Pas një procesi konsultimesh dhe bashkëbisedimesh, është arritur marrëveshja e koalicionit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Dragashit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV), Koalicionit Vakat dhe kandidatit të pavarur Nedzmidin Sejdilar.

Sipas njoftimit të kandidatit të PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, para arritjes së marrëveshjes është bërë harmonizimi i programeve dhe parimeve qeverisëse, të cilat do të shërbejnë si bazë për një qeverisje të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve të komunës.


“Kjo marrëveshje është dëshmi e bashkëpunimit për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe në interes të përbashkët të secilit qytetar, pa dallim”, ka deklaruar Shabani.

Ndryshe nga raundi i parë i zgjedhjeve në Dragash prin kandidati i LDK-së Behxhet Xheladini me 45.62% i cili kishte koalicion parazgjedhor me SDU-në e Duda Baljes./Telegrafi/