LAJMI I FUNDIT:

PDK akuzon Konjufcën për ndërprerje të paprecedentë të seancës për Trustin: Në sallë ishin 80 deputetë

PDK akuzon Konjufcën për ndërprerje të paprecedentë të seancës për Trustin: Në sallë ishin 80 deputetë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pasi Kuvendi sot nuk pati kuorum për të vazhduar pikën e tetë të rendit të ditës që kishte të bënte me shqyrtimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se në sallë ishin të pranishëm 80 deputetë. Ndaj sipas tij, nuk ka pasur arsye që seanca të ndërpritet.


Por, siç tha Tahiri në një konferencë për media, pozita po gjen metoda të ndryshme në Kuvend për ta penguar votimin e Projektligjit për Trustin.

Kuvendi pa kuorum për të votuar tërheqjen e parave nga Trusti, seanca vazhdon nesër
Lexo po ashtu Kuvendi pa kuorum për të votuar tërheqjen e parave nga Trusti, seanca vazhdon nesër

E kjo sipas tij është paprecedentë, teksa shtoi se seanca mund të ndërpritet vetëm me mocion procedural e jo në atë mënyrë siç bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Sot në mënyrë të paprecedentë është ndërprerë seanca e Kuvendit pikërisht kur erdhëm te pika e diskutimit për Trustin, një kërkesë e qytetarëve për t’i tërhequr mjetet. Nëse do të ndërpritet seanca apo do të vazhdojë këtë e vendos vetë seanca me mocion procedural, e jo kryeparlamentari”.

“Kështu ka ndodhur në të kaluarën. Ju e patë që ishin prezentë rreth 80 deputetë. Pra, s’pati arsye që seanca të ndërpritet e të vazhdojë për nesër. Nuk e di se cilat kanë me qenë arsyet nesër për ta bllokuar edhe më tutje debatin për këtë iniciativë dhe në fund votimin. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Tahiri, para mediave.

Tutje, ai tha se sikur LVV-ja të ishte e angazhuar në qeverisjen e vendit në këtë mënyrë siç po e bllokon votimin e këtij projektligji, “besoj se më mirë do t’i kishim pasur punët”.

Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu si iniciues i kësaj nisme ligjore, tha se në fillim pati një optimizëm për votim, por akuzoi Qeverinë se po bën presion mbi deputetët. /Telegrafi/