LAJMI I FUNDIT:

Pëllumbi i Pejës – ballukja pejane

Pëllumbi i Pejës – ballukja pejane

Fjala ”balluke” shpjegohet si një tufë puplash të gjata, që bie mbi ballë; tufa e ballit. Balluke të gjata (të dredhura). Balluket e ballit. Balluket e hedhura para. Ky përshkrim i përshtatet më së miri pëllumbit të bukur të Pejës i cili me shekuj është i njohur si Pëllumbi i Pejës.

Enver Gashi,
Studiues i pëllumbave racor

Nuk dihet saktësisht se çfarë kryqëzimi është bërë për të hedhur në dritë këtë racë elegante dhe mjaft të dëshiruar. Ka një pamje e cila dallon nga pëllumbat e zakonshëm të Kosovës. Se kur ka filluar kultivimi dhe standardizimi i kësaj race është mjaft mistike.

Nuk është ndonjë fluturues i mirë , por ka një bukuri të rrallë. Pëllumbi i Pejës është një variant i veçantë i pëllumbave fluturues dhe ekspozues. Ajo çka e bën specifike është forma, ngjyra dhe ballukja e saj e cila duket si një tufë flokësh që bien mbi ballë apo mund të themi si flokë që lëshohen mbi ballë, ”flokët e ballit”. Në disa raste ballukja duket si një tufë e dredhur.

Ajo çka e bën të dallohet nga pëllumbat e tjerë është qëndrimi i lartë, sqepi i shkurtër, rrathët e syve të cilët janë lyrthakë dhe ballukja apo tufa në kufi të sqepit e cila ndryshe mund të quhet edhe xhufka afër sqepit. Dredha e puplave paraqitet në disa variante: balluke para apo në qëndrim vertikal, si balluke në të djathtë dhe si balluke në të majtë.
Sqepin e ka të shkurtër dhe të trashë, por kjo nuk mjafton për t’i rritur të vegjlit e tij.

Ngjashmërinë më të madhe nga të gjithë pëllumbat ka me pëllumbin kinez të quajtur rrotulluesi gjoksharkor kinez (Chinesischer weiszschild tümmler).Trupi i tyre është i përafërt, të dy llojet kanë sqep të shkurtër dhe balluke të dredhur. Ekzistojnë edhe variante të njëjta të ngjyrave si ajo bardhë e zi dhe ajo kuq e zi.

Dallimet: pëllumbi kinez ka sy me ngjyrë portokalli, kafe të errët dhe sy të zes, kurse pëllumbi i Pejës ka sy të bardhë. Qafa te pëllumbi i Pejës është më e shkurtër dhe koka më e madhe. Sqepi te pëllumbi kinez është më i gjatë. Kjo nuk është shumë e dukshme, por pëllumbi kinez ka sqep të mjaftueshëm për rritjen e të vegjëlve të tij. Kurse pëllumbi i Pejës ka vështirësi në ushqimin dhe rritjen e të vegjëlve për shkak të sqepit shumë të shkurtër. Kjo ndoshta edhe është arsyeja e vetme e pranisë së vogël të kësaj race.

Ballukja e Pejës në ditët e sotme kultivohet me një fanatizëm të veçantë në Pejë, por edhe në Prizren dhe rrethinat e tij, megjithëse me një numër më të vogël.

Ndërtimi trupor: Është një pëllumb i mesëm dhe peshon nga 300 deri në 350 gram. Ka një trup kompakt të qëndrueshëm.

Përshkrimi i racës: Është i mesëm, i fuqishëm dhe me kok ë të rrafshët. Balluken (xhufkën) e ka si një dredhë apo tufë puplash të tubuara afër sqepit dhe puplat fillojnë të mblidhen nga të dy anët duke krijuar një balluke elegante. Sytë i ka të theksuar dhe zakonisht me ngjyrë të bardhë (tamli).

Sqepi është i shkurtër dhe i trashë dhe ka ngjyrë lëkure (të bardhë). Trashësia e sqepit fillon nga pjesa e kokës dhe shumë shpejt përfundon në një maj ë të mprehtë sqepore. Qafën e ka gjithashtu të shkurtër dhe muskulore.

Qafa fillon nga supet dhe bashkohet me kokën harkore me një horizont të rrafshët .

Gjoksi është i gjerë dhe i hedhur para. Shpina është e rrafshët dhe e pjerrake deri te bishti.

Krahë të mesëm dhe të qëndrueshëm të cilët qëndrojnë mbi bishtin e tij. Bishti vazhdon nga vija e shpinës dhe numëron 12 pendë të gjata dhe të gjera. Këmbët i ka të mesme dhe pa pupla.

Puplat: Ka një shkëlqim të mjaftueshëm të puplave t ë gjoksit, i cili është i zakonshëm dhe metalik.

Gabimet e mundshme: Kur ka një trup të dobët, të gjatë apo shumë të shkurtër; kur e ka sqepin të mesëm dhe të gjatë; kur nuk ka balluke dhe kur ka sy me ngjyra të tjera nga e bardha. /Telegrafi/