Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur dëgjon që Donald Trump po mban një takim në Shtëpinë e Bardhë për të ardhmen e Gazës, pa praninë e asnjë përfaqësuesi të popullit palestinez - madje as nga Izraeli apo nga vendet fqinje arabe - duhet të kesh frikë nga më e keqja.


Por, kur dëgjon gjithashtu se Tony Blair disi ka arritur të përfshihet në këto diskutime, mund të marrësh frymë i lehtësuar.

Në këtë kontekst, dhe në kuadrin e pamjes së zymtë për popullin palestinez, fakti që ish-kryeministri britanik ishte i pranishëm në atë që mund të quhet një sesion "vizionar" në Zyrën Ovale - për të diskutuar me Trumpin për të gjitha aspektet e çështjes së Gazës, përfshirë dërgimin e ndihmave ushqimore, krizën e pengjeve dhe planet për momentet pas përfundimit të luftës - është asgjë më pak se një ndërhyrje hyjnore.

Përveç të dërguarit të padobishëm të Trumpit “për paqen”, Steve Witkoff - i cili keqkuptoi në mënyrën më fatale qëllimet e Putinit para samitit të Alaskës - personi tjetër me përvojë në rajon ishte Jared Kushner, dhëndri i Trumpit dhe i dërguari i tij gjatë mandatit të parë.

Ndoshta i vetmi në atë takim, Blair, në fakt beson në zgjidhjen me dy shtete - edhe pse vitet që kaloi si i dërguar ndërkombëtar për paqen nuk sollën ndonjë përparim dhe ndoshta i kanë shtuar dyshimet e tij. Në kohë pak më shpresëdhënëse, nga largimi i tij si kryeministër në vitin 2007 e deri më 2015, Blair veproi në emër të Kuartetit të përbërë nga OKB-ja, BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia. Një pjesë e mandatit të tij ishte zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës në territoret e pushtuara. Shumica e asaj që u ndërtua, me ndihma ndërkombëtare, tani është kthyer në pluhur nga një kombinim i municioneve izraelite dhe keqqeverisjes të Hamasit.

Por, pse ishte Blair aty? Të bie ndërmend fraza se kjo “ka të bëjë me Peter Mandelsonin”, duke qenë se Lordi Mandelson [ambasador britanik në ShBA] është njeriu ynë i zhdërvjellët në Uashington dhe mbetet i afërt si me ish-kryeministrin britanik ashtu edhe me atë të tashmin.

Sigurisht, shumë njerëz mendojnë se puna e dikurshme e Blairit si i dërguar për paqen në Lindjen e Mesme ishte një shaka e keqe, dhe nuk do t’ia falin kurrë luftën e paligjshme në Irak dhe gjithçka që pasoi. Ata ndihen të neveritur vetëm që shohin atë njeri, aq më tepër që ka qasje te presidenti amerikan. Siç tha me ironi një kritike e ashpër e tij - komentatorja e së majtës radikale, Ash Sarkar: “Epo, ndoshta është kështu sepse Satanai nuk ishte i qasshëm”.

Mjaft më me këtë inat fëmijëror. Po të isha palestinez, i shkatërruar nga humbja e familjes, miqve dhe shtëpisë, do të ndihesha mirënjohës që të paktën ka një person që mendon për interesat tona - ndërkohë që edhe Trumpi po mendon për fatin tonë. Blair ka përvojë në marrëdhëniet me presidentë të ndryshëm amerikanë në gjithë larushinë e tyre - edhe pse jo kaq izolacionist sa ky - dhe i njeh mirë si izraelitët ashtu edhe palestinezët. Në fakt, mandati i tij si kryeministër përkoi me një nga shumë mandatet e Netanyahut si kryeministër i Izraelit. Ata nuk janë të panjohur për njëri-tjetrin.

Blair mbetet ende një figurë me peshë në arenën ndërkombëtare dhe do të dëgjohet në Riad, Kajro dhe Ankara. Ai është i kualifikuar, në mënyrë ideale, për të kontribuar në një përpjekje të re për paqe. Mund të shpresojmë që ai do të përdorë njohuritë, autoritetin dhe sharmin e tij për ta larguar Trumpin nga ideja e dëbimit me forcë të njerëzve nga atdheu i tyre dhe ta drejtojë atë drejt një të ardhmeje të realizueshme për një shtet të pavarur palestinez.

Nëse Blairi arrin ta bindë Trumpin se “Gaza e Re” mund të jetë një vend paqësor dhe i begatë me mbështetjen amerikane - me popullsinë e saj palestineze të nxjerrë nga varfëria dhe të pajisur me mundësi të reja për të realizuar potencialin e tyre, dhe atë pa praninë e Hamasit - atëherë ai do të ketë bërë shumë më tepër mirë sesa mendojnë kritikët e tij të shumtë. Ata që e quajnë “zëvendës i Satanait” do të bënin mirë t’i urojnë sukses; ai do të jetë duke bërë punën e Zotit.

Zgjidhja me dy shtete është e pashmangshme, dhe detyra e Blairit është ta bindë Trumpin për këtë. Madje, mund të guxojmë të mendojmë se Blairi, në moshën 72-vjeçare, mund të jetë pranë një kulmi të papritur të karrierës së tij - si arkitekt i madh i paqes në Lindjen e Mesme. Ai me siguri do të bëjë një punë më efektive se Witkoffi në arritjen e një kompromisi historik.

Presidenti Trump, pra, ka një konkurrencë miqësore në garën e tij për Nobelin për Paqe në vitin 2025. Ndoshta ai dhe Blair - një nga partneritetet më të çuditshme në politikën botërore - mund ta ndajnë çmimin. Satanai (dhe Sarkari) do të mërziteshin tmerrësisht. /Telegrafi/