Pau Cubarsi, “kamerieri i McDonald’s” që e bëri Lewandowskin ta pyesë "se a je vërtet 17 vjeç"

Pau Cubarsi ka prekur elitën e futbollit në një moshë shumë të re. Qendërmbrojtësi i FC Barcelona debutoi me ekipin e parë në janar 2024, vetëm katër ditë para se të mbushte 17 vjeç, në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Unionistas de Salamanca CF.
Pak më vonë erdhi edhe debutimi në LaLiga, një moment që ai e rikujton në një intervistë për L'Équipe.
“Një ditë pas debutimit tim si titullar kundër Betisit, Xavi më uroi ditëlindjen para të gjithëve. Robert Lewandowski erdhi tek unë dhe më tha: ‘Je vërtet 17 vjeç?’. Nuk mund t’u besoja syve të mi. Ndoshta dukesha ende si fëmijë…”, ka treguar ai, duke buzëqeshur.

Rrënjët dhe jeta larg futbollit dhe lidhja me Yamalin
Cubarsi flet me nostalgji për shtëpinë e prindërve të tij, ku rikthehet sa herë që ka mundësi për t’u shkëputur nga ritmi i futbollit profesional.
“Në shtëpi kemi dele, dy qen, pula dhe rosa. Delet kullosin në lëndinë dhe ne hamë vezët e freskëta që bëjnë pulat tona. Kur kthehem atje, shkëputem plotësisht”, është shprehur ai.

Mbrojtësi ka një lidhje të veçantë me Lamine Yamal, me të cilin ka ndarë pothuajse të njëjtën rrugë në akademinë e Barcelonës.
“Unë dhe Lamine kemi praktikisht të njëjtën trajektore. Ai përparoi edhe më shpejt. Është shumë e lehtë të luash me të. Jepja topin dhe ai e vendos ndeshjen. Që fëmijë e ka pasur këtë dhuratë. Një herë, në stërvitje, më dribloi në një situatë një kundër një, rrëshqita dhe përfundova në tokë. Më ngacmoi për një javë me radhë”, ka thënë Cubarsí me humor.
“Kamerieri i McDonald’s”
Në një ndeshje të vitit 2024 ndaj FK Crvena Zvezda, Cubarsi pësoi një prerje në fytyrë. Për të luajtur disa ditë më vonë kundër Real Sociedad, ai u detyrua të mbante një helmetë mbrojtëse.
😅 Pau Cubarsí: "After my injury against Red Star last season, I had to wear a protective helmet that made me look like a McDonald's employee.
My teammates called me the McDonald's waiter." pic.twitter.com/GgtnUf1RmS
— total Barça (@totalBarca) February 16, 2026
“Dukesha si një punonjës i McDonald’s. Shokët e skuadrës më quanin ‘kamerieri i McDonald’s’”, ka përfunduar ai me të qeshur, duke treguar anën më të lehtë të rrugëtimit të tij drejt majave të futbollit evropian. /Telegrafi/





















































