh andaj ju prehtë trupi në qetësi të përjetshme.

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
Kalo në kategori