Një person është arrestuar mbrëmë në fshatin Topanicë të Kamenicës, pasi dyshohet se sulmoi disa zyrtarë policorë dhe shkaktoi rrezik serioz në trafikun rrugor.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, rasti ndodhi më 7 tetor 2025, rreth orës 21:00, kur patrulla policore ndaloi një automjet me targa të huaja që po lëvizte me shpejtësi prej 185 km/h në një zonë ku lejohet 80 km/h.


Ngasësit i është shqiptuar gjobë 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjeteve për 6 muaj.

Megjithatë, ai nuk iu bind urdhrave të policisë, por vazhdoi të voziste në mënyrë të rrezikshme dhe u largua nga vendi i ndalimit, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Gjatë ndalimit të tij në fshatin Hodonoc, personi ka rezistuar dhe ka shkaktuar lëndime të lehta trupore tre zyrtarëve policorë.

Ai u arrestua dhe pas procedurave ligjore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është inicuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, i cili po hetohet nga hetues të Stacionit Policor Kamenicë./Telegrafi/