Në përvjetorin e 27-të të rënies heroike të Komandant Mujë Krasniqit – Kapuçit dhe 40 dëshmorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkujtuar betejën e 14 dhjetorit 1998 në Likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashtrikut.

Sipas njoftimit të PDK-së, gjatë kësaj beteje, luftëtarët e lirisë ranë në pritë, por u përballën me armikun me guxim të jashtëzakonshëm, duke shfaqur sakrificë të lartë për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës.


PDK-ja ka renditur emrat e 41 dëshmorëve, duke përfshirë Mujë Halil Krasniqin, Komandantin e Brigadës 113 të UÇK-së, si dhe bashkëluftëtarë nga Klinë, Skënderaj, Drenas, Shtime, Lipjan, Malishevë, Ferizaj, Rahovec, Prizren, Suharekë, Istog, Hani i Elezit dhe Vushtrri.

Në njoftim theksohet se sakrifica e këtyre dëshmorëve mbetet amanet i përhershëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe një kujtesë e pandryshueshme për lirinë dhe dinjitetin kombëtar./Telegrafi/