LAJMI I FUNDIT:

PDK konfirmon votën për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike

PDK konfirmon votën për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike
Foto: Arkiv

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do ta votoj Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se PDK do të iniciojë seancë të jashtëzakonshme për Projektligjin për Rimëkëmbje.

Hoxhaj ka thënë se për këtë presin që edhe edhe partitë  tjera ta votojnë një Projektligj të tillë.


“Propozimet që i kemi debatuar gjatë janë amandamentuar dhe kanë mbështetjen tonë”, ka thënë Hoxhaj.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Hoxhaj ka përkujtuar se propozimet e tyre fillimisht nuk janë përkrahur nga Qeveria.

“Ne jemi parti që ofron alternativa, dhe sot si kryesi kemi debatuar sesi ta ndihmojmë vendin. Kem pas një qartësi sesi duhet ti qasemi pasojave të pandemisë, dhe në prill kemi pas disa propozime që nuk janë mbështet nga kolegët në Qeveri. Për muaj të tërë disa herë më radhë ka dështuar që të miratohet pakoja e qeverisë”, ka thënë Hoxhaj.

“Në fillim, ne e propozuam një pako prej 320 milionë euro, para të cilat i ka pasur Kosova në arkën e shtetit, por që për fat të keq, nuk u shpenzuan në atë kohë nga Qeveria Kurti për të zbutur krizën ekonomike. Këtë çasje konstruktive në raport me ekonominë dhe problemet e qytetarëve, Partia Demokratike e Kosovës e ka ndjekur edhe për qeverinë aktuale. Me muaj të tërë kemi kërkuar që partitë parlamentare të ulen e të plotësojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, por në mungesë të vullnetit për bashkëpunim, qeveria e ka propozuar një ligj që në përmbajtje është i mangët dhe ka nevojë të plotësohet”, shtoi Hoxhaj.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, përcjell Telegrafi.

“Më në fund, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, pas reflektimit të Qeverisë në raport me kërkesat e PDK-së, kalon Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Bashkë me Bedri Hamza, si anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, kemi arritur t’i shtyjmë përpara amendamentet të cilat kanë qenë kërkesa të PDK-së, pas diskutimeve që kemi pasur si subjekt politik me komunitetin e biznesit”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ai ka treguar se cilat kanë qenë amandamentet e propozuar për këtë Projektligj.

“Kërkesat tona të cilat i kemi propozuar përmes amendamenteve janë: Pako pre 200 milionë euro për bizneset, Mbështetje me nga 300 euro për tre muaj për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë, Rimbursimi i 10% të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional i Kosovës, për të gjithë ata që kanë deri në 9,999.00 euro dhe Lirimi nga TVSh-ja për lëndën e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore, pavarësisht a eksportohen jashtë vendit a jo”, ka përfunduar Gashi.

Javën e kaluar, Projektligji në mungesë të kuorumit kishte dështuar të miratohet nga ky Komision.

Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

​Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike kalon në Komisionin për Buxhet, përfshihen kërkesat e PDK-së
Lexo po ashtu ​Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike kalon në Komisionin për Buxhet, përfshihen kërkesat e PDK-së

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/