LAJMI I FUNDIT:

Pavarësia Sui Generis

Njohja e institucioneve

Marrëveshja për përfaqësim rajonal zgjoi debat të nxehtë në gjithë shoqërinë kosovare. Siç pritej u arrit diçka që interpretohet nga të dyja palët sipas mënyrës së tyre. Qeveria e Kosovës thotë se Serbia njohu pavarësinë e Kosovës. Kurse Qeveria e Serbisë thotë se u respektua sovraniteti i Serbisë. Ajo çfarë e bën të veçantë politikisht këtë marrëveshje është se nuk ka konsensus as te miqtë ndërkombëtar si p.sh. në rastin e pakos së Ahtisaarit. Shumë komentues ndërkombëtarë e shohin këtë si hap mbrapa.


A e njohu Serbia Kosovën? Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia as që është kërkuar. Me këtë marrëveshje Serbia njeh institucionet e Kosovës, të cilat deri më tash nuk i njihte fare, duke e njohur UNMIK-un. Pra në sytë e Beogradit janë njohur institucionet e Kosovës që i sheh si ato të Vojvodinës (të cilat gjithashtu angazhohen në bashkëpunim ndërkombëtar). Njohja e institucioneve brenda Rezolutës 1244 fare nuk do të thotë njohje e pavarësisë, madje edhe po të pranohej emërtimi “Republikë”.

Pra, raporti i Kosovës me Serbinë vazhdon të jetë siç ka qenë, me dallimin që tashti është formalizuar dhe rregulluar. Kurse raporti i Kosovës me shtetet tjera, prapë vazhdon të jetë siç ka qenë, me dallimin se kjo marrëveshje e ngurtëson statusin e Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare si sui generis. Pra edhe nëse Kosova e ka shpallur pavarësinë, pavarësia e saj është sui generis, edhe për shtetet që e njohin atë.

Rasti i Kosovës tash është në mes të rastit të statusit të Qipros Veriore, dhe emërtimit të Maqedonisë, dhe është i ngjashëm me Taivanin. Edhe pse në marrëveshje thuhet se kjo zgjidhje është e përkohshme, e përkohshmja lehtë bëhet e përhershme. Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë (që u bë rrafsh 4 vite mbas pavarësimit të Maqedonisë) për emrin, ishte paraparë të jetë e përkohshme dhe për më tepër rregullonte vetëm emërtimin në kontaktet bilaterale mes dy shteteve e jo angazhimet ndërkombëtare të Maqedonisë. Por kjo u bë pengesë e vazhdueshme për Maqedoninë. Greqia, së pari e detyroi Maqedoninë ta përdorë emërtimin FYROM edhe në marrëdhënie ndërkombëtare. E tash, e pengon të anëtarësohet në NATO e BE, edhe pse marrëveshja nuk ia ndalon atë.

Pra kjo marrëveshje pa dyshim se do të përdoret nga Serbia për ta penguar çdo lëvizje të Kosovës. Për më tepër, nëse Serbia futet në BE para Kosovës, ajo do të veprojë si Qiproja jugore, e cila ia kushtëzon Qipros veriore futjen në BE me njohjen e sovranitetit të Qipros jugore. Pra, sa më shumë që përparon Serbia drejt BE-së, aq më shumë i forcohet pozita në raport me Kosovën. Dhe sa më shumë që ofrohen të dy shtetet bashkë BE-së aq më shumë rritet nevoja e sqarimit të çështjes së pavarësisë.

Sidoqoftë, mund të vihet në dyshim edhe i tërë fokusi në organizata rajonale. Pse duhet të komplikohet statusi i Kosovës për organizata rajonale? Dhe a do të thotë pjesëmarrja në organizata rajonale (si CEFTA) njohje e pavarësisë? Tajvani është anëtar i organizatës rajonale APEC, dhe këtë e ka arritur në bazë të kompromisit të emërohet si Taipei Kinez (kompromis i ngjashëm me Kosova*). Por kjo nuk ndryshon asgjë në njohjen e sovranitetit të Tajvanit. Pastaj ka edhe shumë pyetje tjera pa përgjigje si A do të anëtarësohet Kosova në organizata sportive me Kosova* apo nuk do të mund ta bëjë as këtë? Me këtë marrëveshje është formalizuar statusi i Kosovës me pavarësi pa sovranitet, ose më shumë se autonomi e më pak se pavarësi, që ishte plani i Koshtunicës.

Mashtrimi i madh

Kjo marrëveshje e formalizon pavarësimin pa sovranitet të Kosovës dhe ia mundëson Serbisë ikjen nga përgjegjësia. Me “pavarësimin“ e Kosovës pa sovranitet Serbia ka arritur një zgjidhje të mrekullueshme. Ka hequr dorë nga të gjitha përgjegjësitë për qytetarët e Kosovës, duke pretenduar të gjitha të drejtat. Përmes ndarjes funksionale të serbëve dhe shqiptarëve brenda Kosovës, Serbia arrin dy qëllime. Një, në fakt qeveris me serbët e Kosovës (dhe disa joshqiptarë tjerë) duke mbajtur gjendjen më të mirë socioekonomike të tyre. Dhe dy, largon nga vetja çfarëdo përgjegjësie për varfërinë tek shqiptarët e Kosovës, një problem me të cilin është përballur nga ndërkombëtarët në të kaluarën.

Për më tepër, duke pas parasysh ekonominë e dobët të Kosovës, marrëdhënia asimetrike e saj me shtetet tjera, e mirëmban ose e forcon nivelin e varfërisë duke detyruar kështu sa më shumë shqiptarë të emigrojnë. Pra, pa sovranitet dhe pa ekonomi, “pavarësia” e Kosovës është vetëm një iluzion.

Retorika rreth marrëveshjes

Ajo çka ishte shumë e çuditshme është edhe retorika rreth kësaj marrëveshje. Kryeministri i akuzoi kundërshtarët si antiperëndimorë dhe në këtë akuzë u bashkëngjit edhe Ambasadori Dell. Kjo ishte absurde dhe e pakuptueshme. Por deklarimet e “arsyetuesve” të qeverisë dhe disa deklarata nga Lambsdorf-i i Gjermanisë për Vetëvendosjen, na bëjnë të kuptojmë arsyen e këtyre deklaratave. Me “anti-amerikanë” qeveria po tenton ta njollosë Vetëvendosjen me etiketën e islamizmit, sepse paska përkrahje për Vetëvendosjen tek islamistët. Kjo është edhe më absurde, kur dihet se islamistët janë në qeveri. Rasti i kësaj marrëveshjeje pra u shfrytëzua për një goditje më të rëndë të opozitës, që ndoshta na bën të kuptojmë pse LDK e AAK nuk i dhanë votat Vetëvendosjes për seancë të Kuvendit.

Deklarata e Lambsdorf, na bën të kuptojmë se imazhi i Vetëvendosjes tek ndërkombëtarët është krijuar nga kundërshtarët e saj. Dell ndoshta sinqerisht beson se Vetëvendosja, dhe sipas asociacionit edhe LDK, janë antiamerikanë, sepse ashtu i ka thënë qeveria. Sjellja e qeverisë të kujton diktaturat e lindjes së mesme të stilit të Mubarakut. Këta diktatorë e siguronin qëndrimin e tyre në pushtet duke i frikësuar perëndimorët me mundësinë e marrjes së pushtetit nga islamistët. Dhe qeveria e Kosovës tenton të sigurojë përkrahje ndërkombëtare, meqenëse i mungon legjitimiteti vendor, duke i frikësuar miqtë tanë me Vetëvendosjen e rrezikshme e “islamiste”! Sidoqoftë, pranvera arabe e dëshmoi se kjo politikë është e gabueshme. Dhe është varfëria (e rritur nga politikat qeveritare) ajo që i forcon islamistët. Përderisa Vetëvendosja shihet se ka punë për të përmirësuar imazhin e saj, qeveria bën mirë që të fokusohet në zhvillimin e forcimin e sovranitetit të vendit e jo në demonizim e kundërshtarëve në mënyrë cinike.