Pas vitesh kritikash, Tesla e rikthen në heshtje levën e sinjalit të kthesës në Model 3

Tesla ka vendosur në heshtje të rikthejë levën e sinjalit të kthesës në Model 3, pasi pronarët kanë kritikuar ashpër butonat kontrovers të timonit që zëvendësuan kontrollin tradicional për gati dy vjet.
Ndryshe, Model 3 Highland i përditësuar, i lansuar në gusht 2023, mori butona të timonit në vend të levës, të modeluar sipas Model S dhe X.
Ky veprim i ndau klientët që nga fillimi - dhe tani Tesla më në fund i ka dëgjuar ata, transmeton Telegrafi.
Në konfiguruesin zyrtar për tregun kinez, leva e sinjalit të kthesës tani është përsëri pjesë e pajisjeve standarde në të gjitha versionet e Model 3.
Për pronarët ekzistues që janë të pakënaqur me butonat, po vjen një zgjidhje fabrike:
Nga mesi i shtatorit, Tesla do të ofrojë një modifikim që lejon instalimin e një leve klasike
Çmimi: 2,499 juanë (rreth 350 dollarë amerikanë)
Instalimi kryhet ekskluzivisht në një qendër shërbimi të autorizuar Tesla me zëvendësim të timonit
Montimi i ri përdor një levë të projektuar për Model Y (Juniper), dhe timoni i vjetër me butona do të riciklohet.
Në fazën e parë, përmirësimi do të jetë i disponueshëm vetëm për Model 3 Highland të prodhuar pas 7 shkurtit 2025. Tesla thotë se më vonë do ta zgjerojë përputhshmërinë në të gjitha versionet Highland.
Meqenëse Model 3 është i disponueshëm globalisht, i njëjti opsion pritet të mbërrijë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Nuk dihet nëse Tesla po planifikon të njëjtën lëvizje për Model S, X apo Cybertruck, por gjithçka tregon se fokusi aktualisht është te modelet me vëllimin më të lartë të shitjeve dhe pakënaqësinë më të theksuar të klientëve.
Gjatë dy viteve të fundit, kompanitë e pavarura (si Enhance Auto me paketën e saj "S3XY Stalks"), kanë mbushur boshllëkun duke ofruar instalimin e një leve klasike të sinjalit të kthesës për pronarët që nuk donin të mësoheshin me butonat.
Tani, Tesla duket se ka vendosur t'i dëgjojë klientët - dhe të kthehet te ajo që shoferët e konsiderojnë një zgjidhje më natyrale dhe të sigurt. /Telegrafi/





















































