LAJMI I FUNDIT:

PDK + AAK + pakicat

Zgjedhjet

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit përfunduan ashtu siç pritej. Me ca parregullsi dhe fitore të PDK-së. Sovrani me sjellje që tregoi ditën e zgjedhjeve e tha fjalën e vet, së pari dëshmoi dashuri e respekt për vendin e tij, dhe së dyti, me votën e dhënë shprehu nevojën për ndryshime. Përveç incidenteve të izoluara dhe siç thuhet manipulimeve në Skenderaj e Drenas (ku u vodhën apo jo votat, dihet se kush fiton), zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke njohur klasën tonë politike, mund të quhen, megjithatë, si të kënaqshme, por jo edhe aq demokratike. Se PDK-ja fiton mbi 50 për qind në Skenderaj dhe Drenas, askush nuk e vë në dyshim. Andaj nëse vërtetohet se ka ndodhur ajo që thuhet të ketë ndodhur, atëherë kjo parti nuk kishte nevojë për këtë njollë. Kështu nuk votohet vetëm në Skenderaj e Drenas, kështu votohet për LDK-në në Podujevë dhe për AAK-në në Deçan. Lokalizmi, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, është ende i theksuar në këto anë, e të cilin, e kanë forcuar edhe më shumë liderët e partive që e kanë origjinën prej aty. Por kjo është e keqe më e vogël krahasuar me vjedhjen e votave që bëhen nga partitë që i kanë bastione të veta këto rajone. Në rastin konkret, prapë nëse konfirmohet, përgjegjësinë politike për atë që thuhet se ka ndodhur në Skenderaj dhe Drenas, duhet ta mbajë PDK-ja, ndërsa për dhunimin e votës së lirë duhet të pasojë ndëshkimi, edhe penal, për të gjithë ata persona të cilët manipuluan me votën e qytetarëve.


Rezultatet

Për të mos degjeneruar procesi si në zgjedhjet e kaluara lokale, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duhet të shqyrtojë sa më shpejtë ankesat e partive, ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të dalë sa më parë me rezultate përfundimtare. Partive politike nuk duhet t’iu mundësohet fushë veprimi që me hamendje të dalin me rezultate zgjedhore, e kështu të manipulojnë me votën dhe ndjenjat e qytetarëve. Kosovës, qytetarëve të saj, i duhet një proces zgjedhor i rregullt, demokratik, dhe assesi zvarritje dhe kontestim rezultatesh nga partitë politike. Natyrisht, subjektet politike kur kanë argumentet, nuk duhet të lëshojnë pe për asgjë. Vjedhjen e votave nuk duhet toleruar nga askush, as atëherë kur mospranimi i rezultateve interpretohet nga disa se mund ta dëmtojë Kosovën. Është më mirë të dëmtohet njëherë, se sa të vidhet vazhdimisht. Kësaj radhe, sa janë të dëshpëruara partitë “humbëse” me rezultatet e së dielës, po aq e dëshpëruar duhet të jetë PDK-ja nëse konfirmohen manipulimet në Skenderaj dhe Drenas. Nga ana tjetër, partitë tona politike duhet të pajtohen edhe me pranimin e fitores së dikujt dhe të mos kontestojnë rezultatet për të arsyetuar humbjet e veta. Isa Mustafa duke ftuar simpatizantët e LDK-së të mos festojnë para nxjerrjes së rezultateve nga KQZ-ja, ndjeu humbjen, tregoi maturi politike, tregoi se është lider. Dhe sjellja e tillë duhet të vlejë për të gjithë. Sepse, me gjithë “manipulimet” në Skenderaj e Drenas, PDK-ja mbetet partia e parë. I tillë ka qenë edhe opinioni publik para zgjedhjeve, të tilla dolën edhe rezultatet e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Koalicioni

Tani, të mësuar me koalicione “të panatyrshme”, bazuar në rezultatet e dhëna nga KQZ, Demokracia në Veprim dhe Instituti “Gani Bobi”, duket se i ka ardhur radha edhe një koalicioni të tillë. Koalicioni PDK + AAK + pakicat, është i mundshëm dhe ka shumë gjasa të mira të arrihet. AKR-ja me votat e fituara, gjithnjë sipas rezultateve ende jozyrtare, nuk doli të jetë faktor që mendonte se ishte përpara zgjedhjeve. E dalë “jashtë loje” dhe e dëshpëruar pa masë, mbase pa arsye, nxori edhe rezultatet e veta, që për përveç se anonte për vetveten, për një arsye apo tjetër, anoi edhe kah LDK-ja.
Në anën tjetër, koalicion më i panatyrshëm kësaj radhe do të ishte përsëritja e koalicionit PDK + LDK, nëse kemi parasysh mënyrën se si u ndanë para zgjedhjeve dhe rezultatin që morën të dielën.
Koalicioni PDK+AAK në radhë të parë do të shuante lokalizmin që e nxitën pikërisht këto dy parti në Kosovë. LDK-ja nuk ishte lokaliste nën udhëheqjen e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Lokalistë të vegjël ishim edhe përpara, por lokalizmin me të cilin filluam të ndeshemi dhe të pësojmë prej tij pas luftës, e nxiti dalja në skenë e PDK-së dhe AAK-së, e pas vdekjes së Rugovës, në këtë rrëshqiti edhe LDK-ja. Koalicioni PDK+AAK, nëse do të krijohej me sinqeritet, do të shuante “hasmëritë” dhe “bajraktarët” dhe me siguri se do të forconte unitetin aq shumë të nevojshëm në këtë periudhë për shtetin e Kosovës. Natyrisht nëse në fund nuk do të ndaheshin me marre ashtu sikurse u ndanë PDK-LDK.

Opozita

Koalicioni PDK+AAK do të mundësonte lënien në opozitë të dy partive të forta, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje!, të cilat do të monitoronin me llupë qeverisjen e ardhshme. Duke pasur parasysh rezultatet e KQZ-së, mund të thuhet se elektorati në Kosovë ka filluar të ndërgjegjësohet, dhe se militantë ka gjithnjë e më pak. Kështu që në rast të keqqeverisjes, opozita e bashkuar do të mund të vë shumë lehtë në lëvizje masën për rrëzimin e qeverisë, jo me dhunë, por me protesta, si formë legjitime për të bërë ndryshime. Sepse pavarësisht se si do të qeverisë qeveria e ardhshme, LDK dhe Vetëvendosje!, si opozitë, kanë tendencë rritjeje duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet Kosova. Në këtë situatë, qeveria e ardhshme duhet të bëj maksimumin për të marrë serish besimin e qytetarëve, sepse ndryshe puna e saj në këtë varfëri sociale dhe ekonomike, do të jetë e padukshme. Andaj LDK dhe Vetëvendosje!, do të kenë shumë përparësi nga të qenit opozitë e qeverisë së ardhshme. Ndoshta është për keqardhje që në këtë mes nuk do të ndodhet edhe Partia Fryma e Re, e cila me pesë për qind, do t’ia shtonte edhe më frymëmarrjen opozitës.

Qeverisja

Qeveria e ardhshme, të cilën do ta formojnë disa nga partitë, duhet të jetë qeveri e Kosovës. Po e quajmë të Kosovës, pasi pasluftës jemi mësuar me etiketime si “qeveri klanesh”, “qeveri gangsterësh”, “qeveri e kriminalizuar” dhe rrallë kemi dëgjuar se kemi një qeveri tërësisht e përkushtuar ndaj qytetarit të Kosovës. Secila parti që ishte në qeverisje me ndonjë parti tjetër, shprehej se koalicioni ishte imponuar nga miqtë ndërkombëtar për të mirën e Kosovës, dhe se në rrethana të tjera nuk do të qeverisnin bashkë. Sidoqoftë, nëse nuk i bashkon asgjë tjetër, njollën e korrupsionit e ka secila parti politike që ishte pjesë e qeverive të pasluftës. Kështu që dështimi i qeverisë së ardhshme do të jetë shumë më i shpejtë nëse ajo do të vazhdojë të kopjojë qeveritë e kaluara.
Qeverisja e mirë nuk do demagogji, as gënjeshtra as fjalë boshe, por do reforma në secilin segment të shoqërisë sonë, do përkushtim në punë dhe zbatim të ligjeve, të cilat nuk kanë vlerë nëse nuk i përfillim. Qeverisja e mirë do krijimin e kushteve për investim në të gjithë sektorët e mundshëm, kushte për zhvillim ekonomik. Qeverisja e mirë do pavarësi të gjyqësorit, që në Kosovë është tërësisht i ndikuar nga politika, pavarësisht demagogjive të politikanëve për pushtete të ndara. Qeverisja e mirë do luftë kundër korrupsionit duke filluar nga vetvetja, dhe këtë nëse do, edhe pse e ka pak të vështirë, mund ta bëj koalicioni i mundshëm PDK-AAK. Pra duke filluar nga vetvetja.
E nëse kjo bëhet, së shpejti do të vije koha e heqjes së vizave (që nuk mund të vlerësohet si ndonjë arritje e madhe për ditët e sotme) dhe e integrimi euroatlantik. Po ashtu miqtë tanë ndërkombëtarë nuk do të përzihen më në punët tona, por do të qëndrojnë pranë. Përndryshe do të kalojmë edhe të paktën një dekadë duke u zvarritur dhe duke bërë me gisht prej nesh.

Në trend

Më shumë
Thomas Tuchel konfirmon një mungesë të madhe të Bayernit për ndeshjen me Real Madridin

Thomas Tuchel konfirmon një mungesë të madhe të Bayernit për ndeshjen me Real Madridin

Liga e Kampionëve
Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Magazina
Pas 22 vitesh klubi i njohur kthehet në Ligën Premier – fituesit e titullit dhe një trofeu evropian tani janë në elitën e futbollit anglez

Pas 22 vitesh klubi i njohur kthehet në Ligën Premier – fituesit e titullit dhe një trofeu evropian tani janë në elitën e futbollit anglez

Premier League

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Lajme
Diola Dosti dhe Erolld Belegu në vëmendjen e publikut:  Biznesmeni jep përgjigjje për të gjitha kritikat e publikut

Diola Dosti dhe Erolld Belegu në vëmendjen e publikut: Biznesmeni jep përgjigjje për të gjitha kritikat e publikut

Magazina
Kalo në kategori