LAJMI I FUNDIT:

PDK = Pushtet Dorëheqje Kurrë

PDK-ja e ka radhën për dorëheqjet. Ligjet e Kosovës kanë çuar në bankat e të akuzuarve, të të dyshuarve të Gjykatave, ose edhe në burg, një numër bukur të mirë individësh, në rang kryetarësh të komunave e ministrash, të cilët po gjejnë tolerancë brenda PDK-së, ose institucioneve të udhëhequra prej saj dhe po dalin jo fort të barabartë me të gjithë qytetarët, ose edhe me kolegët e tyre nga partitë e tjera. PDK-ja ka mbetur vetëm zero-ja nga fjalitë e Thaçit që përmbajnë nocionet e famshme: zero, tolerancë, të gjithë, të barabartë dhe ligj. A është PDK-ja imune ndaj dorëheqjeve, apo lëmshi është shumë më i ngatërruar se ç’duket?

FUNDI I FUNDIT të gjithë kanë bërë nga një sakrifikim. Fajtorë shumë, pak, ose aspak, veprimin përfundimtar e kanë ndërmarrë për të dhënë shembull se, megjithatë, duhet respektuar rendin e ligjin. Se nuk duhen të bëhen barrë e rrugëtimit të Kosovës në të bërit shtet, e rrugëtimit të saj për t’u konsoliduar si shtet, ose e rrugëtimit të saj – sado në momente me nuanca utopike – drejt arritjes së standardit të demokracisë së mirëfilltë perëndimore. Pa nevojë që edhe më tutje të sheshohen e të analizohen rrethanat, sjellja ose shkeljet e akëcilit deri në hapin e ndërmarrë, ose për më tepër, a janë pajtuar ose jo me fajësinë e veshur ndaj tyre, ata shembullin e dhanë. Shpesh me pikëpamje krejt të kundërta, në një klub këtu e gjejnë veten emrat e Fatmir Sejdiut e Fatmir Rexhepit, Ramush Haradinajt e Bajram Kosumit, e edhe të Nexhat Dacit. Dhe ky klub në fund na del pozitiv. Sado që secili që jeton në Kosovë, ose merr erë nga Kosova, do të pajtohej që lista do të duhej të ishte më e gjatë, bukur më e gjatë. Mirëpo, e veçanta është se këtë klub e përbëjnë të gjitha subjektet politike që pas luftës e kanë shijuar pushtetin, partitë LDK, AAK e LDD, por jo edhe ajo më e madhja aktualisht – PDK-ja. E di se të gjithë e dinë se për çka bëhet fjalë këtu, ndonëse pa u përmendur fare më lart. Pra, për institucionin aq të çmuar e të respektuar në demokracitë bashkëkohore: dorëheqjen.


PARTIA MË E MADHE në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, le që nuk ka njohur në radhët e saj ndonjë dorëheqje nga rangjet e rëndësishme institucionale (hiq ato për çështje të brendshme partiake nga postet e deputetëve dhe zv. ministrave), por edhe një rast të vetëm e të izoluar të dorëheqjes, atë të Qazim Qeskës nga pozita e kryetarit të Rahovecit, nuk e pranoi, duke e kthyer atë përdhunshëm në post. E me këtë gjest, siç u vërtetua edhe nga Gjykata Kushtetuese, është bërë edhe një shkelje krejt e re, ndoshta e denjë për një dorëheqje në rangje edhe më të larta. Por, heqja dorë nga pushteti dhe PDK-ja duket se nuk shkojnë bashkë, ose edhe shkojnë nëse akronimi i partisë lexohet: Pushtet Dorëheqje Kurrë – PDK.
Edhe një herë, pra, për kryetarin (e PDK-së) e kryeministrin Thaçi – është koha e fundit që të lëvizet nga fjalët në vepra. Mund të thuhet se secili qytetar i Kosovës tashmë i ka mësuar përmendësh fjalitë për “zero toleranca” e “të gjithë të barabartë para ligjit”. Por ligjet e Kosovës kanë çuar në bankat e të akuzuarve, të të dyshuarve të Gjykatave, ose edhe në burg, një numër bukur të mirë individësh që po gjejnë tolerancë brenda PDK-së, ose institucioneve të udhëhequra prej saj dhe po dalin jo fort të barabartë me të gjithë qytetarët, ose edhe me kolegët e tyre nga partitë e tjera. Në gjendjen e tanishme PDK-ja ka mbetur vetëm zero-ja nga fjalitë e Thaçit që përmbajnë nocionet e famshme: zero, tolerancë, të gjithë, të barabartë dhe ligj.

TRE KRYETARË TË KOMUNAVE nga radhët e PDK-së kanë përjetuar arrestime, procese të vazhdueshme gjyqësore, vuajtje të dënimeve me burg etj. etj. Kryetarët e Kaçanikut, Skënderajt e Ferizajt kanë pasur probleme serioze me ligjin dhe atë me shkeljet ndër më të rëndat, të cilat përfshijnë afera korruptive, vrasje nga pakujdesia, kërcënime, keqtrajtime, mosbindje ndaj organeve të rendit e shumëçka tjetër. Ata kanë vazhduar të jenë autoritet suprem për qytetarët të cilët i udhëheqin. Nuk kanë denjuar fare që së paku të kërkojnë falje, të tërhiqen, ose të japin dorëheqje, së paku për të dhënë një shembull të mirë moral për qytetarët që nuk ua kanë për borxh aferat. Aq më rëndë, ka ndodhur një gjë e kundërt në ndërkohë: qytetarët janë bërë shembull për frikën që kanë nga ata që vetë i kanë zgjedhur.
Në disa ministri, të udhëhequra nga PDK-ja, ka pasur bastisje të zhurmshme, ose marrje të qeta në pyetje, arrestime të nëpunësve e dyshime për ministra. Sërish: zero.

Dorëheqjet do të duheshin të ndodhnin sa më parë dhe pastaj në mënyrë ligjore të synohet dëshmimi i pafajësisë dhe kthimi i nderit në vend. Këtë tashmë e kemi parë të ndodhë në Kosovë te individët udhëheqës të përmendur që në krye. As Sejdiu e as Rexhepi, as Haradinaj e as Kosumi, e as Daci, asnjëherë nuk janë pajtuar se kanë bërë ndonjë shkelje ose faj për të cilin do të duhej që të paguanin, por kanë dhënë dorëheqje për të mos u bërë pengues të proceseve aq të domosdoshme për shtetin e ri, dhe siç dihet tashmë, disave prej tyre në ndërkohë iu është vërtetuar pafajësia.
Prej nga, pra, ky imunitet i PDK-së? I pari i kësaj partie, që është edhe i pari i ekzekutivit kosovar, do të duhej t’i bindte votuesit e qytetarët se edhe ata duhet t’i nënshtrohen zero tolerancës dhe se edhe ata nuk janë mbi ligjin. Ose për më tepër, me gjithë porosinë e përçuar kohët e fundit se edhe ata assesi nuk janë mbi qytetarët e tjerë të Kosovës. Se s’janë të paprekshëm. Hyjnorë, në njëfarë mënyre.
Duke parë se një gjë e këtillë nuk po ndodh brenda kësaj partie, atëherë vetëm sa fitojnë në peshë spekulimet e njohura tashmë, e që thonë se aq llugë është dhe aq të ndërvarur janë individë të caktuar në hierarkinë e partisë më të madhe në Kosovë sa që e kanë bërë atë t’i ngjajë xhemperit të leshtë, të cilit po ia nxore një fije, mund të vazhdojë të shthuret krejtësisht.

PDK-ja E KA PËR BORXH që me shumë dorëheqje të hyjë në klubin jo fort të dëshirueshëm të të dorëhequrve në Kosovë. Nëse do ta bëjë këtë sa më shpejt, aq më shpejt do të mund të pritej që edhe Kosova të hynte në klubin e demokracive perëndimore, në të kundërtën, në qoftë se vazhdohet kursi i deritashëm, i sigurt mund të jetë vetëm klubi i diktaturave të Lindjes.

Në trend

Më shumë
E mposhti Furyn me spektakël, por Usykut do t’i hiqet titulli kampion i peshave të rënda në boks

E mposhti Furyn me spektakël, por Usykut do t’i hiqet titulli kampion i peshave të rënda në boks

Boks
Shpërthen ‘bomba’ në Spanjë: Dyshohet për një ndeshje të trukuar në La Liga

Shpërthen ‘bomba’ në Spanjë: Dyshohet për një ndeshje të trukuar në La Liga

La Liga
Allen përmend Asociacionin, e ndërlidh me rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

Allen përmend Asociacionin, e ndërlidh me rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

Lajme
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Tek Arsenali të sigurt se do shpallen kampionë – dalin pamjet duke prezantuar trofeun

Tek Arsenali të sigurt se do shpallen kampionë – dalin pamjet duke prezantuar trofeun

Premier League
Cristiano Ronaldo tregohet dinak kur parashikon fituesin e Ligës Premier këtë sezon

Cristiano Ronaldo tregohet dinak kur parashikon fituesin e Ligës Premier këtë sezon

Ndërkombëtare
Kalo në kategori