Zyrtarizohet marrëveshja për koalicion mes PDK dhe AAK në Mitrovicë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nënshkruar sot (3 nëntor) marrëveshjen e koalicionit për balotazhin në Komunën e Mitrovicës.
Qazim Nimani nga AAK kishte konfirmuar për Telegrafin se kjo parti do ta mbështes kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, në garën për kryetar të Mitrovicës, që do të zhvillohet më 9 nëntor, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje – Guxo.
"Po kemi marrëveshje, derisa marrëveshja për koalicion do të nënshkruhet në ora 13:00", tha kreu i AKK-së në Mitrovicë.
Tani është zyrtare marrëveshja mes dy partive, pasi kështu ka bërë të ditur kandidati për kryetar të kësaj komune nga PDK, Arian Tahiri.
"Sot, zyrtarisht edhe AAK-ja i është bashkuar rrugëtimit dhe vizionit tonë për Mitrovicën. Faleminderit kryetarit z. Qazim Nimani dhe strukturave të AAK-së për besimin dhe mbështetjen!Mitrovicën e kemi shtëpi dhe së bashku do ta ndërtojmë kapitullin e ri të bashkëpunimit, punës dhe shpresës.9 nëntori do të jetë dita e bashkimit të qytetarëve, sepse Mitrovica është mbi partitë politike", ka shkruar Tahiri.
Kujtojmë se PDK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me LDK-në në Mitrovicë, ndërsa AKR dhe KDTP kanë bërë të ditur mbështetjen e tyre për kandidatin Tahiri në këtë balotazh. /Telegrafi/

















































